1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Parlamenti grek aprovoi planin afatmesëm të kursimeve të rrepta

Parlamenti grek aprovoi me 155 vota -154 te pozites socialiste dhe 1 te opozites se djathte- planin afatmesëm të kursimeve të rrepta.Sheshi para parlamentit u kthye në shesh beteje midis të revoltuarve dhe policisë.

Parlamenti grek aprovon planin e kursimeve

Parlamenti grek aprovon planin e kursimeve

Pas një diskutimi të stuhishëm triditor dhe ankthit të votimit të tij plani afatmesëm i kursimeve të rrepta prej 28 miliardë eurosh deri në vitin 2015 mori sot aprovimin nga parlamenti grek. Plani hap rrugën për livrimin e transhit të 5-të prej 12 miliardë eurosh, por edhe për kreditimin e mëtejshëm shumëvjeçar. Plani kaloi vetëm me 155 vota, nga te cilat 154 te pozitës socialiste dhe 1 të opozitës së djathtë. Vetëm një deputet socialist votoi kundër.

Përleshje të reja me policinë

Sot në ditën e dytë të grevës së përgjithshme sheshi u kthye sërish si dje në shesh beteje. Protestuesit përballë përdorimit masiv të lëndëve kimike dhe tymuese të policisë, por edhe vandalizmave të autonomëve me maska, pak para fillimit të votimit, u tërhoqën në pjesën e poshtme të sheshit. Policia, që sot dyfishoi kontigjentet e saj, akuzohet për “manovra te rrezikshme represive” kundër protestuesve.

Manifestime deri në darkë

Konfrontime të ashpra me dhjetra të plagosur, që u dërguan në spital, pati edhe sot paradite, kur të “revoltuarit” tentuan të pengojnë kalimin e deputetëve për në parlament. Qendra e Athinës vazhdon të mbetet e bllokuar në një distance të madhe përreth parlamentit të rrethuar edhe nga një gardh i hekurt. Sot pasdite mbahen dhe dy manifestime të tjera, manifestuesit e të cilave do të përfundojnë vonë në darkë para parlamentit.


Autor: Niko Anagnosti/ Athinë

Redaktoi: Auron Dodi