1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Parlamenti gjerman shikon me ndjenja të përziera drejt Kosovës

Debat në parlamentin gjerman për Kosovën

default

Parlamenti gjerman

Ministri gjerman i punëve të jashtme, Frank Valter Shtajnmajer, e kupton fare mirë gëzimin e kosovarëve për shtetin e tyre të ri, mbas kaq vitesh pritjeje dhe shtypjeje: Por edhe kosovarët duhet ta kuptojnë, që evropianët nuk mund të jenë aq euforikë ndaj këtij shteti, ashtu si kosovarët. Evropianët e shohin këtë shtet të ri me ndjenja të përziera, tha ministri gjerman në fjalën e mbajtur të mërkurën, 20 shkurt, në Bundestag: "Me shqetësim pamë djegjet e flamurit shqiptar në Mitrovicën e Veriut, demonstratat dhe gazin lotsjellës në Beograd. Kosovarët duhet të na kuptojnë edhe për faktin se për ne (evropianët) kufijtë në Evropë nuk duhet të kenë efekt ndarës", tha ai duke marrë si përgjigje nga deputetët edhe duartrokitjen e parë. Shtajnmajer kërkoi mbështetjen e parlamentarëve për Kosovën: "Duhet të përpiqemi së bashku me të gjitha forcat që të mbështesim Kosovën dhe njerzit e saj dhe të bëjmë më të mirën, që mundemi dhe me e mira eshte te ngremë nje shtet juridik e te implementojme vlerat demokratike, jo vetem në Kosovë por ne te gjithe Ballkanin", tha ai. Më parë, në mbledhjen e rregullt të kabinetit, qeveria gjermane kishte marrë vendim, për ta njohur Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Përveç të majtëve, të gjitha fraksionet e tjera e mbështesin pavarësinë e Kosovës. Folësit si nga radhët e unionit, socialdemokratëve, të gjelbërve dhe liberalëve shpjeguan situatën e vështirë dhe shkaqet që çuan deri tek lufta e Kosovës në vitet 90-të. Zëvendëskryetari i fraksionit të të Gjelbërve, Jyrgen Tritin tha se shkaku për rrëzimin e Jugosllavisë ishte nacionalizmi brutal dhe antinjerëzor i serbëve. Eksperti i liberalëve për politikë të jashtme, Verner Hojer (Werner Hoyer) theksoi se në Kosovë duhet të mbrohet pakica serbe.

Të majtët ishin të vetmit që mbajtën qendrimin proserb dhe prorus dhe akuzuan qeverinë gjermane për shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Norman Piç (Peach) theksoi se "po të ishte për të drejtën e vetëvendosjes, atëherë atë do ta kishin fituar edhe kurdët, baskët, katalunjët, korsët, abkazët dhe osetët". Të majtët kanë paralajmëruar se do të ankohen për këtë vendim deri në gjykatën kushtetuese.

Ndërkohë mbas njohjes së Kosovës nga ana e Gjermanisë Beogradi e tërhoqi ambasadorin e tij në Berlin. Por ambasada do të vazhdojë punën si zakonisht deri sa të merret një vendim tjetër, bëri të ditur ambasada serbe. Zëdhënësi i ministrisë së jashtme gjermane, Martin Jeger, nuk u tregua i sheqetësuar për këtë hap të Serbisë, dhe e quajti atë të zakonshëm në praktikat e diplomacisë.

  • Data 20.02.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DAgS
  • Data 20.02.2008
  • Autor Anila Shuka
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/DAgS