1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Partia e Rajoy-t akuzohet për financime të paligjshme

Partia e kryeministrit të Spanjës Mariano Rajoy po mbrohet nga akuza të rënda të bëra nga një anëtar i saj. Ish përgjegjësi i thesarit, Bárcenas, kërcënon të rrëzojë qeverinë me informacionet për financime të paligjshme.

default

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy

Në skandalin e mitmarrjes që ka përfshirë partinë qeverisëse në Spanjë (Partia Popullore - PP), ish shefi i thesarit Luis Bárcenas ka pranuar se partia për vite me radhë është financuar në mënyrë të paligjshme.

Bárcenas është në qendër të një skandali për financime të paligjshme që ka përfshirë Partinë Popullore spanjolle. Ai ka qenë përgjegjës për financat e Partisë Popullore nga viti 1991 deri në 2010. Bárcenas dyshohet se ka fshehur në një llogari jashtë vendit 48,2 milionë euro. Në fund të qershorit ai u arrestua nga policia spanjolle për shkak të rrezikut të arratisë. 55-vjeçari kërcënon se ka edhe shumë material dhe informacion inkriminues, publikimi i të cilave mund të çojë në rrëzimin e qeverisë konservatore të Rajoy-t.

Akuza: financime të paligjshme për gati 20 vjet

Luis Barcenas

Luis Barcenas, ish shefi i thesarit në Spanjë

Sipas tij konservatorët e Partisë Popullore të kryeministrit Mariano Rajoy kanë marrë të paktën 20 vjet rresht donacione të padeklaruara nga sipërmarrje ndërtimi dhe të tjera, citon në numrin e saj të së dielës Bárcenas-in, gazeta spanjolle "El Mundo". Në këmbim janë dhënë leje ndërtimi dhe porosi për punë publike. Bárcenas i akuzuar për mashtrim fiskal dhe korrupsion, pohon se edhe kryeministri Rajoy ka qenë i përfshirë. Me të ardhurat e paligjshme janë financuar rroga shtesë për funksionarë të partisë si dhe shpenzime për fushata elektorale. Dhjetëra anëtarë të udhëheqjes së partisë për gati 20 vjet kanë marrë para të padeklaruara nga sipërmarrje.

Partia Popullore spanjolle i hodhi poshtë akuzat për financime të paligjshme. Fajësimet e drejtuara edhe kundër vetë kryeministrit spanjoll janë "krejtësisht të rreme" dhe "një marrëzi e madhe", deklaroi sekretarja e përgjithshme e PP-së María Dolores de Cospedal në fillim të javës në Madrid.