1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Partitë unioniste gjermane miratojnë njëzëri programin elektoral

CDU dhe CSU ranë dakord për programin elektoral për zgjedhjet parlamentare në Gjermani. Kryesitë e partive ranë dakord edhe për të ulur taksat dhe për heqjen graduale të taksës së solidaritetit me Lindjen e Gjermanisë.

Pas grindjes së mundimshme për refugjatët midis Kancelares Angela Merkel dhe kryeministrit të Bavarisë, Horst Seehofer disa vëzhgues as nuk e pritën këtë që ndodhi. Por CDU dhe CSU ranë dakord për një program të përbashkët elektoral për zgjedhjet në Bundestag - njëzëri, siç bën të ditur agjencia gjermane e lajmeve dpa. 

Para shtypit në Berlin, Merkeli dhe Seehoferi bën të ditur se pas zgjedhjeve do të hapin rrugën për një "ligj imigrimi për fuqinë punëtore të kualifikuar". Objektivi është që të "mos mbetet bosh asnjë vend pune", tha Merkeli (CDU). Për këtë nevojitet një numër i mjaftueshëm fuqie punëtore e kualifikuar. Në këtë ligj do të riorganizohen rregullat ekzistuese dhe në rast nevoje të përmirësohen. Në programin e tyre, partitë unioniste i caktojnë vetes si synim që të arrijnë punësim të të gjithë shtetasve deri në vitin 2025.

Prej vitit 2020 taksa e solidaritetit do të eleminohet gradualisht

Veç kësaj, partitë unioniste do t'i lehtësojnë qytetarët në tatimin mbi të ardhurat në shumën 15 miliardë euro. Taksa e solidaritetit, e miratuar për të financuar rindërtimin e ish-Gjermanisë Lindore, do të eleminohet gradualisht prej vitit 2020 deri 2030. Veç kësaj do të ekzistojë edhe një ndihmë financiare për fëmijët e lidhur me ndërtimin: ai që blen një pasuri të paluajtshme, do të marrë për çdo fëmijë dhe çdo vit 1200 euro subvencion për një periudhë prej dhjetë vjetësh. Ndihmën financiare për fëmijët dhe shumën e patatueshme në të ardhura për fëmijët partitë unioniste duan t'i shtojnë.

Pjesëtarë të takimit midis CDU dhe CSU, që u mbajt të dielën në darkë në Berlin, thanë se këto dy parti pas zgjedhjeve do t'a rrisin me 25 euro ndihmën financiare për fëmijët. Shuma e patatueshme për fëmijët (deri tani 7356 euro) do të rritet në dy hapa deri në shumën e patatueshme bazë për të rriturit (8820 euro). Për fëmijën e parë dhe të dytë, aktualisht paguhen 192 euro në muaj, për fëmijën e tretë 198 euro dhe që prej fëmijës numër katër, 223 euro.

Shefi i CSU-së, Seehofer tha se "parimi më i rëndësishëm për ne është që gjërat që i premtojmë popullit, t'i bëjmë në të gjitha rrethanat". Prandaj në të gjitha idetë që paraqiten gjithmonë diskutohet çështja nëse ato janë të financueshme.  Por CSU-ja do të paraqesë në 23 korrik edhe një "Plan të Bavarisë", në të cilin ajo do të paraqesë kërkesa për zgjedhjet parlamentare dhe për negociatat e mundshme për koalicion, të cilat ajo nuk pati mundësi t'ia imponojë CDU-së.