1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Parlamenti i Serbisë miratoi marrëveshjen me Kosovën

Pavarësisht kritikave nga qarqe të ndryshme Beogradi ka miratuar marrëveshjen me Kosovën. Kryeministri Daçiq i kujtoi parlamentit serb se bëhet fjalë për ruajtjen e Serbisë.

Pas Kosovës edhe Serbia e ka miratuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve të tensionuara mes dy vendeve. Pas një debati disa orësh, pjesërisht të nxehtë parlamenti serb në Beograd, të premten vonë (26.04) me shumicë votash miratoi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. 173 deputetë votuan për marrëveshjen me Kosovën, 24 votuan kundër. Gazetat serbe të shtunën i kanë kushtuar vëmendje kryesisht deklaratës së kryeministrit Ivica Daçiq se në parim bëhet fjalë për çështjen e ruajtjes dhe të ardhmes së Serbisë.

Para deputetëve Daçiq theksoi se me këtë marrëveshje nuk do të njihet pavarësia e ish-provincës serbe të Kosovës. Marrëveshja nuk përbën një kapitullim: "Këtu nuk nuk ka fituar askush dhe askush nuk ka humbur." Beogradi vazhdon ta konsiderojë Kosovën e pavarur që nga viti 2008 ende si pjesë të terriitorit të Serbisë.

Pas dekadash grindjesh dhe përleshjeve të përgjakshme, Serbia dhe Kosova ranë dakord më 19 Prill për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre. Krerët e shteteve dhe qeverive të BE-së do të vendosin në fund të qershorit për fillimin e negociatave me Serbinë për anëtarësimin e saj në BE ndërsa me Kosovën për marëveshjen e asociim-stablizimit. Deri atëherë, ministrat e Jashtëm duhet të raportojnë për normalizimin e marrëdhënieve.