1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partitë opozitare sjellin këmbime idesh

15 Shtator 2009

Kush do të jetë ministri i Jashtëm i Gjermanisë në katërvjeçarin e ardhshëm? E vështirë të parashikohet sepse asnjëri prej koalicioneve tradicionale të qendrës së djathtë a të majtë nuk e ka të sigurt shumicën e votave.

https://p.dw.com/p/JgpI
Tre kandidatë kryesorë të opozitës, Westerwelle, Trittin, Lafontaine në një debat televiziv.
Tre kandidatë kryesorë të opozitës, Westerwelle, Trittin, Lafontaine në një debat televiziv.Fotografi: Foto: ap

Guido Westerwelle nga liberalët, Jürgen Trittin nga Të Gjelbrit dhe Oskar Lafontaine nga E Majta, të tre do të dëshironin të merrnin pjesë në qeverinë e ardhshme, por në cilën përbërje?

Kandidati i liberalëve, Guido Westerwelle: "Ne duam t'i japim fund koalicionit të madh. Ne duam të pengojmë krijimin e një qeverie të majtë. Unë do të bëj ç'është e mundur, që zoti Lafontaine të mos ketë ndikim në politikën e Gjermanisë, as në formën e një rezerve pushteti të fshehur”, tha ai. Me fjalë të tjera: Në rast se nuk mjafton për një shumicë konservatore / liberale, ku Merkel do të ishte kancelare e Westerwelle ministër i jashtëm, atëherë Westerwelle do të bëjë ç'është e mundur të marrë në qeveri edhe të Të Gjelbrit, për të krijuar kështu koalicionin me ngjyrat: e zezë, e verdhë dhe e gjelbër, ose siç preferojnë ta quajnë atë mediet në Gjermani, koalicionin xhamaikan.

Vapori nuk arrin deri në Xhamajkë

"Jo," tha kandidati kryesor i Të Gjelbërve, Jürgen Trittin: "Vapori nuk do të mbërrijë deri në Xhamajkë". Qëllimi i Të Gjelbërve është pikërisht të pengojë krijimin e koalicionit mes Unionit Kristiandemokrat e Kristiansocial dhe Liberalëve: "Po qe se do ta arrijmë këtë qëllim, atëherë nuk mund t'u mbajmë shkallët pikërisht atyre, kundër të cilëve luftuam gjatë gjithë fushatës," - argumentoi ai. Roli i pakicës në qeverinë e qendrës së djathtë nuk do t'i pëlqente kurrsesi ish-ministrit të mjedisit në qeverinë kuq-gjelbër Schroeder-Fischer (1998-2005). Por Trittin, i cili në partinë e vet konsiderohet si përfaqësues i klientelës së majtë, nuk përjashton asnjë parti nga bashkëqeverisja, madje as edhe demokristianët e kristiansocialët e kancelares Angela Merkel: "Unë jam politikan realist dhe racional dhe nuk besoj tek djalli," tha ai duke pasur parasysh jo vetëm konservatorët e liberalët, por edhe vetë Oskar Lafontaine-in, i cili për tri partitë e tjera parlamentare mbetet tabu.

Lafontaine nuk pret ndonjë ftesë për bashkëqeverisje

Lafontaine-i vetë e di këtë. Prandaj edhe ai nuk pret ndonjë ftesë për bashkëqeverisje, megjithëse, ndryshe nga fushata e katër vjetëve më parë, ish-kryetari i Partisë Socialdemokrate, këtë radhë duket më i gatshëm për bashkëpunim. "Qëllimi ynë është të ndryshojmë politikën. Po të na jepet rasti për një gjë të tillë, do ta bëjmë, me kusht që të na plotësohen kërkesat, e këto janë për shembull ndryshimi i sigurimit për papunësinë, ndryshimi i sistemit të pensioneve, politika e jashtme, për të cilën me siguri që do të flasim," tha ai.

Debat pa politikë të jashtme

Por dy gazetarët e medieve publike nuk e kishin në listë këtë temë. Kështu Lafontaine nuk arriti të përsëriste kërkesën e tij për tërheqjen e menjëhershme të trupave gjermane nga misionet ndërkombëtare ushtarake nëpër botë, mes të tjerash edhe nga Afganistani e Kosova, kërkesë, e cila për momentin është e parealizueshme. Ndoshta, edhe e E Majta ndryshon pikëpamje në këtë pikë, në se vjen puna deri tek negociatat qeveritare me socialdemokratët e të gjelbrit. Këta të fundit mund t'u japin pak nga përvoja e tyre në vitin 1998: Ndërsa në fushatën elektorale thërrisnin për shpërbërjen e NATO-s, kur filluan bashkëqeverisjen me Schroederin jo vetëm që e hoqën këtë kërkesë nga agjenda, por madje mbështetën edhe operacionin e parë luftarak të gjermanëve në kuadër të NATO-s, bombardimin e Jugosllavisë.

Autor : Anila Shuka

Redaktoi : Aida Cama