1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Paralajmërohet radikalizim i protestave në veri të Kosovës

Serbët e veriut të Kosovës kanë paralajmëruar për këtë të martë radikalizim të protestave, nëse sipas tyre misioni EULEX, nuk deklarohet për neutralitetin e tij në në raport me statusin e Kosovës.

Mitrovica veriore

Mitrovica veriore

Organet e rendit në Kosovë, misioni EULEX, policia dhe forcat paqeruajtëse nuk bien pre e kërcënimeve nga askush. Ato do të vazhdojnë të vendosin rendin dhe ligjin në të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun e Kosovës dhe çdo person që bie ndesh me ligjin do të përballet me të. Kështu thonë përfaqësues të organeve të rendit, pas ultimatumit të dhënë nga organizatorët serbë të protestave në veri, të cilët për dy javë mbajtën të bllokuara rrugët kryesore në veri të Kosovës, sidomos për veturat dhe personelin e misionit EULEX. Shkak i këtyre protestave ishte arrestimi nga ana e misionit EULEX i një biznesmeni serb, Jevro Panteliq, i përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar dhe për shmangie taksash në Kosovë.

Udhëheqësi i ndërmarrësve të Zubin Potokut, Ratomir Bozoviq, komunë kjo në veri të Kosovës, u ka thënë mediave serbe se protestat do të vazhdojë të radikalizohet nëse deri këtë të martë, përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk deklarohen se do të sillen me neutralitet ndaj statusit të Kosovës dhe që banorëve të veriut të mos iu imponohet ligji i qeverisë së Kosovës.

Blerim Krasniqi

Blerim Krasniqi

Zyrtarët e misionit EULEX, i thanë DW-së, se ata e kanë marrë këtë letër nga organizatorët e protestave në veri, mirëpo, thonë se ky mision do të vazhdojë implementimin e sundimit të ligjit në gjithë territorin e Kosovës dhe individët që thyejnë ligjin do të përballen me të, pavarësisht nga etnia e tyre.

Blerim Krasniqi, është zëdhënës i misionit EULEX. “Siç e ka përsëritur shumë herë EULEX-i, bllokimi i lëvizjes së lirë të automjeteve dhe njerëzve nuk i shërben askujt, veçse pengon njerëzit dhe vështërson punën e tyre. Mosmarrëveshjet duhet të zgjidhen përmes mjeteve paqësore dhe diskutimeve e jo duke e shkelur ligjin”, thotë zëdhënësi Blerim Krasniqi. “Bllokimi i rrugëve dhe parandalimi i lëvizjes së lirë i njerëzve dhe automjeteve është i paligjshëm. Policia dhe prokurorët e EULEX-it kryejnë hetime dhe arrestojnë individë kur ka prova të mjaftueshme për ta bërë këtë. Mr Jevro Pantelic është akuzuar për një numër veprash, përfshirë krim të organizuar dhe pastrim parashë. Është gjykata ajo që vendos nëse ai është fajtor apo i pafajshëm”, thotë Blerim Krasniqi.

Ndërkohë, njëri nga përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, Millan Ivanoviq, i quan veprimet e misionit EULEX në veri të motivuara politikisht dhe sipas tij, akuzat që i vishen biznesmenit serb janë të pabaza. Ai thotë se misioni EULEX, duhet të veprojë në përputhje me rezolutën 1244 të KS-it, duke mos favorizuar institucionet e Kosovës në dëm të serbëve. “Ata janë fajtorë vetëm se nuk duan të paguajnë tatim në buxhetin e Kosovës. Por, ne nuk i njohim ato institucione e as atë buxhet. Andaj, mendojmë se është një reagim normal, i cili ka mbështetjen e të gjithë serbëve të veriut dhe të institucioneve tona lokale”, thotë Millan Ivanoviq.

Ministri i brendshëm i Kosovës, Bajram Rexhepi, ndërkaq, thotë se bllokimi i rrugëve nga serbët në veri të Kosovës është i jashtligjshëm. Ai thotë se radikalizimi i protestave nuk do të tolerohet nga organet e rendit. "Nëpërmjet bllokimit të rrugëve, protestave, të cilat janë një lloj dhune, ata dëshirojnë që t'i detyrojnë institucionet e gjyqësisë që të lirojnë njerëz që dyshohet për krime ekonomike dhe kjo është plotësisht e papranueshme”, thotë ministri Baram Rexhepi.

Bajram Rexhepi

Bajram Rexhepi

Sidoqoftë, misioni evropian për rend dhe ligj si dhe forcat paqerujatëse kanë shprehur vendosmërinë e tyre për vendosjen e rendi dhe ligjit në veri të Kosovës. Misioni EULEX, i cili kohët e fundit ishte në thumb të kritikave nga institucionet e Kosovës për angazhim jo sa duhet në veri të Kosovës, thotë se do të vazhdojë arrestimet e personave të përfshirë në krimin e organizuar e korrupsionin, duke mos bërë dallime janë ata serbë apo shqiptarë.

Autor: Bekim Shehu

Redaktoi: Aida Cama