1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Parashikohet rritje ekonomike e Gjermanisë edhe vitin e ardhshëm

Në ekspertizën e tyre për zhvillimin ekonomik të Gjermanisë, pesë anëtarët e Këshillit të ekspertëve,parashikojnë për këtë vit, si dhe vitin e ardhshëm një rritje më të fuqishme ekonomike, se sa parashikohet nga qeveria

Rritje ekonomike në Gjermani edhe mot. Foto simbol me shigjeta rritjeje me sfond flamurin gjerman

Rritje ekonomike në Gjermani edhe mot

E paaftë për konkurrencë ndërkombëtare, si dhe për të ndërmarrë reforma të thella? Para më pak se një dekade, Gjermania konsiderohej si i sëmuri i Evropës. Sot RFGJ paraqitet në formën e saj më të mirë. Rruga e saj për të dalë nga kriza shihet në të gjithë botën me admirim, sidomos zhvillimi krahasimisht stabil në tregun e punës. Këshilli i ekspertëve, një organ i cili e këshillon qeverinë gjermane, e konfirmon këtë tendencë pozitive zhvillimi. Me 3,7% do të rritet ekonomia këtë vit, vitin e ardhshëm do të kemi të bëjmë me 2,2 përqind. Me gjithë euforinë, thotë eksperti Christoph Schmidt nuk duhet harruar se në vitin e krizës 2009, ekonomia gjermane shënoi një rënie të thellë prej gati 5 përqind:

"Në fillim të vitit të kaluar pati vlerësimet e para serioze, se ne do të na duhet deri në vitin 2014, për të arritur sërish atë rendiment ekonomik, që patëm para krizës. Tani punët duken ndryshe. Tani ne ndodhemi në gjendjen e viteve 2006/2007 përsa i përket rendimentit ekonomik dhe do të na duhet deri në fund të vitit që vjen, për ta arritur gjendjen e periudhës para krizës."


Rritja ekonomike e brendshme - bazë për ekonominë gjermane

Për një mrekulli ekonomike, ekspertët nuk duan të flasin, megjithë lajmet pozitive. Aq më tepër kur në të gjithë botën ka shumë rreziqe e të papritura, të cilat mund ta asgjësojnë sërish rritjen ekonomike. Kjo vlen para së gjithash për krizën e monedhës evropiane dhe politikën monetare të SHBA. E rëndësishme para së gjithash është që ekonomia gjermane të bëhet më e pavarur nga eksportet. Te eksporti si nxitës i konjukturës, thotë eksperti i ekonomisë, Peter Bofinger, për shkak të kursit të kursimit të shteteve të BE, nuk mund të bazohesh më.

"Sepse vendet, të cilat na dhanë 10 vitet e fundit impulse masive, janë vende, të cilat kanë probleme masive të hyrjes në borxhe. Këto ishin vendet në Evropën Jugore, këta ishin amerikanët, ishte Irlanda, ishte Evropa Lindore. Dhe këto vende nuk mund t'i thellojnë tani edhe më tej borxhet. Modeli i dhjetë viteve të fundit, tani nuk funksionon më. Po të duam të kemi më tepër rritje ekonomike, rritja duhet të vijë prej brenda vendit."

Dhe kjo rritje vitin e ardhshëm nuk do të jetë edhe kaq modeste, siç thotë drejtuesi i Këshillit të Ekspertëve, Wolfgang Franz. Me një rritje pagash prej 2,8 përqind, qytetarët do të shpenzonin sërish më shumë para.


"Nga njëra anë kemi konsumin privat. Zhvillimi pozitiv në tregun e punës do t'u marrë konsumentëve një lloj frike nga pasiguria e vendit të punës. Së dyti kemi të bëjmë me veprimtarinë investuese. Ajo do të përforcohet për shkak të interesave bankare, të cilat janë në një nivel të ulët historik. Kjo do të thotë që rigjallërimi i kërkesës brenda vendit do të ndodhë në fakt vetvetiu."

Autor: Sabine Kinkartz/ Auron Dodi

Redaktoi: Eliana Xhani

  • Data 11.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Q5dz
  • Data 11.11.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/Q5dz