1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Parashikimet e ekonomisë gjermane për vitin 2017

Çfarë pret ekonomia gjermane në vitin 2017? Përgjigje vijnë nga Instituti i Ekonomisë Gjermane.

"Anija cisternë"- Ekonomia gjermane' vazhdon të lundrojë, të ecë me qetësi, pa e shtuar fuqinë dhe dinamikën, por edhe pa rrezikime", i thotë drejtori i FMN, Michael Hüther Deutsche Welles. Pamja e përgjithshme tregon një zhvillim solid. 28 nga 48 shoqatat e pyetura presin rritje të prodhimit vitin e ardhshëm - megjithatë vetëm tre presin një rritje të konsiderueshme. Tetë shoqata presin nga ana tjetër një rezultat më të keq.

Në "degët fitimtare" bën pjesë sërish industria e ndërtimit. "Këtu vërejmë që konjuktura e mbarë e ndërtimeve vazhdon, ndërtimi i banesave, por edhe ndërtimet publike vazhdojnë për shkak të financimit më të mirë të komunave", thotë Michael Hüther. Degë të ngjashme, si artizanati, përfitojnë nga kjo. Por bumi i ndërtimeve pasqyrohet edhe në degën e pasurive të paluajtshme që lulëzon, e cila mbahet nga zhvillimi i brendshëm ekonomik, thotë më tej Hüther.

Bumi në tregun e punës vazhdon

Politika e interesave të ulëta bankare të Bankës Qendrore Evropiane çon në fitime tepër të vogla te bankat dhe shoqëritë e sigurimeve. Nuk është për t'u çuditur, që janë këto degë të ekonomisë, së bashku me nëntë degë të tjera që thonë në sondazhe se do të shkurtojnë vende pune vitin e ardhshëm. Kjo në një kohë kur sipërmarrje nga 15 degë të ekonomisë duan të punësojnë më shumë njerëz.

Pyetja nëse tregu i punës përfiton nga migrimi masiv apo rëndohet prej tij, nuk mund të marrë ende përgjigje. "Jemi akoma në fazën kur po testojmë sa mund të punësohen refugjatët", thotë Hüther. "Në përgjithësi vlen të thuhet se një treg dinamik pune është më e mira që mund t'i ndodhë një vendi".

Akoma më e gëzueshme është perspektiva në gatishmërinë për investime. Këtu, 18 prej 48 sipërmarrjeve besojnë se sipërmarrjet e tyre do të investojnë më shumë, para së gjithash në sektorin e shërbimeve. "Digjitalizimi po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm në shumë degë. Kjo i shtyn sipërmarrjet që të investojnë", thotë Hüther.

Vetëm tri degë të ekonomisë do t'i ulin investimet, midis tyre është industria kimike. Kjo ka të bëjë me shpenzimet në energji që kërkojnë mënyrat e prodhimit në industrinë kimike, thotë Hüther.

Rreziqe nga disa drejtime

Pasigurisë përmes kthesës energjetike i shtohen pasiguri të shkaktuara nga Brexit dhe politika e ardhshme ekonomike dhe tregtare e qeverisë së SHBA nën Donald Trumpin. Më shumë proteksionizëm do të prekte para së gjithash ndërtuesit gjermanë të automobilëve. Kjo është edhe arsyeja se pse dega e ndërtimit të automobilëve skicon paraprakisht një tablo gri të zhvillimit.

Rreziqe për ekonominë botërore, thotë drejtori i FMN, Hüther vijnë edhe nga vende si Rusia, Turqia, Brazili dhe Kina. Para së gjithash Kina ka vështirësi që të kalojë në shkallën tjetër të globalizimit.

Instituti parashikon një rritje ekonomike prej një përqind, vitin e ardhshëm për Gjermaninë, meqenëse industria gjermane e orientuar nga eksporti nuk mund të presë nxitje nga jashtë. Konsumi privat në Gjermani ndërkohë ka arritur një pjesë prej 56% në produktin social bruto të Gjermanisë.