1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti i Evropës diskuton për mbylljen e centralëve atomikë

7 Prill 2011

Deputetë të partive të ndryshme kërkuan mbylljen e centraleve atomike që nuk plotësojnë standardet e sigurisë.

https://p.dw.com/p/10p3p
Protestë kundër energjisë atomike
Protestë kundër energjisë atomikeFotografi: picture alliance/dpa

Pas katastrofës në Fukushima edhe në radhët e BE-së po shtohen zërat për mbylljen e centraleve atomike që mund të jenë të rrezikshme. Gjatë ditës së sotme (07.04) pritet të merret një vendim për një moratorium për ndërtimin e centraleve të reja atomike si dhe kërkesa që centralet atomike, që nuk do të plotësojnë standardet, të mbyllen.

Sidomos përfaqësues të ekologjistëve dhe të partive të majta kërkuan me forcë heqjen dorë prej energjisë atomike. Eurodeputetja socialiste Marita Ulvskog tha se dëmet prej rrezatimit atomik nuk njohin kufij dhe përbëjnë rrezik për breza të tërë. Eurodeputetja gjermane e partisë E Majta Sabine Wils kërkoi një "skenar evropian për heqjen dorë nga energjia bërthamore". Edhe demokristiania holandeze Corien Wortmann-Kool kërkoi që shtetet anëtare të BE të veprojnë menjëherë dhe t'i mbyllin përkohësisht apo përfundimisht centralet që nuk kalojnë testin e standardeve të sigurisë.

Shumë prej atyre që morën fjalën kritikuan faktin që testet për standardet e sigurisë do të bëhen prej Grupit Evropian për Rregullimin e Sigurisë Atomike (ENSREG) në të cilin bëjnë pjesë përfaqësues të agjencive kombëtare për energjinë atomike. Sipas deputetes gjermane, Rebecca Harms, e Partisë Ekologjike, këto agjenci kanë qenë ato që kanë toleruar për vite me radhë rreziqe nga më të lartat dhe që nuk pranojnë se vendimet e tyre kanë qenë të gabuara. Ajo dhe politikania liberale suedeze Lena Ek kërkuan që në testet për standardet e sigurisë së centraleve atomike të marrin pjesë edhe ekspertë të pavarur.

Komisari i BE për çështjet e energjisë Günther Oettinger tha se përgjegjësia për energjinë është kompetencë e shteteve anëtare, dhe ato duan të vazhdojnë ta mbajnë atë.

"Vendimi që çështja e energjisë bërthamore të kalojë në nivel evropian është për shkak të gjendjes aktuale ligjore jorealist" - tha Oettinger. Ai shtoi se shpreson se vendet anëtare do të marrin vullnetarisht masat e nevojshme, sipas përfundimeve që do të dalin prej testeve për standardet e sigurisë së centraleve atomike. Grupi i ekspertëve të ENSREG-ut do të mblidhet për të vendosur për katalogun e testit në maj dhe nga mesi i vitit pritet që 143 centralet atomike, që gjenden në BE, t'i nënshtrohen testit për standardet e sigurisë.

Kundër heqjes dorë prej energjisë atomike u shprehën sidomos deputetët konservatorë spanjollë dhe britanikë si dhe deputetë nga vendet evropianolindore.

Autor: Christoph Hasselbach / Pandeli Pani

Redaktoi: Elert Ajazaj