1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Partia Socialiste drejt fitores së mandatit të dytë

26 Qershor 2017

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve publikon orë pas ore, rezultatet e numërimit të kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare 2017, që u zhvilluan në Shqipëri të dielën. Partia Socialiste kryeson.

https://p.dw.com/p/2fOiA
Albanien Parlamentswahlen 2017
Fotografi: DW/A. Ruci

Deri të hënën në (26.06) mesditë, kur janë numëruar pothuajse gjysma e 5362 kutive të votimit, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve informon se PS kryeson me 76 mandate deputetësh, PD ka fituar 41, LSI 20, PDIU ose si njihet partia e ҫamëve 2 dhe PSD 1. Kjo do të thotë që PS do të qeverisë vendin, në 4 vitet e ardhshme e vetme, pa patur nevojë të bëjë koalicion me një forcë tjetër politike në një parlament prej 140 vendesh , sipas rezultateve të deritanishme. Kjo do të thotë se Edi Rama do të jetë kryeministër edhe në 4 vitet e ardhshme për të realizuar premtimet e tij të mëdha: spastrimin e drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, hapjen e negociatave të pranimit në BE deri në fund të vitit, modernizimin e shtetit dhe shoqërisë. 

Proces zgjedhor paqësor por me pjesëmarrjen  më të ulët në 25 vitet e fundit

Procesi zgjedhor për zgjedhjet parlamentare 2017 shënon ndarjen nga modeli i deritanishëm problematik, pompoz, me kosto të larta dhe incidente të rënda. Për herë të parë në 25 vitet e zgjedhjeve në demokraci fushata zgjedhore ishte minimaliste, paqësore dhe palët në garë hoqën dorë nga gjuha ekstreme e urrejtjes. Edhe dita e votimit kaloi e qetë dhe në përgjithësi u zbatua Kodi Elektoral dhe legjislacioni zgjedhor. Dy partitë kryesore PS –PD  duket se me keto zgjedhje ia lanë të shkuarës zakonin e shpalljes së fitores para se të mbylleshin kutitë e votimit dhe atë të militantëve para selive të partive. 

Por këto zgjedhje shënojnë edhe pjesëmarrjen më të ulët prej 44.90 % të votuesve. Përkimi i datës së votimit me Festën e Bajramit dhe të nxehtët që shënoi dje 39 gradë Celcius sollën vendimin e KQZ për zgjatur edhe një orë votimin. Kutitë u mbyllën në orën 20.00. Por kjo nuk solli rritjen e pjesëmarrjes. Emigrantët që figuronin në listat e votuesve erdhën për të votuar në një numër shumë të vogël. Ndërsa një pjesë e mirë abstenoi për shkak të pakënaqësisë dhe mospërmbushjes së pritshmërive të tyre nga politika.

Pritshmëri të qytetarëve nga Parlamenti dhe qeveria e re

Në fshatin Qerret, në Katund të Ri, në qarkun elektoral të Durrësit, votuan 90% e banorëve që jetojnë aty aktualisht, mes të cilëve, një pjesë e mirë, të ardhur në këto 25 vite nga zona verilindore. Ne godinat dhe pemët e larta buzë rrugës valevitej flamuri i PD. Artan Berisha, kryetar i komisionit në qendrën e votimit të ngritur në shkollën "Artan Zeka” tha dje për DW, në mbyllje të votimit, se sipas listës kanë votuar vetëm 44.50 % të votuesve, pasi mbi 45%  janë banorë të fshatit që janë emigrantë në Itali, nuk jetojnë në Qerret dhe nuk kanë ardhur për të votuar. Por ai është i gëzuar dhe nuk e ndjen lodhjen e 13 oreve në krye te komisionit.

"Deri më sot nuk kanë bërë vaki të tilla zgjedhje kaq të qeta. Le të fitojë ma i miri. Nga kushdo që do drejtojë qeverinë e re presim të na përmirësojë jetën, që bashkëfshatarët tanë që kanë emigruar të kthehen dhe të punojnë këtu. Shiko, sa shumë tokë të mirë kemi, ka mbet djerrë, e shkretë se nuk ka kush ta punojë. Që të kthehen duhet Qerreti të ketë infrastrukturë: në 2017 ne kemi 2 orë ujë në ditë, në këtë shkollë nuk është vënë dorë që kur unë, jam 55 vjeҫ, kam qënë nxënës i saj. Por kemi një rrugë të mirë automobilistike që mbaroi vitin e kaluar. Kemi nevojë për mbështetje nga qeveria për prodhimet tona blegtorale dhe bujqësore, që të kemi ekonomi të mirë, se me ato jetojmë. Këtu nuk kemi kanabis se jemi krejt fushë, por po e zhduku qeveria e re mirë do jetë edhe për ne” thotë Artan Berisha.

Shqipëria drejt një opozite të re

Nga rezultati i thellë i deritanishëm  i fitores së PS duket se një pjesë e elektoratit të PD ose ka votuar për PS ose ka abstenuar. Problemet e brendshme në partinë më të madhe opozitare dhe lënia jashtë listës së kandidatëve për deputetë të personaliteteve emblematike të saj si Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Eduard Selami, Genc Ruli etj duket se kane sjelle një tkurrje të votave për PD të votuesvev tradicionalë apo të atyre që i përkasin zonës gri, të pavendosurve. Të hënën (26.06.), Besnik Mustafaj, një nga themeluesit e PD, ish-deputet dhe ministër i jashtëm, kërkoi dorëheqjen e Lulzim Bashës, kryetarit të PD dhe i bëri thirrje Sali Berishës të organizojë zgjedhjet e brendshme në PD. Duket se fitorja e thellë e PS do të konfigurojë një opozitë të re parlamentare në Shqipëri: përveç partisë tradicionale opozitare PD në opozitë do të jetë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim( LSI) të cilën këto zgjedhje e nxorrën nga  loja politike e faktorit të tretë, të domosdoshëm për të krijuar qeveri, si ndodhi në zgjedhjet e 2009 kur ajo bashkëqeverisi me PD dhe në 2013 kur bashkëqeverisi me PS pasi ato nuk kishin maxhorancen e duhur për të qeverisur të vetme.

Ajo që pritet tani është vlerësimi i misionit të vëzhguesve të OSBE/ODIHR-it. A do t'i quajë këto zgjedhje "të lira dhe të ndershme” ? Gjasat janë që t'i vlerësojë të tilla. Hapja e negociatave të anëtarësimit do të jetë një "possible mission” për qeverinë e re, kryeministrin e saj Rama dhe qytetarët e Shqipërisë që e shohin progresin në procesin si anëtarësimit si faktorin kyç për të shpëtuar nga korrupsioni  në gjykata dhe administratën publike dhe që vendi të ketë rregulla loje demokratike.

 

 

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana