1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Parlamenti Europian mbështet, inkurajon Shqipërinë në zgjedhje

Sipas europarlamentareve reagimi i forcave politike shqiptare pas zgjedhjeve mbetet shumë i rëndësishëm për fatin e tyre. Eurodeputeti Eduard Kukan tha se Parlamenti Europian mbështet, inkurajon Shqipërinë në zgjedhje.

default

Në foto, Eduard Kukan

Një delegacion ad-hoc i Parlamentit Europian ka mbërritur të shtunën në Tiranë për të qenë i pranishëm në procesin e votimeve parlamentare të 23 qershorit. Delegacioni që kryesohet nga eurodeputeti Eduard Kukan, kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Bosnjen dhe Hercegovinën, Malin e Zi dhe Kosovën, ka pasur një takim me Presidentin e Republikës Bujar Nishani.

Burime nga Presidenca citojnë z. Kukan të ketë dhënë garanci se "Parlamenti Europian, delegacioni i të cilit është politikisht shumë i balancuar mbështet, inkurajon dhe ndihmon në vijimësi Shqipërinë në këtë proces shumë të rëndësishëm elektoral". Por sipas tij faktori bazë mbetet ai shqiptar. Nisur nga rastet e mëparshme të qëndrimeve të acarura mes konkurrentëve politikë pas ditës së votimeve, kreu i delegacionit ad - hoc të PE ka vlerësuar si shumë të rëndësishme që "pas një fushate zgjedhore relativisht të qetë reagimi i forcave politike pas zgjedhjeve mbetet shumë i rëndësishëm për fatin e tyre".

Zgjedhjet të rëndësishme "jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin

Ekipi i eurodeputetëve do të jetë prezent në disa zona zgjedhore ditën e dielë, si dhe do të ketë kontakte me diplomatë të huaj të akredituar në Shqipëri, përfaqësues të ekipit të monitoruesve të OSBE-ODIHR-it, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve etj.

Një ditë para ditës së votimeve ekipi i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, kryesuar nga presidenti i saj kryesuar nga Wolfgang Grossruck në një takim me Presidentin Nishani, i përshkroi zgjedhjet si shumë të rëndësishme "jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për rajonin ku Shqipëria ka një rol të rëndësishëm në stabilitetin e tij".

Pak orë para hapjes së kutive të votimit Presidenti i Republikës ka drejtuar një apel për publikun, ku ka theksuar nevojën e pjesmarrjes masive. "Të votosh provon se di të jesh i përgjegjshëm për fatet e tua, di ta përdorësh lirinë, për vete dhe për të tjerët, për të tashmen dhe të ardhmen. Të mos votosh, është pasivitet i pafalshëm që nuk justifikohet nga asgjë", ka thënë Presidenti Bujar Nishani.