1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Parlamenti i Serbisë miratoi strategjinë për Kosovën

Parlamenti i Serbisë debatoi të hënën (26.07) për rrethanat aktuale pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Dretjësisë (GJND) për legjitimitetin e pavarësisë së Kosovës.

Salla plenare e Parlamentit të Serbisë në Beograd

Salla plenare e Parlamentit të Serbisë në Beograd

Ministri i Jashtëm serb Vuk Jeremiq deklaroi në Parlament se, sipas të dhënave të tyre, aktualisht rreth 55 vende të ndryshme "janë shumë afër" njohjes së pavarësisë së Kosovës. Qeveria serbe po bën përpjekje që të ngadalësojë dhe ta ndalojë këtë proces. Qëllimi tjetër është arritja e një shumice të duhur për mbështejen e idesë së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së për miratimin e një rezolute, me të cilën do të hapej rruga për gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi për statusin përfundimtar të Kosovës, theksoi Jeremiq. Sipas tij vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, që konstatoi se pavarësia e Kosovës nuk është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, është një vendim i rëndë për Serbinë. Por edhe tani duhet ruajtur paqja dhe qetësia, tha Jeremiq.

Udhëheqësi i ekipit juridik të Serbisë në GJND, Dushan Batakoviq shpjegoi në Parlament se vendimi i fundit paraqet një disfatë juridike të Serbisë. "Por nuk janë mbyllur të gjitha dyert për aksione të tjera diplomatike. Procesi në Hagë ka qenë i rëndësishëm, sepse është ndërprerë vala e njohjeve të pavarësisë së Kosovës", theksoi Batakoviq.

Opozita serbe është e mendimit se ministri i Jashtëm Vuk Jeremiq duhet të japë dorëheqjen për shkak të dështimit të politikës serbe ndaj Kosovës.

Opozia kërkon dorëheqjen e Jeremiqit

Përfaqësuesit e radikalëve dhe të demokratëve serbë të ish-kryeministrit Vojisllav Koshtunica kanë kërkuar dorëheqjen edhe të qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja. Ata kërkuan prej presidentit Boris Tadiq të shpjegojë se çfarë marrëveshjesh janë arritur me Bashkimin Evropian për rezolutën e mundëshme që do të paraqitet në OKB. Ministri i Jashtëm Jeremiq u përgjigj se Serbia po ndërmerr të gjithë hapat që i mundësojnë pranimin e kërkesave të saj në Asamblenë e Përgjithshme. Ai bëri të ditur se Serbia do të paraqes një rezolutë me të cilën kërkohen negociata të reja që nuk janë në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë.

Çanak: Kosova është humbur para 11 vitesh

Lideri i socialdemokratëve të Vojvodinës, Nenad Çanak u shpreh se Kosova është humbur para 11 viteve. Mendim të ngjashëm ka shprehur edhe lideri i liberalëve Çedomir Jovanoviq i cili nga qeveria kërkon që të pranojë realitetin në Kosovë dhe të ketë kujdes për të drejtat e serbëve atje.

Tadiq: vendimi i GJND-së grusht i rëndë për Serbinë

Lideri i socialistëve Ivica Daçiq u shpreh se Serbia duhet të mbrojë interesat e veta me të gjitha mjetet, por duhet pasur kujdes që vendi të mos izolohet. Në seancë morën pjesë edhe presidenti i Serbisë Boris Tadiq dhe kryeministri Mirko Cvetkoviq.

Presidenti Tadiq tha se vendimi i GJND-së ishte një grusht i rëndë për Serbinë, por ajo nuk duhet t'i prishë raportet me vendet kryesore në botë.

Pas një debati që zgjati më shumë se 11 orë u miratua me disa ndryshime propozimi i qeverisë për vazhdimin e luftës diplomatike dhe politike për Kosovën. Kundër ishin vetëm liberalët dhe demokratët e Koshtunicës. Partitë tjera i mbështetën planet e qeverisë serbe.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

  • Data 27.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OV9q
  • Data 27.07.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/OV9q