1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Partneriteti me Gjermaninë determinues për zhvillimin ekonomik afatgjatë të Shqipërisë

Sektorët strategjikë si energjia, përmirësimi i infrastrukturës së ujësjellës kanalizimeve, mjedisi, suporti për arsimin profesional e sipërmarrjet e vogla e të mesme etj., do të mbeten në fokus të mbështetjes gjermane.

Ministria për Ekonomi, Tregti dhe Energji në Tiranë

Ministria për Ekonomi, Tregti dhe Energji në Tiranë

Qëllimi kryesor është mbështetja e Shqipërisë në përafrimin me BE-në

Në foto, Dirk Niebel

Në foto, Dirk Niebel

Ministri Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel, në vizitën tre ditore që po zhvillon në Shqipëri po nënvizon faktin së “qëllimi ynë kryesor është mbështetja e Shqipërisë në përafrimin me BE-në”. Deri të shtunën në mesditë Dirk Niebel ka planifikuar të lëvizë në disa rajone të Shqipërisë, kryesisht aty ku janë dhe projektet zhvilluese të Gjermanisë për komunitetin. Në qarkun e Shkodrës do të jetë prezent në një projekt që është finalizuar tashmë (linja e transmetimit mes Shqipërisë e Malit të Zi) si dhe për një projekt tjetër që sapo iniciohet (pastrimi i liqenit të Shkodrës). Të shtunën ministri gjerman në delegacionin e të cilit ka dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, deputetë dhe ekspertë të infrastrukturës etj., do të përurojë linjën e ujësjellësit Berat- Kuçovë, si pjesë e projektit „Furnizimi me ujë të pijshëm i Shqipërisë së Mesme“.

Duke bërë një bilanc të bashkëpunimit gjermano shqiptar nga viti 1988, ministri Niebel shprehet i kënaqur nga procesi i transformimit të ndihmës; nga ajo e stadit fillestar emergjent (që ishin disa qindra lopë si një mbështetje për furnizmin ushqimor të popullatës shqiptare) dhe sot me projekte të qëndrueshme partneriteti. “Kjo ka të bëjë me ndryshimin e kushteve të përgjithshme në Shqipëri në 15-20 vitet e fundit duke e shndërruar këtë vend nga një vend diktatorial të ‘epokës së gurit' në një vend që më së miri sot aspiron të bëhet anëtar i BE-së. Qëllimi ynë kryesor është mbështetja e Shqipërisë në përafrimin me BE-në, por kuptohet që ecuria dhe kohëzgjatja e procesit përcaktohet nga vetë Shqipëria”.

Për hir të procesit integrues evropian është e nevojshme të rinisë dialogu

Ambasada gjermane në Tiranë

Ambasada gjermane në Tiranë

Gjatë një takimi me median në Tiranë, Dirk Niebel, përmendi një atmosferë, siç e përshkroi ai “pozitive, miqësore dhe të hapur” gjatë takimeve për afër 60 minuta që kishte patur veçmas me kryeministrin Sali Berisha dhe me shefin e opozitës Edi Rama. Sipas komenteve të tij gjatë takimeve me dy politikanët kryesorë shqiptarë kishte dalë në pah “rëndësia e bashkëjetesës mes faktorëve politikë. Për hir të procesit integrues evropian është e nevojshme të rinisë dialogu, si një kusht dhe për zhvillimin ekonomik të vendit.”

Ministri Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, Dirk Niebel, e kishte të paraplanifikuar vizitën e tij në Shqipëri në ditët e para të muajit maj të këtij viti. Por atmosfera e ndezuar politike në prag të zgjedhjeve lokale kanë qënë shkak i mjaftueshëm për qeveritarin e lartë gjerman që ta spostojë për tani axhendën e tij. Megjithëse nga media u përfol për një rol të Dirk Niebel si negociator mes mazhorancës e opozitës në këtë situatë të ngërçit të stërgjatur politik në Shqipëri, ai e ka mohuar kategorisht këtë rol. “Një mision i tillë të them të drejtën nuk është qëllimi i vizitës time. Kjo do të ishte që të kërkoje më shumë se sa duhet nga Republika Federale e Gjermanisë....”

Arsimi profesional me rëndësi të jashtëzakonshme për kooperimin dypalësh

Logoja e Ministrisë gjermane për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim

Logoja e Ministrisë gjermane për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim

Pyetjes së DW-së se "a do të ketë në të ardhmen një ndryshim kursi për prioritetet e ndihmës gjermane", ministri Federal për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim sqaroi se sektorët strategjikë, si energjia, përmirësimi i infrastrukturës së ujësjellës kanalizimeve në zonat e banuara, mjedisi, suporti për arsimin profesional e sipërmarrjet e vogla e të mesme etj., do të mbeten po në fokus edhe në periudhën në vijim.

“Dy fushat e fundit, arsimi profesional dhe sipërmarrjet e vogla e të mesme janë me rëndësi të jashtëzakonshme për kooperimin dypalësh. Ato krijojnë perspektivë punësimi, sidomos për të përfshirë në këto angazhime të rinjtë. Prioritet tona do të vijojnë për faktin se ato janë përcaktuar në vullnet dhe në rakordim të plotë mes dy palëve. Por dhe sepse qëndrueshmëria e objektivave është efektive, po të kemi parasysh përvojën e eksperiencën e fituar gjatë viteve të fundit”.

Gjermania nga kontribuesit kryesorë të investimeve të huaja në ekonominë shqiptare

Në foto, Gjergj Buxhuku

Në foto, Gjergj Buxhuku

Gjergj Buxhuku, administrator i Konfederates së Industrive në Shqipëri, KONFINDUSTRIA, e vlerëson partneritetin e Gjermanisë si determinues për zhvillimin ekonomik afatgjatë të Shqipërisë. Duke folur për DW, Buxhuku e shikon në dy aspekte kryesore mbështetjen gjermane. “Së pari, nuk duhet të harrojmë që Gjermania në mënyrë të d.p.d por dhe nëpërmjet BE-së është nga kontribuesit kryesorë të investimeve të huaja në ekonominë shqiptare. Së dyti, Gjermani si askush nga shtetet partnere të tjera ka investuar në sektorët strategjikë të ekonomisë shqiptare, sektotë që bëjnë bazën e zhvillimit ekonomik në ekonominë e çdo vendi. Duke e parë në këtë aspekt mund të themi pa frikë që ndihma e Gjermanisë ka qënë jo vetëm sasiore por dhe efektive, në ndryshim kjo nga disa vende të tjera ku efektiviteti i ndihmës së tyre në një masë të konsiderueshme lë për të dëshiruar”.

Si përfaqësues i KONFINDUSTRISË, Buxhuku shton se kompanitë në fushën industriale dhe në tërësi biznesi shqiptar shikojnë tek Gjermania një partner të besueshëm dhe serioz jo vetëm në tregun vendas, por dhe atë rajonal e më gjerë. “Kjo është premisa e zhvillimit të një ekonomie të qëndrueshme që mbështet integrimin e vendeve të Ballkanit Përendimor që aspirojnë të antarësohen në BE”.

Autor: Arben Muka

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM