1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Parlamenti turk i jep dritën jeshile ndërhyrjes ushtarake në Siri dhe Irak

Parlamenti turk miratoi një rezolutë e cila mundëson ndërhyrjen ushtarake në vendet fqinje - Siri dhe Irak. Kur do të pasojë kjo ndërhyrje dhe a do të bëhet vonë për kurdët në Kobane?

Parlamenti turk

Parlamenti turk

Deputetët në Ankara i kanë dhënë dritën jeshile qeverisë konservatore për ndërhyrje ushtarake të forcave turke në këto dy vende fqinje. Deputetët e kanë lejuar edhe ndërhyrjen e ushtarëve të vendeve të tjera nga territori i Turqisë në luftën kundër njësive të grupit terrorist "Shteti Islamik" (IS). SHBA kanë një bazë ushtarake në Incirlik në jug të Turqisë. Për këtë rezolutë kanë votuar 298 deputetë, ndërsa kundër ishin 98. Kundërshtimin e këktij mandati para votimit kishin paralajmëruar partia e madhe opozitare socialdemokrate CHP si dhe një parti më e vogël pro - kurde HDP.

Erdogani ndryshon kursin

Në këtë mënyrë presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe qeveria e tij e kanë ndryshuar politikën e deritanishme sa i përket "Shtetit Islamik". Deri tani Turqia ka qenë më e matur dhe më e përmbajtur ndaj milicëve të IS. Për dallim prej shumë vendeve perëndimore, Ankaraja iu shmang për një kohë të gjatë cilësimit si organizatë terroriste të IS. Turqia është kritikuar edhe si një vend tranzit i luftëtarëve të huaj të cilët përmes Turqisë kanë shkuar në Siri dhe Irak, në radhët e IS, me qëllim rrëzimin e regjimit të presidentit Baschar al-Assad. Erdogani ka theksuar edhe të mërkurën (01.10) se Assadi duhet të largohet nga pushteti.

Recep Taip Erdogan

Recep Taip Erdogan

Ende nuk është e qartë se si do të realizohet nga qeveria turke kjo rezolutë dhe nëse në Siri e Irak do të dërgohen trupa tokësore turke në luftën kundër organizatave terroriste. Pak para votimit në Parlament, ministri i Mbrojtjes Ismet Yilmaz sipas agjencisë së lajmeve Anadolu, ka deklaruar para gazetarëve: "Mos prisni veprimin e menjëhershëm pas miratimit të rezolutës me të cilën jepet drita jeshile."

Luftëtarët e IS po përparojnë

Me sulmet e njësive të IS në Kobane në veri të Sirisë, luftimet janë afruar fare pranë kufirit me Turqinë. Gjendja në këtë qytet kurd (në arabisht quhet: Ain al-Arab) ka përshkallëzuar shumë. Ekstremistët e IS kanë ardhur deri në disa qindra metra nga qyteti. Në disa zona periferike janë zhvilluar luftime të rrepta mes ekstremistëve të IS dhe policëve kurdë, njoftojnë organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Qyteti është rrethuar nga tri anë. Deri tani nuk ka të dhëna për të vdekur dhe të plagosur.

Mijëra civilë në qytet

Gjendje shumë e rëndë në Kobane

Gjendje shumë e rëndë në Kobane

Avionët luftarakë amerikanë dhe ata të partnerëve arabë i kanë bombarduar sërish objektivat e IS në jug dhe në lindje të qytetit Kobane, thuhet në portalin e internetit Welati. Sulmet ajrore deri tani nuk kanë mundur ta ndalin përparimin e njësive të IS, thotë zëvendësministri i Jashtëm i rajonit kurdë në Kobane, Idris Nassan, në një intervistë me agjencinë Reuters.

Ekstremistët e IS po përpiqen prej shumë ditësh që të marrin këtë qytet në kufi me Turqinë. Shefi i vetëshpallur i qeverisë rajonale në Kobane, Anwar Muslim, pohon se në afërsi të qytetit janë mbledhur 5000 - 6000 lufëtarë kurdë, të cilët po luftojnë kundër xhihadistëve. Sipas tij, në qytet kanë mbetur edhe disa mijëra civilë.

DW.COM