1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Paralajmërime për udhëheqjen në Kajro - Takimi i ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg

BE do të ashpërsojë sanksionet kundër diktatorit bjellorus Lukashenko. Veç kësaj ministrat e Jashtëm të BE-së në takimin e tyre në Luksemburg u morën edhe me Egjiptin dhe Sirinë.

Ministri i jashtëm britanik William Hague, djathtas, duke folur me ministrin e jashtëm francez Alain Juppe, i dyti djathtas, gjatë një tryeze të rrumbullakët të ministrave të jashtëm në korrik në Bruksel.

Ministrat e Jashtëm William Hague dhe Alain Juppe gjatë një tryeze të rrumbullakët në korrik në Bruksel.

Bashkimi Evropian vitin e kaluar donte t'i jepte një shans qeverisë bjelloruse dhe i kishte pezulluar sanksionet e tij. Por më e vonëta në prag të zgjedhjeve presidenciale në fund të 2010-s, regjimi veproi sërish me brutalitet kundër opozitës. Ministri i Jashtëm holandez Uri Rosenthal e përmblesh kështu atmosferën në BE. „Bjellorusia është diktatura e fundit e Evropës. Presidenti Lukashenko duhet të kuptojë se duhet të lirojë të gjithë të burgosurit politikë. Nëse nuk e kupton këtë me të mirë, duhet ta mësojë me mënyrën e ashpër, dhe kjo do të thotë me më shumë sanksione dhe më të ashpra.“

Zgjerohen sanksionet kundër Bjellorusisë

Ministrat e Jashtëm ranë shumë shpejt dakord për sanksione të reja. Edhe ndaj 16 personave të tjerë nga rrethi drejtues përreth Lukashenkos është vendosur tani ndalim-udhëtimi, llogaritë e tyre bankare do të bllokohen. Gjithsej numri i personave ndaj të cilëve janë vendosur sanksione është 200. Edhe vlerat pasurore të tri sipërmarrjeve, të afërta me regjimin, do të ngrihen.

Hapësirë të gjerë në konsultime zuri edhe dhuna e fundit në Egjipt kundër koptëve; më shumë se 20 persona humbën jetën si pasojë. Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle bën fajtore edhe forcat e sigurisë, të cilat e kanë lejuar ushtrimin e dhunës. „Ka ardhur koha që edhe udhëheqja egjiptiane të kuptojë se sa të rëndësishme janë pluraliteti dhe toleranca fetare dhe se të gjitha palët në Egjipt duhet të japin kontributin e tyre për këtë, në mënyrë që të mbrohet edhe ushtrimi i besimit fetar.“

Në Egjipt të mbrohen të gjithë shtetasit

Nga trazirat midis koptëve dhe ushtrisë në Egjipt.

Nga trazirat midis koptëve dhe ushtrisë në Egjipt.

E ngarkuara e BE-së me politikën e jashtme, Catherine Ashton, kërkon qëndrim nga qeveria ushtarake egjiptiane, edhe përballë zgjedhjeve të premtuara demokratike. „Ne presim që Egjipti të lëvizë drejt zgjedhjeve me dëshirën për të përfshirë në këto zgjedhje të gjithë njerëzit dhe për t'i mbrojtur ata, kushdo qofshin, ngado që të vijnë dhe çfarëdo besimi të kenë.“

Ministra të ndryshëm u ankuan sërish për vazhdimin e shtypjes së opozitës në Siri. Sanksione të reja megjithatë përkohësisht nuk do të ketë. Si shenjë pozitive ministrat e BE-së vlerësuan megjithatë krijimin e një Këshilli Kombëtar si lëvizje në të cilën janë mbledhur të gjithë kundërshtarët politikë të presidentit Bashar Al-Asad. Kryediplomati francez Alain Juppé u shpreh. „Ne dëshirojmë kontakt me opozitën siriane, pasi këtë lëvizje e mbështesim drejt më shumë demokracie dhe lirie në Siri, dhe jemi të gëzuar kur shohim se opozita në Siri po organizohet.“

Zëra për të treguar kujdes në trajtimin e regjimit sirian

Presidenti sirian al Asad (këtu në një takim me atë rus Medvedev) nuk konsiderohet ende aq i dobët sa për t'u rrëzuar.

Presidenti sirian al Asad (këtu në një takim me atë rus Medvedev) nuk konsiderohet ende aq i dobët sa për t'u rrëzuar.

Por homologu i tij italian Franco Frattini tërhoqi vëmendjen për të treguar kujdes. „Fillimisht duhet të dimë se kush janë ata. Kemi dëshirë të njihemi me programet, propozimet dhe nëse është e mundur plan-veprimet.“ Tone të ngjashme për kujdes u dëgjuan megjithatë edhe në rastin e Libisë, kur Këshilli Kombëtar Kalimtar përpiqej për njohje ndërkombëtare. Por dallimi me Sirinë është shumë i madh: njohja në Libi ndodhi njëkohësisht me suksesin ushtarak të kryengritësve, ndërsa një fund i qeverisë së presidentit Assad në Siri nuk duket ende në horizont, edhe për faktin që Rusia dhe Kina e mbështesin regjimin në mënyrë indirekte.

Autor: Christoph Hasselbach / Elert Ajazaj

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM