1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partneritet në vend të fuqive drejtuese

19 Shkurt 2012

SHBA nuk duan të mbajnë më peshën kryesore në misionet ushtarake. Ministri gjerman i Mbrojtjes de Maizière shpjegoi në SHBA se si i përgjigjet ushtria gjermane ndryshimit të situatës.

https://p.dw.com/p/145My
Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maiziere dhe homologu i tij amerikan Leon Panetta.
Ministri gjerman i Mbrojtjes Thomas de Maiziere dhe homologu i tij amerikan Leon Panetta.Fotografi: dapd

Në konferencën e përbashkët për shtyp në Uashington, ministri i Mbrojtjes i SHBA-së Leon Panetta dhe homologu i tij gjerman Thomas de Maizière nuk i kursyen fjalët e mirënjohjes dhe lëvdatat për njëri - tjetrin. Gjermania është një "aleat i shkëlqyer" edhe në NATO, tha Panetta të enjten (16.02.2012) e kaluar. Ushtria gjermane me drejtimin e komandës në veri të Afganistanit luan "një rol shumë të rëndësishëm". "Ashtu si gjithë amerikanët unë jam shumë mirënjohës për mikpritjen e përzemërt që Gjermania u dha trupave amerikane dhe familjeve të tyre atje", tha më tej Panetta. Dy brigada luftarake amerikane do të tërhiqen nga Gjermania, por atje do të mbeten edhe më tej të stacionuar rreth 40.000 ushtarë amerikanë.

Ministri gjerman i Mbrojtjes tha se tërheqja e ushtarëve amerikanë "nuk është arsye për t'u ankuar". "Objektivi i ndryshimit të sasisë dhe cilësisë, pra riorganizimi i aftësive, është pikërisht për mua një hap mjaft i logjikshëm, të cilin ne po e zbatojmë në të njëjtën mënyrë në kuadër të riorientimit të ushtrisë gjermane", tha de Maizière. Ai shtoi se nuk mund ta kritikojë SHBA-në për diçka që bëhet në të njëjtën mënyrë në vendin e tij. Edhe ushtria gjermane do të reduktojë personelin e saj në SHBA. Gjatë vizitës në SHBA ministri gjerman njoftoi mbylljen e bazës së flotës ajrore gjermane në Fort Bliss në shtetin federal Texas.

Bundeswehr / Afghanistan / Soldat / ISAF
Ushtar i Bundesverit në AfganistanFotografi: dapd

SHBA kursen në sektorin e mbrojtjes

Ndryshimet në SHBA janë të diktuara nga masat e nevojshme të kursimeve. Leon Panetta sapo ka prezantuar buxhetin për mbrojtjen, i cili parashikon kursime prej më shumë rreth 500 miliardë dollarësh. Bazuar në ndryshimet e fundit në strategjinë e qeverisë amerikane, vëmendja përqendrohet më shumë drejt Azisë dhe Lindjes së Mesme, pra tërheqje nga Evropa. Këtu bëjnë pjesë edhe fundi i luftës në Irak dhe tërheqja e planifikuar e trupave luftarake nga Afganistani vitin e ardhshëm.

"Amerikanët janë të lodhur" thotë Geoffrey Kemp, ekspert për politikën e sigurisë pranë " Transatlantic Academy" në Uashington DC dhe ish-këshilltar i qeverisë Reagan. "Ata mendojnë: ne kemi bërë mjaft, kemi sakrifikuar mjaft, tani duhet të çlodhemi, të ristrukturojmë marinën, të stërvisim në Australi". Pra në thelb, amerikanët do të ushtrojnë trysni të madhe ndaj evropianëve për të bërë më shumë, pavarësisht nga situa e vështirë financiare.

Gjermania reformon ushtrinë

Qeveria gjermane e ka shtuar buxhetin për ushtrinë për vitin në vijim. Ministri de Maizière planifikon një reformë të ushtrisë objektivin e së cilës e shpjegoi në një fjalim para "Qendrës për sigurinë e re amerikane" të premten në Uashington: "Ne kemi nevojë për trupa robuste, të cilat të mund të angazhohen në misione të përbashkëta dhe të jenë të përgatitura për shkallëzime të mundshme, por edhe në numër të mjaftueshëm për t'u dërguar në më shumë se një zonë misioni". Numri i ushtarëve gjermanë në total do të ulet nga 183.000 në 170.000. Pra më pak ushtarë, por që do të mund të angazhohen më mirë dhe me më shumë fleksibilitet.

Gjermania ka përgjegjësi

Ushtarë gjermanë në kampin Marmal pranë Masar-i-Scharif
Ushtarë gjermanë në kampin Marmal pranë Masar-i-ScharifFotografi: picture-alliance/dpa

Por për ushtarët gjermanë rregullat në misione vazhdojnë të jenë të ndryshme nga ato të trupave amerikane, për shembull në Afganistan. Do të ishte mirë që në një koalicion të përbërë nga kombe të ndryshme nën ombrellën e NATO-s të gjithë të vepronin sipas rregullave të njëjta, thotë Nora Benhasel, eskperte për çështje të mbrojtjes pranë "Qendrës për sigurinë e re amerikane". Por kjo mund të kishte si pasojë uljen e gatishmërisë së qeverive të veçanta për vazhdimin e misioneve. Për këtë arsye duhet pasur kujdes me kërkesat për forcimin e misioneve drejtuar vendeve të veçanta, edhe Gjermanisë.

Partneritet në vend të fuqive drejtuese

Pritjet ndaj Gjermanisë nuk duhet të shtohen shumë, tha ministri gjerman i Mbrojtjes. Synimi i politikës gjermane të sigurisë do të jetë krijimi dhe zgjerimi i "partneriteve solide". Veprimi shumëpalësh është më premtues se sa dominanca e një kombi të vetëm. Një maksimë, të cilën e ndjek edhe SHBA nën presidencën e Barack Obamës. Këtë e di edhe de Maiziere. Evropa duhet të mësohet që SHBA "nuk t'i nxjerrë gjithnjë nga zjarri gështenjat për të", deklaroi ai në Boston.

Autor: Christina Bergmann / E. Xhani

Redaktoi: V.Filaj-Ballvora