1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Parlamenti gjerman pritet të miratojë sot zgjatjen e mandatit të ushtarëve gjermanë në Kosovë

Grupet e koalicionit qeveritar, si dhe dy grupe opozitare, Liberalët dhe Të Gjelbrit sinjalizuan se do ta miratojnë zgjatjen e mandatit. Vetëm "E Majta" pritet të votojë kundër. Ajo u ankua edhe në Gjykatën Kushtetuese

Salla Plenare e Bundestagut

Salla Plenare e Bundestagut

E Majta (Die Linke) gjermane ka shtruar të mërkurën një padi pranë Gjykatës Kushtetuese me subjekt angazhimin e ushtrisë gjermane (Bundeswehr) në Kosovë. Këtë e bëri të ditur të mërkurën (04.06) kreytari i grupit parlamentar, Gregor Gizi (Gysi). "Mandati është bazuar në në një vendim të Bundestagut, i cili nga ana e tij mbështetej në rezolutën 1244, ku Kosova përshkruhet me hollësi si pjesë e territorit të Serbisë", argumentoi Gizi. Sipas tij, shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe njohja e saj nga ana e qeverisë ishte shkelje e rezolutës 1244 dhe e ndryshoi bazën ligjore për stacionimin e Kfor-it në Kosovë. Kjo sipas Gizit, kërkonte një përligjie të re, gjë që nuk ndodhi. Pra, që nga 17 shkurti e deri më 4 qershor, stacionimi i ushtarëve gjermanë në Kosovë ka qenë "thyerje e të drejtave të parlamentit gjerman". Prandaj edhe E Majta iu drejtua Gjykatës Kushtetuese.


Vetëm "E Majta" kundër zgjatjes së mandatit të ushtrisë gjermane në Kosovë


Të enjten (05.06.) Bundestagu pritet ta miratojë zgjatjen e mandatit. Këtë e miratuan të mërkurën (04.06) në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Jashtme përfaqësuesit e katër partive, si të dy partive të koalicionit qeveritar, unionistët (CDU/CSU) dhe socialdemokratët (SPD), ashtu edhe të dy opozitareve, liberalët (FDP) dhe "Të Gjelbrit" (Die Grünen). Një javë më parë qeveria gjermane e parashtroi kërkesën në parlamentin gjerman, ku vetë ministri i jashtëm Steinmeier dhe ai i mbrojtjes Franz Jozef Jung argumentuan domosdoshmërinë e pranisë së ushtarëve gjermanë në Kosovë, si në aspektin politik ashtu edhe në atë të sigurisë.


Sipas Gizit, kjo lutje e qeverisë ndaj parlamentarëve për të miratuar mandatin nuk e rregullon problemin, sepse shkaku i saj nuk është ndryshimi i gjendjes faktike, shkaktuar me pavarësimin e Kosovës më 17 shkurt të këtij viti, por skadimi i mandatit të miratuar një vit më parë. Gizi kërkon rimandatim të stacionimit nga ana e OKB-së, gjë që mund të bëhet vetëm me një rezolutë të re. Por meqë kjo nuk pritet të ndodhë, atëherë E majta kërkon tërheqjen e trupave. Kërkesa e saj parashtruar në Gjykatën Kushtetuese megjithatë pritet të trajtohet mbas disa muajsh.


"Kosova nuk është në gjendje të mbrojë pakicat"


Ndërsa nga njëra anë "E Majta" kërkon tërheqjen e trupave nga Kosova, nga ana tjetër, ajo kërkon ndalimin e dëbimeve të refugjatëve nga Gjermania në Kosovë, bëhet e ditur në një njoftim të publikuar të mërkurën nga Bundestagu. "Ajo që të bie në sy është se ky shtet i pavarur i Kosovës, nuk është as në gjendje dhe as i vullnetshëm të mbrojë pakicat e veta", tha ekspertja e "Së Majtës" për Ballkanin, Monika Knohe (Knoche).


Kërkesa do t'i parashtrohet më 19 qershor Bundestagut, për t'u trajtuar më vonë nga komisionet përkatëse, ai i brendshëm dhe i jashtëm. Kërkesa drejtuar qeverisë gjermane që të mos i dëbojë afro 38 mijë pjestarët e pakicave nga Kosova, që qendrojnë në Gjermani me status të parregullluar, ka më tepër karakter politik, pasi çështjet e refugjatëve janë në kompetencë të Landeve dhe jo të Federatës.

  • Data 05.06.2008
  • Autor Anila Shuka/ Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EDyZ
  • Data 05.06.2008
  • Autor Anila Shuka/ Berlin
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/EDyZ