1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Parashikimet për vitin 2010 - rritje e moderuar, optimizëm i përmbajtur

9 Janar 2010

Cikli i biznesit do të jetë drejt përmirësimit, megjithëse me ritme të moderuara. Por çfarë do të thotë kjo për ekonominë dhe politikën gjermane?

https://p.dw.com/p/LPK1

Kush nuk do të donte të mësonte se çfarë i rezervon e ardhmja? Para së gjithash në kohëra të këqija. Atëherë do të donim të shihnim një rreze drite në horizont dhe të shpresonin që së shpejti do të bëhet më mirë. Kësaj shprese i shërbejnë në fillim të vitit edhe institutet e studimeve ekonomike me parashikimet e tyre.

Kryetari i lidhjes së sindikatave gjermane (DGB), Michael Sommer, pas përvojave të vitit të kaluar nuk i ka shumë qejf prognozat. Ai u beson pak parashikimeve aktuale për ciklin e biznesit, të cilat flasin për një rritje prej rreth 2% për vitin 2010.

Kryetari i DGB-së, Michael Sommer.
Kryetari i DGB-së, Michael Sommer.Fotografi: AP

Parashikimet e instituteve jo më të sigurta se lloteria?

"Unë kam vështirësi t'u besoj pasi parashikimet e instituteve për studime ekonomike para krizës dhe gjatë saj do t'i krahasoja me sigurinë e ofruar nga një lloteri."

Më shumë se teorive ekonomike, shefi i sindikatës Sommer, preferon t'u referohet raporteve të përvojës nga ndërmarrjet dhe këshillat e punonjësve.

"Ne e dimë se zhvillimi ekonomik nuk është aspak i njëtrajtshëm. Kemi degë të cilat vazhdojnë të gjenden në krizë të thellë dhe që shqetësohen thellë për ekzistencën e tyre. Ne e dimë se ka ndërmarrje të cilave punët u shkojnë vërtet mirë dhe degë të cilat janë në buzë të humnerës. Dhe kusht është që të gjitha supozimet që bëjmë tani për zhvillimin ekonomik të mbeten në një farë mase të qëndrueshme.“

2010 - Rritje e moderuar prej 2%

Por Sommer nuk është edhe aq larg supozimeve të studiuesve të ekonomisë. Edhe Christian Dreget nga Instituti Gjerman për Studime Ekonomike (DIW), shprehet tejet i rezervuar. Vërtet në fund të vitit 2009 u shënua një rritje e dukshme prodhimi me një rritje të koniunkturës prej 3%. Ky nivel megjithatë nuk do të ruhet, tendenca e rritjes për 2010 dhe 2011 është e moderuar me vetëm 2%. Koniunktura mbështetet nga një kërkesë e brendshme në rritje dhe me disa përjashtime, edhe nga eksporti.

Logo e institutit gjerman për studime ekonomike (DIW).

"Tek eksportet megjithatë do të kemi norma rritjeje më të ulëta se p.sh.në tregtinë botërore. Kjo për shkak se Gjermania është shumë e specializuar në produkte investimi dhe ato do të kërkohen nga ekonomia botërore vetëm me ngurrim. Kjo ka të bëjë edhe me faktin që Gjermania është e pranishme veçanërisht në ato rajone të ekonomisë botërore, të cilat tani po dalin ngadalë nga kriza. Këtu bën pjesë krahas eurozonës veçanërisht edhe Evropa Qendrore dhe Lindore."

Niveli para krizës do të arrihet vetëm në vitin 2014

Ky vlerësim përputhet me një anketim të shoqatës federale të industrisë gjermane (BDI). Sipas tij, ekonomia eksportuese gjatë 2010-s, do të rritet me vetëm 4% dhe është kështu shumë larg sukseseve të mëparshme. Me këtë ritëm, thuhet në BDI, niveli para krizës do të arrihet vetëm në vitin 2014. Kjo ka ndikime edhe në tregun e punës. Ekpertët presin një rritje deri në 4 milionë të numrit të të papunëve deri në vitin 2011. Gustav Horn, drejtor i Institutit për Makroekonomi dhe Studim të Koniunkturës në fondacionin Hans Böckler, kërkon që tani një paketë të re koniunkturore për të mbështetur ekonominë.

Eskperti i ekonomisë, Gustav A. Horn, nga Instituti për Makroekonomi dhe Studim të Koniunkturës, Fondacioni Hans Böckler.
Eskperti i ekonomisë, Gustav A. Horn, nga Instituti për Makroekonomi dhe Studim të Koniunkturës, Fondacioni Hans Böckler.Fotografi: AP

"Nuk duhet megjithatë të kemi një vazhdim të thjeshtë të paketës koniunkturore II, por një theks shumë më të fortë në shpezimet me karakter investues, në fushën e arsimit, atë të energjetikës dhe në infrastrukturë. Të gjitha këto investime publike, sipas mendimit tonë, duhet të mbahen të larta në periudhë të parashikueshme."

Ulja e barrës fiskale mjet i gabuar

Megjithatë Horn mbron edhe tezën se shteti duhet të verë nën kontroll sa më shpejt të jetë e mundur buxhetin e tij. Reduktimi i barrës fiskale është për këtë mjet i gabuar, mendon Horn, dhe të njëjtin mendim ka edhe eksperti i DIW-it, Dreger:

"Kuotat e vetëfinancimit që rezultojnë nga lehtësimi fiskal nuk janë aq të larta sa ndikimi mbi buxhet të ishte neutral. E njëjta gjë vlen nëse shihet ligji për përshpejtimin e rritjes ekonomike. Rritja, sipas mendimit tonë, nuk mund të përshpejtohet me këtë. Ajo çka përshpejtohet është rritja e borxheve."

Deri tani politika financiare dhe fiskale e koalicionit konservatoro-liberal nuk është vetëm pa objektiv dhe koncept, por edhe tejet e vështirë të realizohet.

Autor: Sabine Kinkartz / Eliana Xhani

Redaktoi: Esat Ahmeti