1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Parimisht hapje por edhe mbrojtje më e mirë e kufijve - Komisioni i BE-së do të ruajë sistemin Shengen

Komisioni i BE-së kërkon të nxjerrë mësime nga zënka e fundit për kontrollet në kufirin italo-francez. Komisioni kërkon të kalojë tek BE-ja kompetencën e shteteve të veçanta për pezullimin e lirisë së udhëtimit.

Shengen në rrezik?

Shengen në rrezik?

Komisionerja e BE-së për politikën e brendshme Cecilia Malmström, e sheh politikën e BE-së për azilin dhe migracionin para një sprove. Sipas komisioneres Evropa vërtet nuk ndodhet para një fluksi refugjatësh me "përmasa biblike", siç është shprehur ministri i Jashtëm italian Franco Frattini. Por Malmström është e vetëdijshme se frika nga flukset e pakontrolluara të imigrantëve është në rritje dhe po shfrytëzohet nga populistët e djathtë. Megjithatë shtimi i mbrojtjes së kufijve nuk mjafton, mendon ajo.

„Dokumenti i Komisionit të BE-së trajton gjerësisht çështjet e migracionit, pasi ato janë pjesë e problemit: nuk mund të ketë politikë vizash pa një sigurim efektiv të kufijve. Problemi i migracionit të paligjshëm nuk mund të zgjidhet nëse nuk kemi një politikë të arsyeshme kthimi dhe pranimi. Pa një politikë të drejtë dhe eficiente azili, nuk mund të ofrojmë mbrojtje ndërkombëtare. Migracioni i ligjshëm nuk mund të ketë sukses pa mbështetjen e integrimit."

Por BE është ende shumë larg objektivit për një politikë të njësuar azili dhe migracioni. Kohët e fundit madje duket se shtetet e veçanta kërkojnë t'i zgjidhin vetë problemet. Kur Italia pak javë më parë u dha dokumente qendrimi refugjatëve afrikanoveriorë, vendi fqinjë Franca, ndaloi në kufi trenat nga Italia për të ndalur imigrantët. Ndërkohë sipas marrëveshjesh Shengen kontrollet rutinë në kufi nuk parashikohen thuajse në të gjitha shtetet e BE-së. Sistemi Shengen nuk duhet në asnjë mënyrë të minohet, tha Malmström.

Komisionerja e BE-së për politikën e brendshme Cecilia Malmström.

Komisionerja e BE-së për politikën e brendshme Cecilia Malmström.

„Shengen është një arritje e mrekullueshme të cilën duhen ta mbrojmë. Ajo natyrisht mund të përmirësohet përmes një vlerësimi, praktikimi dhe zbatimi më të mirë. Ne do të shqyrtojmë mundësinë e futjes së një mekanizmi pezullimi. Por ai duhet të kushtëzohet nga rregulla të rrepta dhe të vëzhgohet në nivel evropian.“

Edhe deri tani një shtet anëtar mund të kryejë përkohësisht kontrolle në pjesë të caktuara kufiri, kur konsideron të rrezikuar rendin publik, për shembull për të penguar hyrjen e huliganëve të futbollit përpara një ndeshjeje të rëndësishme. Vendimi se kur është i rrezikuar rendi merret nga shteti përkatës. Nëse do të hynte në fuqi një mekanizëm i ri për pezullimin e Shengenit, Malmström kërkon që vendimi të merret në nivel evropian. Ndryshimi i rregullave të Shengenit duhej të miratohej nga këshilli i vendeve anëtare dhe nga parlamenti evropian. Një procedurë e tillë konsiderohet e gjatë dhe e komplikuar, pikërisht pasi sistemi Shengen është një pjesë qendrore e integrimit evropian.

Malmström kërkon vërtet edhe forcimin e ruajtjes së kufijve të jashtëm të BE-së. Por pikërisht në lidhje me refugjatët afrikanoveriorë për të është e rëndësishme një qëndrim në parim i hapur i Evropës:

„Kufij të sigurtë nuk do të thotë që ne ta kthejnë Evropën në një fortesë. Duhet të jetë gjithnjë e mundur që njerëzit të kërkojnë mbrojtje në BE. Ne gjithashtu duhet ta mbajmë të hapur BE-në për migracionin e punës, për të cilin kemi shumë nevojë. Migrantët japin një kontribut të rëndësishëm për ekonominë dhe kulturën evropiane. Ata krijojnë vende të reja pune, sjellin ide të reja dhe novacione. Ata kontribuojnë për mbylljen e boshllëqeve në tregun e punës, të cilat ne nuk i mbyllin dot vetë. Ata gjithashtu ndihmojnë të përballim sfidat e zhvillimit demografik të shoqërive tona."

Javën e ardhshme në Bruksel mblidhet një këshill i posaçëm i ministrave të brendshëm. Ministrat e vendeve të BE-së do të diskutojnë rreth ideve të komisioneres Malmström.

Autor: Christoph Hasselbach / Eliana Xhani

Redaktoi: Elert Ajazaj