1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Parlamenti i Ukrainës miraton marrëveshjen ushtarake me Rusinë

Një marrëveshje e diskutueshme ushtarake dhe energjitike ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës u miratua të martën (27.4.) nga parlamentet e të dyja vendeve. Ajo zgjat stacionimin e flotës ruse në Detin e Zi për së paku 25 vjet.

Flota e Detit të Zi - të paktën edhe 25 vjet në Krime

Flota e Detit të Zi - të paktën edhe 25 vjet në Krime

30 miliardë euro zbritje të çmimit të gazit rus për dhjetë vjet

Të kujtonte pak skenat jo të bukura nga një stadium futbolli – në parlamentin ukrainas u ndezën bombat me tym – flamuri ukrainas mbulonte ndenjëset e parlamentareve të bllokut të Julia Timoschenkos. Kryetarit të Parlamentit Litwin iu desh të mbrohej me çadër nga vezët, që i hidhnin opozitarët. Biles disa edhe u rrahën me njëri-tjetrin. Por në fund koalicioni qeverisës i Presidentit Janukoviç e kaloi provën e parë të vështirë. Marrëveshja për flotën ruse në Detin e Zi u ratifikua. Flota ka të drejtë të qëndrojë e stacionuar në gadishullin e Krimesë deri në vitin 2042. Si kompensim Kievi mori nga Moska afro 30 miliardë euro zbritje të çmimit të gazit rus për dhjetë vjet.

Në mes të debateve dhe grindjeve kryetari i parlamentit Litwin bëri të ditur rezultatin e votimit.

"Pro votuan 236, vendimi është miratuar."

Kështu votuan dhjetë deputetë më shumë, se ç'ishte e nevojshme për ratifikimin e marrëveshjes për flotën e Detit të Zi. Opozita kishte deklaruar më parë se do ta kundërshtonte fort vendimin. Kryeministrja e mëparshme Timoshenko madje kishte kërcënuar, se në rast nevoje do ta bllokonte parlamentin, por deputetët e Janukoviçit dolën më të shpejtë. Ata kontrolluan hyrjet e parlamentit, me qëllim që të gjithë deputetët të mund të qëndronin në seancë.

Ukraina është e përçarë në çështjen e flotës së Detit të Zi

Vadim Kolesniçenko i Partisë qeveritare të Rajoneve duke mbrojtur ratifikimin e marrëveshjes së diskutueshme, u shpreh:

"Në çështjen e flotës së Detit të Zi nuk bëhet fjalë vetëm për afro 30 miliardë euro, nga të cilat përfiton ekonomia ukrainase. Fjala është edhe për jetesën e 23.000 familjeve në Sevastopol dhe investimet miliardëshe në këtë qytet. Flota e Detit të Zi do të thotë për Sevastopolin stabilitet, para dhe mbrojtje të njerëzve."

Opozitën ai e akuzoi për sjellje jopatriotike dhe egoiste. Por Ukraina është e përçarë në çështjen e flotës së Detit të Zi. Kundërshtarët e shohin si shitje të interesave ukrainase dhe shtim të influencës së fqinjit të fuqishëm Rusisë. Presidenti e mëparshëm Jushçenko u kishte bërë thirrje qytetarëve të vendit, që më mirë të ngrohnin me kashtë, se sa të pranonin kolonizimin 25 vjeçar të vendit për hir të gazit të lirë rus. Deputeti i partisë së tij Ukraina Jonë, Jurij Karmasin, u shpreh:

"Në këtë mënyrë bëhen përpjekje që të dhunohet jo vetëm parlamenti, por i gjithë populli ukrainas, i gjithë territori ukrainas, secili ukrainas, pavarësisht se çfarë gjuhe flet. Ju bëj thirrje, që të ndaleni, të dalloni se ku është kufiri"

Mijëra demonstruan para parlamentit në Kiev kundër ratifikimit. Julia Timoschenko deklaroi, se do ta anullojë përsëri marrëveshjen, nëse vjen përsëri në pushtet. Disi i çuditur për kundërshtimin e saj të prerë u shpreh kryeministri rus Putin, i cili paradite mbrojti në Kiev marrëveshjen.

"Askush, as zonja Timoschenko, në bisedimet me mua nuk ka qenë kundër që të bisedohet për zgjatjen e stacionimit të flotës së Detit të Zi. Bëhej gjithnjë fjalë çështjen e çmimit. Dhe ai është deri diku i shtrenjtë. Kaq shumë nuk kushton asnjë bazë ushtarake në botë."

Gati në të njëjtën kohë sot paradite marrëveshja u ratifikua edhe në Dumën ruse, me shumicën e deputetëve dhe pa trazira.

Autor: Stefan Laack/ Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 28.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N8Rz
  • Data 28.04.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/N8Rz