1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti votoi rrëzimin e qeverisë Thaçi

3 Nëntor 2010

Në Kosovë rrezohet qeveria, shpërndahet parlamenti dhe shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, që do të mbahen me 12 dhjetor të këtij viti.

https://p.dw.com/p/PwzO
Kryeministri Hashim Thaci para parlamentit, 2 nëntor 2010Fotografi: dpa

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, menjëherë pasi kuvendi i Kosovës i mori besimin qeverisë së udhëhequr nga Hashim Thaci, shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhjet e jashtëzakonshme. Sipas tij ato do të mbahen më 12 dhjetor të këtij viti.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme në Republikën e Kosovës mbahen me 12 dhjetor 2010. Ngarkohet komisioni qëndror i zgjedhjeve të Republikës së Kosovës t'i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve për kuvendin e Kosovës në përputhje me këtë vendim dhe ligjin në fuqi”, tha Jakup Krasniqi.

Kryeministri i Kosovës në dorëheqje, Hashim Thaci, nga ana e tij thotë se rrëzimi i qeverisë së tij në parlamentin e Kosovës shënon një fillim të ri në shtetin e Kosovës.

“Unë do t'i kryej të gjitha obligimet e mia si qeveri në dorëheqje, obligimet e mia kushtetuese dhe ligjore, do të vazhdoj t'u shërbej të gjithë qytetarëve të vendit edhe në këtë proces deri në organizimin dhe përmbylljen e zgjedhjeve të reja, të lira, transparente dhe demokratike”, tha kryeministri Thaçi.

Mocioni u votua edhe nga anëtarë të PDK

Kosovo-Regierung gestürzt - Wahlen im Dezember
Shpërndahet parlamentiFotografi: dpa

Votimi i mocionit për rrëzimin e qeverisë Thaçi u bë i mundur me votat e Partisë Demokratike të zotit Thaçi. Kjo parti akuzoi Lidhjen Demokratike të Kosovës si shkaktare të krizës institucionale. Mirëpo Ismet Beqiri, kryetar i grupit parlamentar të LDK-së, thotë se ky konstatim nuk është i qëndrueshëm.

“Eshtë një marëveshje e heshtur e atyre, që e ngritën mocionin dhe atyre, që e votuan. Thënë shkurt arsyetimi që LDK është shkaktare e krizës institucionale është i paqëndrueshëm dhe ne natyrisht që nuk mund të pranojmë diçka, që është e paqëndrueshme”, thotë Ismet Beqiri.

Qeveria Thaçi kritikohet nga AAK

Kritike ndaj nismëtarëve të mocionit për rrëzimin e qeverisë Thaci dhe atyre, që e mbështetën mocionin, ishte edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ahmet Isufi, është nënkryetar i kësaj partie.

“Rënie me skandaloze të qeverisë nuk ka pasur ndonjëherë dhe Kosova nuk e ka merituar një rënie të tillë, sepse është qeveria e parë pas shpalljes së pavarësisë dhe ky është një mesazh i keq për qytetarët e Kosovës”, thotë Ahmet Isufi. Koalicioni qeverisës ndërmjet rivalëve të vjetër Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pasoi zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të vitit 2007. Marrëveshja për bashkëqeverisje u arrit në janar të vitit 2008, ndërsa një muaj më vonë në shkurt të vitit 2008 Kosova shpalli pavarësinë. Zgjedhjet lokale të vitit 2009 shënuan një periudhë përplasjesh ndërmjet partnerëve të koalicionit, që kulmuan me tërheqjen e Lidhjes Demokratike nga ky koalicion një javë më parë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Angjelina Verbica