1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Paralizohet Greqia - grevë e përgjithshme kundër masave të kursimit

Deri në 2016 duhet të kursehen 18,5 miliardë euro. Kërkesa kryesore e grevës është anulimi i të gjitha masave që shkurtojnë pagat e punonjësve, që i nxjerrin ata në rrugë dhe ulin pensionet.

Në shenjë proteste kundër programit të ri të kursimit nga qeveria, sindikatat në Greqi kanë nisur një grevë të përgjithshme 48 orëshe duke filluar prej ditës së martë (06.11). Qeveria nga ana e saj këtë program kursimesh e ka paraqitur në parlament. Deri në 2016 duhet të kursehen 18,5 miliardë euro. Shkurtimet janë parashikuar para së gjithash tek pensionet. Përveç kësaj do të shkurtohen edhe më tej shërbimet publike.

Kërkesa kryesore e grevës është anulimi i të gjitha masave që shkurtojnë pagat e punonjësve, që i nxjerrin ata në rrugë dhe ulin pensionet. Në grevë janë përfshirë administrata publike, postat, bankat, gazetarët, inxhinierët, transporti publik, mësuesit, pedagogët në universitete, anijet mbeten pa lëvizur nga portet, kontrollorët e trafikut ajror, ndërsa spitalet, klinikat dhe ambulancat do të punojnë për raste emergjente.

Të enjten i bashkohen grevës edhe farmacistët ndërsa nga e premtja janë avokatët, prokurorët dhe gjyqtarët që vazhdojnë protestat e tyre.
Miratimi në parlament i këtyre masave, të cilat janë edhe kushtet paraprake të vëna nga institucionet financiare ndërkombëtare që Greqia e rrrezikuar nga falimentimi të marrë ndihmat e tjera financiare, bëhet të mërkurën (07.11) .

Kryeministri grek Samaras duke folur para grupit të tij parlamentar tha se "problemi që kemi është se çfarë ndodh nëse nuk votohen masat” duke nënkuptuar se qeveria do të rrëzohej dhe vendi do të rrezikonte daljen nga eurozona. “Është një makth që ne duhet ta eliminojmë”, u shpreh kryeministri. Nga ana tjetër ai argumentoi se votimi i masave do të krijojë kushtet për rimëkëmbjen e ekonomisë reale dhe siguroi se këto masa do të jenë të fundit.