1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Partia e qendrës së djathtë GERB fiton zgjedhjet parlamentare në Bullgari

Partia e kryebashkiakut të Sofjes i fitoi bindshëm zgjedhjet e së dielës në Bullgari, por me rreth 117 mandate GERB-it i mungon shumica absolute, prandaj pritet një koalicion me partitë e tjera të qendrës dhe të djathta.

Kryebashkiaku i Sofjes Bojko Borisov, poster

Bojko Borisov, ish-zjarrfikës, ish-truprojë dhe ish-shef i policie me lidhje të dyshimta me botën bullgare të krimit

Bullgarët vendosën prapë që të largojnë partinë qeverisëse nga pushteti. Në asnjë prej zgjedhjeve parlamentare qysh prej kthesës politike në vitin 1989, forca aktuale në pushtet nuk ka arritur të rifitojë votat e elektoratit. Ky qëndrim zgjedhor i paqëndreshëm mund të shpjegohet me pakënaqësinë e përgjithshme në vend, por edhe me mungesën e stabilitetit në skenën e partive politike. Edhe pse Bullgaria është bërë anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 2007, në vend mund të shohësh pak nga mirëqenia e dëshiruar dhe shteti ligjor. Tani po troket në derën e këtij vendi të Evropës Juglindore edhe kriza globale financiare. Zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik deri në fund të vitit 2008 ka shënuar tkurrje prej 8%, tregu i pasurive të patundshme dhe i turizmit, si burimet kryesore të të ardhurave, janë në stanjacion, firmat dhe buxhetet familjare shtrëngojnë rripin çdo ditë e më shumë. Fajin për këtë, beson elektorati bullgar, e ka koalicioni i deritanishëm qeveritar me në krye kryeministrin socialist Sergei Stanishev, prandaj ai duhet të kalojë në opozitë.

Borisov profilohet me deklarata proevropiane dhe vlera konservative si politikan i rendit dhe i ligjit

Fituesi i madh është, ashtu siç pritej, Bojko Borisov. Gjenerali në rezervë dhe kryebashkiaku i Sofjes është figura me më shumë fytyra në politikën bullgare. Ish-zjarrfikësi, ish-truproja dhe ish-shefi i policisë, për të cilin thonë se ka lidhje disavjeçare me botën bullgare të krimit, arriti për një kohë të shkurtër të formojë partinë e qendrës së djathtë, GERB (Qytetarë për një zhvillim evropian të Bullgarisë), dhe të fitojë zgjedhjet evropiane. Borisov profilohet si një politikan i rendit dhe i ligjit, i cili popullaritetin e tij e zbukuron me mjeshtëri me deklarata proevropiane dhe me vlera konservative pa humbur me këtë rast imazhin e tij si personalitet i dashur në përgjithësi. Në rrafshin evropian ai është një populist i moderuar, i cili gëzon mbështetjen e partive popullore evropiane në Bruksel dhe Strasburg. Për dallim nga parullat nacionaliste dhe ksenofobe të partisë Ataka, e cila sërish arriti të futet në parlamentin bullgar, Borisov konsiderohet më shumë si njeri pajtues, i cili dëshiron të tejkalojë tensionet politike dhe etnike në vend. Megjithatë ky fakt nuk e ka penguar atë që të zhvillojë një fushatë të rëndë zgjedhore kundër ish-komunistëve socialistë dhe kundër partisë së pakicës turke.

Emëruesi i përbashkët i zgjedhjeve parlamentare në Bullgari: largimi nga pushteti i ish-komunistëve socialistë dhe i partisë së pakicës turke

Shumica e zgjedhësve donin t'i dërgonin në opozitë socialistët dhe 'turqit'. Kjo për faktin se sidomos kryetari i partisë turke, Ahmed Dogan, pati shkaktuar shumë indinjatë tek elektorati bullgar me deklaratat e tij politike pjesërisht arrogante. Pikërisht qëllimi që të heqin qafe socialistët dhe Doganin, i shtyu partitë e vogla qytetare që të formojnë të ashtuquajturin 'Koalicioni i Kaltërt' dhe të mbështesin Borisovin dhe partinë e tij. Me rreth 7 % të votave të fituara pritet që kjo parti të futet në koalicion si partnere e re e qeverisë së ardhshme bullgare. Në të vërtetë ky do të jetë një veprim jo aq i dëshiruar nga shumë zgjedhës të këtij koalicioni. Kjo për faktin se Borisov konsiderohet nga ata si një figurë e turbullt dhe e paparashikueshme, e cila është e orientuar më shumë nga prezantimi i vetvetes se sa nga puna serioze politike.

A është në gjendje një vend me 7,6 milionë banorë si Bullgaria të ofrojë një potencial të pafund njerëzor dhe të përballojë një fillim të ri?

Kjo frikë mund të pakësohet vetëm nga përbërja e kabinetit të ardhshëm qeveritar të Borisovit. Bëhet fjalë këtu për ekspertë të panjohur dhe të pakonsumuar politikisht, të cilët vijnë pjesërisht nga ekonomia e pjesërisht nga administrata dhe organet e sigurisë. Vëzhguesit politikë në Sofje tërheqin vëmendjen për faktin se kjo është hera e katërt, që elektorati bullgar vendos të zëvendësojë elitën qeveritare. Se a është në gjendje një vend me 7,6 milionë banorë të përballojë një fillim të ri dhe a ka Bullgaria një potencial të pafund njerëzor është çështje e diskutueshme. Një gjë është e sigurtë: në Sofje do të formohet një qeveri e qëndrueshme e qendrës së djathtë, e cila do t'i qëndrojë besnike kursit evropian dhe të paktën do të jetë një qeveri që premton evitimin e kaosit politik në këtë kohë krizash.

Autor: Aleksander Andrejev/ Esat Ahmeti
Redaktor: Pandeli Pani

  • Data 06.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ihuk
  • Data 06.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Ihuk