1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Partia Socialdemokrate Gjermane e zemëruar për vizitën e Shrëderit në Iran

Vizita në Iran e ish-kancelarit gjerman, Gerhard Shrëder, e cila përfundoi të dielën ka tërhequr vëmendjen në Gjermani. Qeveria gjermane nuk sheh arsye për kritika. Por në Partinë Socialdemokrate i shohin punët ndryshe

Ish-kancelari gjerman Shrëder në takim me presidentin iranian Ahmadinexhad

Ish-kancelari gjerman Shrëder në takim me presidentin iranian Ahmadinexhad

Në Partinë Socialdemokrate Gjermane janë të zemëruar për vizitën e kancelarit Gerhard Shrëder në Iran. Para së gjithash, takimi i tij me presidentin e Iranit, Mahmud Ahmadinexhad shihet në mënyrë kritike te shokët e partisë. Do të kishte qenë më mirë sikur Shrëderi të qe takuar vetëm me ish-presidentin Mohamed Katami, i deklaroi zëdhënësi për politikën e jashtme i PSDGJ, Gert Weisskirchen gazetës "Die Welt".

Por qeveria federale gjermane e sheh me qetësi këtë çështje. Vizita e Shrëderit në Iran ka qenë e natyrës thjesht private, tha zëdhënësi i qeverisë, Thomas Steg. Qeveria federale kishte pasur megjithatë prej shumë kohësh dijeni për këto plane.

"Qeveria gjermane, Zyra e Kancelares Federale, Kancelarja Federale beson se Gerhard Shrëderi ka zhvilluar atje edhe bisedime, në linjën e qendrimit të përcaktuar së bashku ndaj Iranit. Informacionet sugjerojnë se ai ka mbrojtur atje edhe pozicione të caktuara. Pavarësisht nga kjo, për kancelaren federale është vendimtare që politika ndaj Iranit të përcaktohet në qeverinë federale dhe që midis partnerëve të koalicionit në qeverinë federale të ketë mirëkuptim të lartë në çështjen e trajtimit të Iranit, të programit atomik iranian."

Shrëderi kishte shkuar në Iran me ftesë të një mjeku iranian. Në Teheran ai u takua me të gjithë udhëheqjen politike të vendit. Në një fjalim që mbajti në Dhomën e Industrisë dhe të Tregtisë së Iranit, ai e kritikoi indirekt presidentin Ahmadinexhad, duke thënë se holokausti, vrasja e gjashtë milionë hebrenjve nga Gjermania e Hitlerit - është një fakt historik, i cili nuk mund të mohohet. Një fuqi rajonale, e cila kërkon që ta marrin seriozisht politikisht, duhet t'i pranojë këto realitete dhe të respektojë rregullat ndërkombëtare. Njëkohësisht, duke folur për ARD-në, Shrëderi u shpreh për një afrim me Teheranin. Në raport me Iranin, sipas Shrëderit vlen fjalia "ndryshim përmes tregtisë."

"Po, mendoj që kjo është një fjali e mirë, me të cilën ne kemi përvoja të mira në Gjermani. Integrimi i një vendi kaq të rëndësishëm si Irani në ekonominë botërore më duket një mënyrë veprimi që premton më shumë sukses se sa izolimi."

Përkundrazi, Berlini është gati të përdorë sanksione, nëse Irani nuk do të ishte i gatshëm të ndryshojë qendrimin në çështjen e armatimit bërthamor. Nga Teherani priten përgjigje konstruktive për propozimet e bashkësisë ndërkombëtare të shteteve, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme, Jens Plötner. Një raport i ri i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, i cili përmban pika interesante, por që njëkohësisht jep edhe shkas për shqetësim, po analizohet aktualisht me imtësi.

  • Data 24.02.2009
  • Autor Bettina Marx
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H0Fe
  • Data 24.02.2009
  • Autor Bettina Marx
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/H0Fe