1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Paraqitje mahnitëse e Obamës në Berlin

Fjalimi i tij nuk ishte sikur ata të JFK apo Reganit, por ai la një përshtypje të jashtëzakonshme. Presidenti Obama tregoi me vizitën e tij në Berlin se si duhet të paraqitet një politikan, mendon komentatori i DW.

default

Obama gjatë fjalimit në Portën e Brandenburgut

Uau! Çfarë prezantimi, çfarë karizme! Presidenti amerikan, me stilin e tij si një i ri i shtendosur, mund t'i futë në xhep të gjithë politikanët gjermanë. Konkurrencë nuk mund t'i bëjnë Barack Obamës as "amvisa shvabe", siç e quan veten kancelarja Angela Merkel, dhe as kandidati i përlotur kohët e fundit i socialdemokratëve, Peer Steinbrück. Obama bëri një show perfekt. Me buzëqeshjen dhe sharmin e tij mund të përfitojë secili. Rreth 100 ditë para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani, ylli nga Amerika hodhi pak shkëlqim mbi figurën e kancelares dhe një vezullim të dobët mbi kandidatin opozitar për kancelar Steinbrück. Të gjithë donin të kishin një një foto me Obamën.

Ekonomia dhe përgjimet

Gjermanët e duan Obamën, megjithëse pak më pak se para pesë vitesh. Pavarësisht interesave të ndryshme në politikën ekonomike, mbrojtjen e të dhënave personale, në udhëheqjen e luftës me avionë pa pilotë apo në dallimet rreth konfliktit në Siri, raportet gjermano-amerikane janë në rregullin më të mirë. SHBA-ja e di se pa Gjermaninë si një partner të fuqishëm në Evropë nuk mund t'i realizojë synimet e saj. Gjermania ka nevojë për partnerin më të fuqishëm, nëse do të lëvizë diçka në Botë. Tema më e rëndësishme transatlantike aktualisht është ekonomia: rritja ekonomike, vendet e punës dhe tregtia në botën multipolare. SHBA-ja dhe Gjermania duhet ta sqarojnë dilemën: nëse më e mirë është ekonomia e borxheve à la Obama apo ajo e kursimeve à la Merkel. Barack Obama u ka paraqitur kritikëve të përgjimeve amerikane argumente të qëndrueshme në një konferencë për shtyp. Ai të lë përshtypjen se këto shqetësime në Gjermani i ka marrë seriozisht. I sigurtë në vetvete dhe modest. Një paraqitje mjeshtrore para opinionit.

Hapa të reja drejt çarmatimit bërthamor

Deutsche Welle Bernd Riegert

Bernd Riegert

Nëse vizita e Barack Obamës në Berlin është e hershme apo tepër e vonë, është kjo një dilemë e cila nuk luan asnjë rol më. Ai erdhi, e soditi gjendjen dhe fitoi para Portës së Brandenburgut. Ish-presidenti i padashur në mesin e gjermanëve; George W. Bush ka qenë në Gjermani pesë herë, por pa sukses. John F. Kennedy ka qenë vetëm një herë në Gjermani, por edhe tani 50 vjet më vonë, ai shihet si një legjendë. Fjalinë e tij "Ich bin ein Berliner" ("Unë jam një berlinez") nuk ka mundur ta tejkalojë asnjë president tjetër, as Barack Obama. Megjithatë planet e tij për vazhdimin e çarmatimit bërthamor me Rusinë, paraqesin një mesazh të drejtë dhe premtues. Megjithë grindjet në politikën ndaj Sirisë dhe rrjetit për mbrojtjen nga raketat në Evropë, Obama dhe presidenti i Rusisë Vlladimir Putin janë në gjendje të shkojnë përpara. Këtë e kanë dëshmuar edhe në samitin e G-8, dy ditë më parë në Irlandën e Veriut. Obama e ka bërë këtë të ditur në një formë mbresëlënëse.

Pa ndonjë fjali për histori

Presidenti amerikan foli në drejtim të Lindjes, para Portës së Brandenburgut, simbolit të tejkalimit të Luftës së Ftohtë. Kjo është me rëndësi, sepse sikur edhe në fjalimin e tij në Pragë në vitin 2009 kushtuar çarmatimit, Obama iu drejtua njerëzve të cilët me dekada të tëra kanë jetuar në pjesën jo të lirë të Evropës. Sot presidenti amerikan ndryshe nga paraardhësi i tij Ronald Reagan në vitin 1987, mund ta kalojë Portën e Brandenburgut. Kjo është dëshmi se Bota ka ndryshuar për të mirë. Liria ka fituar. Presidenti amerikan e ka kuptuar mirë se në anën tjetër të një Muri të imagjinuar sot janë kundërshtarët e lirisë. Me paraqitjen e tij në Berlin presidenti Obama e ka nënvizuar edhe një herë qëllimin që e gjithë Bota të jetojë në liri dhe në drejtësi. Amerika duhet të mbetet e zgjuar në luftën kundër terrorizmit, por duhet ta kalojë edhe ndjenjën e një lufte të përhershme kundër tij. Kjo ishte një autokritikë e papritur. Obama ka edhe tre vjet e gjysmë kohë për t'u afruar drejt kësaj Bote të re. Gjermania duhet ta ndihmojë në këtë rrugë.

Në këtë fjalim nuk u dëgjua ndonjë fjali që do të futej në histori. Barack Obama është djersitur shumë gjatë fjalimit të tij në Portën e Brandenburgut, por jo për shkak si ai kishte ndonjë dobësi. Për shkak të sigurisë ai ishte në një lloj kutije prej qelqi. Në një temperaturë mbi 30 gradë, Obama hoqi edhe xhaketën dhe bënte shaka për nxehtësinë e madhe. I lirë, i shtendosur dhe me një paraqitje bindëse. Uau!