1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Parku Gezi sërish në duart e protestuesve

Presidenti dhe kryeministri turk kritikojnë sjelljen e policisë. Trazira dhe në qytete të tjera turke.

Qendra e Stambollit duket e shkretuar, stacione autobusësh dhe autobusë të shkatërruar, kudo në rrugë sheh xhama të thyer dhe shkurre. Rreth sheshit Taksim dhe Parkut Gezi ndihet ende në ajër gazi lotsjellës.

Pas përleshjeve mes protestuesve dhe policisë turke në rrugë sheh shkopinj, helmeta dhe këpucë policësh. Në lagjen Beshiktash kalojnë makina me flamurë dhe muzikë me zë të lartë. Një re tymi shtrihet kudo mbi Stamboll.

Kritika nga lart

Që në mëngjes kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan dha një deklaratë për sjelljen e policisë. Kishte pasur një gabim në përdorimin e gazit lotsjellës, tha kryeministri. Presidenti Abdullah Gül i quajti veprimet e policisë jo me vend dhe të shpërpjesëtuara.

Turkey's Prime Minister Tayyip Erdogan listens during a news conference after the opening session of the fifth United Nations Alliance of Civilizations (UNAOC) Forum in Vienna February 27, 2013. REUTERS/Heinz-Peter Bader (AUSTRIA - Tags: POLITICS)

Kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan

Parku Gezi sërish në duart e protestuesve

Pas shumë përpjekjesh protestuesit arritën sërish të hyjnë në Parkun Gezi që ishte nga e premtja në mëngjes nën kontrollin e pjesëtarëve të policisë të pajisur me shkopinj gome, gaz lotsjellës dhe pompa uji me presion. Rreth orës 15 policia nuk mundi ta prapësonte më turmën e protestuesve.

"Parku është vetëm një simbol për ne. Kur arritëm të rimarrim parkun, atëherë gjithashtu mund të rifitojmë çështje të tjera politike. Por ne, në qoftë se duhet, do të vazhdojmë të luftojmë, sepse besojmë se policia nuk do të ndalet." - thotë një protestues 33-vjeçar për Deutschen Welle-n. Një protestuese 60-vjeçare flet krenari për shoqërinë turke: "Kurrë nuk e kisha menduar se ky popull do bëjë një gjë kaq të mrekullueshme. Jam shumë e prekur."

Në park u mblodhën edhe përkrahës të partisë kurde BDP. Ata marshuan nëpër park duke thirrur disa herë me zë të lartë "Rroftë vëllazëria mes popujve të ndryshëm".

Parulla kundër Erdoganit

Kudo nëpër qytet protestuesit vizatojnë grafiti, që përmbajnë sidomos sharje kundër Erdogan. Po ashtu thuajse kudo lexon fjalën 'Revolucion'. Disa protestues vazhdojnë t'u turren makinave të thyera dhe autobusëve. Po ashtu ata qëllojnë vazhdimisht me shishe me gaz kundër ndërtesës së policisë së qytetit.

Trazira dhe në qytete të tjera turke

Në Ankara protestuesit dolën sot përsëri në rrugë për të protestuar kundër dhunës policore.Policia përsëriti procedurën e saj mizore. Në Parkun Güven në qendër kundër demonstruesve u përdor gaz lotsjellës dhe pompa me ujë me presion. Trazira të ngjashme pati edhe në qytete të tjera turke si Izmir, Adana, Antalia, Bursë, Eskisehir, Dyarbakir, Gaziantep, Ordu, Samsunit dhe Trabzon.