1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Parlamenti i ri: mbi gjysma deputetë për herë të parë

Në legjislaturën e re të parlamentit që pritet të hapet në fillim të shtatorit është dyfishuar numri i grave. Në këtë parlament 76 nga 140 deputetë marrin për herë të parë mandatin. Mazhoranca ka 74 mandate, opozita 66.

Parlamenti i Shqipërisë ka shumë deputetë me mandat të parë. Ne foto: Ndertesa nga jashte e Parlamentit te Shqipërisë

Parlamenti i Shqipërisë ka shumë deputetë me mandat të parë

Ripërtëritja në një masë rreth 55 përqind e deputetëve

Parlamenti i ri i pas zgjedhjeve të 28 qershorit është më i rinovuari se parlamentet pararendës. Nga 140 vendet e tij, 76 ulen për herë të parë, plus 4 deputetë të cilët i janë rikthyer sallës së parlamentit pas një pauze prej 1 ose disa legjislaturash. Pra ajo që bie menjëherë në sy legjislativit që prodhoi 28 qershori është ripërtëritja në një masë rreth 55 përqind e deputetëve.

Analisti politik, Agim Isaku e shikon këtë tregues me një sy kritik.

Shumë gra deputete, por a janë më përfaqësueset?

“Asnjë rinovim i parlamentit nuk mund të shkojë më shumë se 50 përqind. Në këtë rast ne e kemi rreth 55 përqind. Rinovimi i thellë ndodh kur përmbyset rregjimi. Kjo tek ne nuk ka ndodhur pasi vazhdon rregjimi demokratik. Normalisht do të ishte 20 deri në 30 përqind e rinovuar dhe jo 55 sa është tani. Kjo do të krijojë një çoroditje të Parlamentit, veçanërisht në sesionin e parë të tij”.

Agim Isaku duke folur për DW e ka përshëndetur numrin e lartë të grave parlamentare, që në këtë legjislaturë kanë arritur në 21 nga 10 që ishin në parlamentin që doli nga zgjedhjet e katër viteve më parë. Por ai shikon gjithsesi mangësi në përzgjedhjen e kandidaturave, që nuk janë bërë sipas kontributeve në jetën politike a publike, por në shumicën e rasteve nga preferencat personale të drejtuesve të partive.

Në radhët e deputetëve do të ketë më shumë juristë

Duke “lexuar” përmbajtjen e parlamentit të ardhshëm, analisti tjetër i politikës, Sami Neza, nxjerr në pah, faktin se në radhët e deputetëve do të ketë më shumë juristë, më shumë përfaqësues të spikatur nga drejtësia. Por nuk do të mungojnë dhe nga sektori i ekonomisë, financave, në përgjithësi njerëz me aftësi menaxheriale në sektorët ku punojnë. Kjo do të ndikojë, sipas Nezës në bërjen e një debati më profesional në komisionet parlamentare apo në seancat plenare. Sami Neza thotë për DW se parashikon një produkt më cilësor nga parlamenti i ri.

Raporti mazhorancë – opozitë : 74 deputetë për mazhorancën dhe 66 për opozitën

“Nga pikëpamja e produktit të parlamentit, kam parasysh ligjet, vendimet, nismat të ndryshme nga ekonomia, arsimi jeta sociale etj., do të ketë më shumë përmbajtje. Besoj se nuk do të jetë siç ka qënë më përpara, që do të kemi thjesht debate politike, por diskutime edhe për çështje të ndryshme të zhvillimit të vendit, të prioriteteve etj”.

Por në opinion po përcillet me një kurreshtje të veçantë dhe raporti i numrave mazhorancë – opozitë, që të paktën për momentin ka diferencën 74 deputetë për mazhorancën dhe 66 për opozitën. Kjo është më e ngushta krahasuar me parlamentet pararendës.

Mungesa e numrave të mëson të bisedosh me kundërshtarin

Analisti i njohur politik, Agim Isaku mendon se ajo që shfaqet aktualisht si brishtësi në jetën parlamentare do të kthehet në forcë në vijim të punës.

“Mungesa e numrave të mëson të bësh kompromis. Të mëson të ulesh me kundërshtarin, të bashkëjetosh me të ndryshmin . Unë jam i gëzuar në planin e analizës politike që nuk kemi një parti si dikur me 100 deputetë, a me 80 deputetë që kishte një sjellje prepotente me kundërshtarin. Mazhoranca aktualisht ka një “agjent ideologjik” të një krahu kundërshtar me të cilin është detyruar të bashkëpunojë, të rishikojë programet, të koordinojë programet etj.”

Kurse Sami Neza nga ky raport i ngushtë i votave nuk shikon ndonjë rrezik për qeverisjen e ardhshme të vendit. Siç thotë ai ky problem quhet i mbyllur qysh ditën kur votohet kabineti i ri dhe arrin të marrë të paktën 71 deputetë të mundshëm. Sami Neza kujton në arsyetimin e tij ndryshimet kushtetutese që u miratuan në prill të këtij viti, të cilat sipas tij, kanë favorizuar qëndrueshmëri qeverisjeje.

'Qeveria nuk rrezikohet nga numri i deputetëve'

“Mund të mos ketë herë pas here një numër të madh deputetësh që për të kaluar ligje të ndryshme, por nuk do të ketë asnjëherë një numër të caktuar deputetësh për ta rrëzuar këtë qeveri. Për shkak se nuk është e domosdoshme që qeveria të sigurojë 71deputetë për të vazhduar punë, por ata që kërkojnë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë duhet të kenë siguruar 71 deputetë. Kuptohet se sa e vështirë do të jetë në një parlament në Shqipëri për të siguruar këtë numër deputetësh për të rrëzuar qeverinë”.

Për nismat ligjore që kërkojnë shumicë të cilësuar votash, Sami Neza mendon se siç ka ndodhur dhe në parlamentin e legjislaturës së kaluar do të gjendet kompromis e do të arrihet konsensus mes mazhorancës dhe opozitës. Partitë kryesore janë konstante në shprehjen e gatishmërisë pro reformave thelbësore, ndaj për këtë nuk do të qëndrojnë vetëm në kuadër të fjalëve.

Autor: Arben Muka/ Tiranë

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 29.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IzdC
  • Data 29.07.2009
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/IzdC