1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Partitë gjermane të kërcënuara nga shuarja?

Partitë e mëdha në Gjermani vuajnë prej vitesh nga largimi i vazhdueshëm i anëtarëve. Partitë në pushtet CDU/CSU dhe FDP humbën vitin e kaluar shumë anëtarë. Të Gjelbrit janë të vetmit që ecin kundër tendencës.

Pamje nga fushata zgjedhore e partive SPD dhe CDU

Pamje nga fushata zgjedhore e partive SPD dhe CDU

Deputetët e partive të mëdha gjermane përcaktojnë në Bundestagun Gjerman politikën - në emër të popullit, siç thuhet. Por në fakt, partive po u largohen anëtarët dhe në këtë mënyrë edhe baza. Anëtarët e partisë janë moshuar, shumë pak të rinj po afrohen. Ky është shkaku kryesor për largimin e anëtarëve.

Se ku mbeten të rinjtë, këtë e shpjegon politologu Oskar Niedermeyer: "Ajo që ekziston është një mungesë organizimi, para së gjithash tek të rinjtë. Ata nuk duan të futen në këto organizata të mëdha. Sot ata kanë shumë më tepër mundësi se më parë për t'u angazhuar në kohën e lirë në aspektin politik, por edhe jopolitik."

Miriam Schmidt, e SPD-s

Miriam Schmidt, e SPD-s

Pse mungojnë të rinjtë në parti?

Veç kësaj, angazhimi në një parti është i lodhshëm, deklaron Niedermeyer. Duhet të investosh shumë punë dhe kohë në një parti, përpara se të kesh mundësi të bashkëvendosësh. "Kjo është pak në kundërshtim me atë se si duan të angazhohen të rinjtë sot. Që ata duan ta shijojnë angazhimin, që angazhimi të jetë për një kohë të shkurtër dhe i lidhur me projekte. Njerëzit duan të kenë një përfitim. Këto janë gjëra, të cilat nuk garantohen si duhet te partitë."

Që të rinjtë janë ata që mungojnë pikërisht në politikën komunale, kjo është përvoja e dhimbshme e Miriam Schmidtit. 31 vjeçarja përfaqëson Partinë Socialdemokrate në Këshillin e Qytetit të Bonit. Shpjegimi i saj:

"E gjitha ka të bëjë edhe me faktin se ka një ritualizim të mbledhjeve, për t'i vënë një emër. Në to dëgjon shprehje të tilla si "këtë nuk e kemi bërë asnjëherë kështu" ose "kështu e kemi bërë gjithnjë këtë". Për të rinjtë është shumë e mundimshme, që të luftojnë në këto kushte dhe ata thonë "po shkoj më mirë në një organizatë tjetër ose më mirë të jap kontribut në një organizatë për ambientin".

Qytetarë - përkrahës të Merkelit

Qytetarë - përkrahës të Merkelit

Partitë duhet të jenë të hapura për ide të reja

Në disa takime politike, Miriam Schmidti është jo vetëm e vetmja grua, por edhe personi i vetëm nën 45 vjeç. Prandaj ajo i kërkon partisë që të jetë e hapur për ide të reja. Për shembull, në fushatën elektorale duhet hequr dorë nga ngritja e një tende informative klasike para supermarketeve, nga ora 10:00 deri në 12:00.

Për Nico Pestelin, kryetar i organizatës së rinisë së CDU-së Junge Union në qarkun Rini i Mesëm, ka rëndësi që të rinjtë të lidhen në plan afatgjatë me partinë, gjë që nuk funksionon gjithmonë: "Edhe CDU-ja duhet të hapet për të rinjtë, kur bëhet fjalë që ata të angazhohen në plan afatgjatë, e ndoshta që ata të binden për të marrë përsipër mandate. Në parlamente natyrisht që kjo mundësi duhet të jetë e hapur."

Tër rinjtë interesohen pak për politikën

Tër rinjtë interesohen pak për politikën

Që partitë duhet të ndryshojnë, këtë e mendon edhe studiuesi i spektrit partiak, Niedermayer: "Në mënyrë fare të përgjithshme, partive duhet t'u rekomandosh që të hapen më fort përballë shoqërisë, që të lejojnë mundësitë e pjesëmarrjes, edhe nëse në duar njerëzit ende nuk e kanë librezën e anëtarësisë, që të mësojnë se çfarë duan të rinjtë, pa u futur ende ata në sistem. Por kjo nuk është gjë e thjeshtë, siç shihet te SPD-ja, sepse funksionarëve nuk u pëlqejnë mundësitë e bashkëvendosjes së jo anëtarëve." 

 

Autor: Anna Appelrath/Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi