1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partitë e vogla e kanë të vështirë

Kay-Alexander Scholz /Vilma Filaj-Ballvora19 Gusht 2013

Ka mbi dhjetë parti të vogla, që tërheqin grupe të veçanta zgjedhësish në Gjermani. Por ato normalisht nuk e arrijnë numrin e mjaftueshëm të votave për t'u përfaqësuar në parlament.

https://p.dw.com/p/19Rjg
Fotografi: picture-alliance/dpa

Përshtypja e parë të zhgënjen. Komisioni Elektoral ka leujuar për zgjedhjet e 18-ta për Bundestagun (Parlamenti Federal i Gjermanisë) më 22 shtator 2013 pjesëmarrjen e 39 partive, prej të cilave pesë u tërhoqën më pas duke mos dashur të konkurrojnë në zgjedhje. Megjithatë tradicionalisht në Gjermani shumë pak prej këtyre partive kanë shanse reale për të dërguar deputetë në parlament. Sepse ka një klauzolë bllokuese, i ashtuquajturi pragu i pesë përqindëshit. Për herë të fundit në vitin 1998 ia doli ta kapërcejë këtë prag në nivel federate partia "E Majta" me prejardhje nga ish-RDGJ (ish-Republika Demokratike e Gjermanisë). 15 vjet më parë ishin ekologjistët, që u futën si parti e re në Bundestag.

Që pejsazhi partiak në Gjermani krahasuar me vende të tjera është i qëndrueshëm, kjo s'ka të bëjë me këtë klauzolë bllokuese. "Në Gjermani ka një përqendrim të madh në qendër, partitë e etabluara nuk dallojnë më shumë prej njëra-tjetrës", thotë studieuesi i shkencave politike Karl-Rudolf Korte. Shtete të tjera janë shumë më heterogjene dhe të polarizuara. Gjermania është si rrjedhojë vërtetë më e qendrueshme politikisht, por në një farë mënyre është edhe më monotone, vëren Krote. "Sidoqoftë prej kësaj mund të përfitojnë partitë më të vogla, të cilat pikërisht për këtë arsye fitojnë më shumë vëmendje."

Partia "E Majta" e kapërceu në vitin 1998 pragun e 5% në nivel federate.
Partia "E Majta" e kapërceu në vitin 1998 pragun e 5% në nivel federate.Fotografi: picture-alliance/dpa

Dy kandidatë

Së fundi doli në pah se si tërhoqën vëmendjen njëkohësisht dy parti të reja të vogla. Partia liberale e majtë e Piratëve, e vetëquajtur si partia e epokës së internetit. Nga ana tjetër edhe partia populiste e djathtë Alternativa për Gjermaninë, e cila u krijua nga kampi konservator si protestë ndaj politikës së euros, që ndjek qeveria e kancelares Angela Merkel.

Kongresi i Partisë liberale të majtë, Piratët, e vetëquajtur si partia e epokës së internetit.
Kongresi i Partisë liberale të majtë, Piratët, e vetëquajtur si partia e epokës së internetit.Fotografi: picture-alliance/dpa

Piratët e themeluan partinë në vitin 2006 dhe ndërkohë janë të përfaqësuar në parlamentet e katër landeve duke numëruar në mbarë Gjermaninë rreth 31.000 anëtarë.

Partia Alternativa për Gjermaninë u themelua zyrtarisht në shkurt të këtij viti dhe numëron aktualisht 15.000 anëtarë, ndër ta edhe të shkëuptur prej partive të koalicionit qeverisës asaj kristiandemokrate/kristiansociale dhe partisë liberal-demokrate. Të dyja këto parti konkurrojnë në zgjedhjet parlamentare në të 16 landet e federatës me listat e deputetëve të tyre duke qenë kësisoj formalisht të azhornuara në mbarë vendin. Këtë deri tani e kanë arritur krahas partive të etabluara si socialdemokratët, kristiandemokratët, liberal-demokratët, të majtët dhe ekologjistët, vetëm partitë e vogla si ajo e ekstremit të djathtë, partia nacional-demokrate, partia komuniste marksiste-leniniste dhe lidhja qytetare e zgjedhësve të lirë.

Në shkurt 2013 Partia u themelua Alternativa për Gjermaninë
Në shkurt 2013 Partia u themelua Alternativa për GjermaninëFotografi: picture-alliance/dpa

Demoskopë të paqartë

Piratët dhe partia Alternativa për Gjermaninë në sondazhet e kryera nga institutet e mëdha demoskopike ndërkohë arrijnë rreth dy deri në tre përqind. Nëse merr parasysh edhe tolerancën e gabimit statistikor prej disa përqindësh, atëherë këto parti kanë shans që të përfaqësohen në Bundestag.

Demoskopët japin edhe disa argumenta të tjera se përse mund të ndodhë kështu. Piratët përfitojnë me gjasë edhe nga fakti që zakonisht sondazhet me elektoratin realizohen përmes rrjetit të telefonisë fiske. Por duke llogaritur që shumë zgjedhës të rinj thuajse nuk kanë më telefon fiks, por vetëm telefona celularë, atëherë kjo kategori zgjedhësish është e papërfaqësuar. Sa i përket partisë Alternativa për Gjermaninë luan rol edhe efekti, që disa zgjedhës gjatë pyetësorit në telefon nuk kanë kurajo të favorizojnë një parti, e cila nuk është e etabluar. Por kur ata ndodhen në kabinën e votuesit megjithatë mund ta vendosin kryqin pikërisht në vendin e parashikuar për partinë Alternativa për Gjermaninë.

Garë dinamike e partive

Impulse favorizuese partive të reja u vjen nga partitë e etabluara. Ato filluan shumë herët t'i vëzhgojnë me kujdes dy partitë e reja duke marrë edhe masat për t'iu kundërvënë atyre. Kjo sepse partitë Aleternativa për Gjermaninë dhe ajo e Piratëve mund ta ndryshojnë raportin e krijuar tashmë midis pesë grupeve parlamentare të partive të etabluara në Bundestag, duke e vështirësuar kësisoj krijimin e koalicioneve të fokusuar tashmë.

Deutschlandfest SPD 150. Geburtstag Peer Steinbrück
Miting elektoral i SPD , Peer SteinbrückFotografi: picture-alliance/dpa

Kur partia e Piratëve arriti një kuotë dyshifrore në pyetësorët e pranverës 2012, partitë e etablura të nervozuara nisën që t‘i paraqesin në mënyrë ofensive në publik kompetencat e tyre në fushën e internetit. Partia Alternativa për Gjermaninë i ndëshkoi partitë e koalicionit qeverisës kristiandemokrat/kristiansocial dhe liberal-demokratët, me temën e krizës së euros. Kësisoj partitë konservatore po mundohen të mos e trajtojnë gjatë fushatës elektorale këtë çështje. Me këtë synohet që të shmangen shkaqet për protestë.

E rëndësishme është të mos jesh parti monotematike

Bernd Lucke, themelues dhe zëdhënës i partisë Alternativa për Gjermaninë, gjatë pushimeve të verës u përpoq gjatë një konference shtypi në Berlin që të bëjë të qartë, se partia e tij nuk është parti monotematike, ashtu siç komentohet. Sepse një imazh i tillë nuk krijon përshtypje të mirë tek zgjedhësit dhe mediat, që kërkojnë program të plotë. Ndaj Lucke prezantoi tre të ashtuquajtura komisione federale të kompetencës për politikën energjetike, shëndetësinë dhe mbrojtjen. Por këto deklarata programatike tingëlluan sikur ishin konceptuar me po aq populizëm sa edhe tema mbi shpëtimin nga kriza e euros, ndaj jehona mediatike ishte fare e zbehtë.

Cloppenburg Wahlkampf CDU Merkel
Miting elektoral i CDU, Angela MerkelFotografi: picture-alliance/dpa

"Vetëm 20 përqind e qytetarëve na njohin ne deri tani“, thotë Lucke. Tani partia Alternativa per Gjermaninë do ta dyfishojë kuotën e njohjes nga elektorati përmes luftës elektorale në rrugë. Megjithatë mbetet të shihet, nëse numri i zgjedhësve do të rritet. Sepse në përgjithësi në Gjermani, ndryshe nga sa ndodh në vendet fqinjë si Franca e Holanda, partitë populiste të djathta e kanë të vështirë të etablohen në nivel federate. Në Gjermani krahasuar me hapësirën angolo-saksone është ndryshe edhe sa i përket mediave konservatore, ato janë disi më të moderuara dhe janë kritike kundrejt partive të spektrit ekstrem.

Vëmendja e elektoratit e çuar dëm

Kulmi i partisë së Piratëve në vjeshtën e vitit 2012 u pasua nga një rënie e menjëhershme e kuotës në sondazhe. Kryesia e re e partisë për një kohë të gjatë la një përshtypje jo të mirë në publik duke reflektuar përçarje. "Ky imazh shkaktoi shumë dëm", thotë gazetari i internetit Sasha Lobo. Partia e humbi besimin e zgjedhësve. Në këto rrethana as që u perceptua, se partia e Piratëve ia doli që të shkëputet nga të qenit një parti monotematike duke etabluar një program të plotë partiak.

Deutschlandfest SPD 150. Geburtstag Peer Steinbrück
Fotografi: Getty Images

Në valën e indinjatës lidhur me aferën e përgjimeve të agjenisë së SHBA-së, NSA, ndërkohë ka shanse të reja, që partia e Piratëve ta konsolidojë besimin tek elektorati duke tërhequr edhe votues përtej grupit të zgjedhësve klasikë të saj. Edhe kryesia e partisë së Piratëve shpreson për impulse të fuqishme votash në valën e diskutimit aktual lidhur me sigurinë e të dhënave dhe të drejtat e qytetarëve në internet. Por politologu Korte është skeptik. "Skandali vjen me shumë vonesë, sepse mediet e etabluara e kanë humbur tashmë interesin ndaj partisë së Piratëve."