1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parlamenti gjerman debaton për KFOR-in

20 Maj 2010

Bundestagu debatoi të enjten për zgjatjen e mandatit të trupave gjermanë në kuadër KFOR-it. Përfaqësues të partive qeveritare, si dhe socialdemokratët e të gjelbrit, u shprehën për vazhdimin e misionit, të majtët jo.

https://p.dw.com/p/NTLo
Fotografi: picture alliance / dpa

Ministri gjerman i punëve të jashtme, Guido Westerwelle, kërkoi në fjalën e tij zgjatjen e mandatit me një vit: “Ky mandat, të cilin unë së bashku me ministrin e mbrojtjes po ia kërkoj sot këtij parlamenti, parashikon një reduktim të kufirit maksimal të forcave të Bundeswehr-it nga 3500 në 2500”, - tha Westerwelle dhe shtoi: “Ne jemi optimistë se së shpejti do të ketë edhe reduktime të tjera.”

Deutsch-Palästinensischer Lenkungsausschuss Guido Westerwelle
Ministri gjerman i punëve të jashtme, Guido Westerwelle.Fotografi: picture-alliance/dpa

“Bashkë hymë, bashkë do të dalim”

Gernot Erler, i cili e mori fjalën në emër të socialdemokratëve u shpreh pro zgjatjes së mandatit, por kërkoi nga dy ministrat që reduktimi i KFOR-it në Kosovë - aktualisht 10 mijë ushtarë – të mos ndodhë në mënyrë të parregullt: „Kam parasysh këtu paralajmërimin e francezëve për tërheqjen e gjithë kontingjentit në fazën e dytë të zvogëlimit të trupave. Në se kjo fillon e kthehet në garë, atëherë mund të jetë e rrezikshme për Kosovën”, tha politikani socialdemokrat.

KFOR Friedenstruppen Kosovo im März 2009
Ushtarë gjermanë të KFOR-itFotografi: AP

Për ministrin e mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg Kfori ka kaluar tani në plan të tretë, mbas Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe misionit të EULEX-it”. Zu Guttenberg tha se gradualisht po krijohen kushte për tërheqje të mëtejshme të trupave, por shtoi: “Për ne të gjithë vlen motoja: “together in, together out”, (bashkë hymë, bashkë do të dalim). Hapa të tjera unilateralë nuk na sjellin asnjë dobi dhe këtë sinjal ua kemi dhënë edhe partnerëve në kuadër të KFOR-it.”

Markus Bentler
Gjenerali Markus Bentler, komandant i KFOR-itFotografi: DW

Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten sfida

Pothuajse të gjithë folësit theksuan se problemi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një sfidë për Kosovën, ashtu si dhe gjendja e vështirë ekonomike me gjithë shifrat e rritjes prej 4-5 përqind në vit. Ministri i jashtëm Westerwelle iu referua takimit të tij të fundit me presidentin e Kosovës Fatmir Sejdiu dhe ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të Evropës në përballimin e sfidave dhe rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

Mbështetje për vazhdimin e mandatit, por kritikë për nënshkrimin e marrëveshjes së kthimit të refugjatëve (14.4.10) shkoi në adresë të qeverisë nga folësi i “Të Gjelbërve” Omid Noripur. Ndërsa folësi i „Së Majtës“ Paul Schaefer tha se KFOR-i nuk ka ç'kërkon më në Kosovë. Ai citoi komandantin e përgjithshëm të KFOR-it Markus Bentler të ketë thënë se sfidat kryesore që kanë mbetur në Kosovë nuk janë më të natyrës ushtarake. Schaefer tha se ky është një shkak për t'u tërhequr një orë e më parë nga Kosova: „Se përse u dashkan 10 mijë ushtarë të KFOR-it për të trajnuar Forcën e Sigurisë (gjithsej 2500 gra e burra), unë këtë nuk e kuptoj”, tha ai.

Karl-Theodor zu Guttenberg wird Nachfolger von Bundeswirtschaftsminister Michael Glos
Ministri i Mbrojtjes Karl-Theodor zu GuttenbergFotografi: AP

Zgjatja e mandatit të ushtarëve gjermanë në kuadër të Kforit ishte miratuar më parë nga kabineti gjerman. Në seancën e së enjtes u vendos që ajo të kalojë për diskutim në komisionet përkatëse parlamentare. Miratimi pritet të bëhet brenda javëve të ardhshme. Aktualisht në Kosovë ndodhen 1500 ushtarë gjermanë, kostot vjetore të angazhimit gjatë njëvjeçarit të ardhshëm pritet të kapin shumën prej 99 milionë euro.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Angjelina Verbica