1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu miraton shpëtimin e Spanjës

Matthias Bölinger/ Auron Dodi20 Korrik 2012

Spanja i kërkoi BE kredi për bankat e saj në vështirësi. Deputetëve gjermanë iu desh të kthehen nga pushimet, për të miratuar ndihmat. Megjithë rezervat, miliardat u miratuan.

https://p.dw.com/p/15bhk
Wolfgang Schäuble gjatë diskutimit për Spanjën
Wolfgang Schäuble gjatë diskutimit për SpanjënFotografi: dapd

Shpëtimi i bankave spanjolle është i diskutueshëm tek shumica e partive në Gjermani. Ministri i Financave, Schäuble i justifikoi masat e shpëtimit me skepticizmin e madh përballë shteteve të euros në tregjet financiare. "Pa i trembur në mënyrë ekstreme tregjet financiare, Spanja do të kishte (kështu) mundësinë për ta rimëkëmbur vetë sektorin e saj bankar."

Bankat do të marrin para

Gjithsej, në vitet e ardhshme bankat spanjolle do të kenë mundësinë të tërheqin rreth 100 miliardë euro. Pjesa e parë e parave, prej 30 miliardë eurosh do të vihet në dispozicion që para fundit të korrikut. Pjesa e Gjermanisë në paketën e përgjithshme është 29 miliardë euro, para që kërkojnë miratimin e Bundestagut. Me paratë për Spanjën, shtetet anëtare të BE vënë për herë të parë në dispozicion para, të cilat nuk shërbejnë për të mbështetur buxhetin e një vendi. Paratë do t'i vihen në dispozicion bankave spanjolle përmes Fondit të Stabilitetit Evropian (EFSF). Bankat spanjolle ndodhen në vështirësi, sepse për shkak të krizës së pasurive të patundshme ato kanë humbur shumë kredi. Pa kredi në plan afatshkurtër, shumë banka spanjolle mund të falimentojnë.

Meqenëse paratë nuk i merr qeveria, kreditë nuk mund të varen nga kontrolle për reforma strukturore dhe nga programe kursimi. Prandaj qe e diskutueshme për një kohë të gjatë ndihma për Spanjën edhe tek qeveria gjermane. Gjermania shprehu drojën se me këtë i hapej rruga ndihmave pa kundërshpërblim.

Për ta penguar këtë, paratë nuk do t'u paguhen drejtpërdrejt bankave spanjolle, por këto para duhet të tërhiqen nga Fondi shtetëror i Ristrikturimit të Bankave (FROB), i cili në këtë kuadër merr rolin e kredimarrësit përballë BE.

"Spanja bën lutjen, Spanja i merr paratë dhe është Spanja ajo që mban përgjegjësi si shtet", theksoi Schäuble.

"Gjermania është e gatshme të ndihmojë"

Me përpjekjet reformuese të qeverisë spanjolle Schäuble është i kënaqur.

"Spanja është në rrugë të mbarë, për t'u kthyer sërish tek situata solide financiare dhe në një ekonomi të aftë për konkurencë dhe rritje ekonomike", theksoi Schäuble.

"Spanja nuk është Greqia" tha Rainer Brüderle, kryetar i Grupit Parlamentar të partnerit liberal në koalicionin qeveritar.

Frank-Walter Steinmeier kërkon kontroll
Frank-Walter Steinmeier kërkon kontrollFotografi: picture-alliance/dpa

Paratë që do të rrjedhin tani janë të lidhura me kushte për bankat spanjolle. Nga ana e tyre bankat spanjolle duhet t'i paraqitin BE plane rimëkëmbjeje dhe të rrisin kapitalin vetjak. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate në opozitë kërkoi që zbatimi i kushteve të kontrollohet rreptësisht:

"Nuk duhet të ketë shpëtim bankash me çdo kusht. Ai që ka humbur rrugën në spekullime, ai duhet të largohet nga tregu", tha Steinmeier.