1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Para samitit të G7: Gërshëra e pasurisë dhe tezat e Paul Tudor Jones

Gërshëra midis të pasurve dhe të varfërve po mbyllet gjithnjë e më shumë. Veçanërisht të vështirë në SHBA e kanë shtresat me të ardhura të pakta. A kanë të bëjnë me këtë protestat më të fundit në vend?

Paul Tudor Jones është një menaxher i njohur i fondeve spekulative Hedge-Fonds në SHBA. Intervista ai jep rrallë, por para disa javësh ai mori në pjesë në konferencën për inovacionin "TED-Talk" në Kaliforni dhe e krahasoi shoqërinë e SHBA me një njeri që ka varësi nga drogat: "Hapi i parë është të pranosh se ke një problem", u shpreh Jones. Mania për fitim ndërkohë është bërë kaq e vetëkuptueshme, sa shoqëria nuk e vë re fare si e shkatërron veten.

"Revolucion, tatime më të larta ose luftë"

Pabarazia në rritje në të ardhura e shqetëson atë. Në SHBA, një përqind e popullatës merr 20 përqind të të ardhurave. Deri në fund të viteve 1970 të pasurit merrnin gjysmën e kësaj sasie. "Gërshëra midis më të varfërve dhe më të pasurve do të mbyllet", vazhdoi Jones. "Ose me revolucion, me tatime më të larta ose me luftë."

Fjalët e Jones-it të tërheqin vëmendjen, meqenëse ai vetë pasurinë prej 4,6 miliardë dollarësh ia dedikon kryesisht ekonomisë së lirë. Por vitet e fundit ai është dalluar për gatishmëri të madhe për donacione dhe për themelimin e fondacioneve bamirëse. "Revolucion" - dëgjimi i kësaj fjale pikërisht nga goja e një super të pasuri u citua shumë herë në media. Sepse me të vërtetë në vitet e fundit janë shtuar lëvizjet qytetare dhe protestat në SHBA. Në 2011 duke nisur nga Occupy Wall Street, e ndjekur nga studentët në vend, të cilët nuk duan të hyjnë më në borxh për të bërë studime. Punonjës në degën e shërbimeve kërkojnë një pagë minimale më të lartë. Edhe revolta kundër dhunës policore dhe racizmit është më e fortë në komunat me të ardhura më të ulëta.

Lënie pas dore me dekada

"Trazirat e rebelimet u duken shumë vetëve si pa kuptim politik dhe pa objektiv", thotë David Huyssen. Ai është profesor për historinë e SHBA dhe jep mësim në Universitetin Yale në New Haven. Por e gjithë kjo është sipas tij krejt e gabuar. Ato janë shpesh rezultat dhe reagim i lënies pas dore me dekada të tëra, i mungesës së investimeve dhe i diskriminimit, thotë Huyssen.

Aktivisti për të drejtat e njeriut Martin Luther King ka thënë: "Kryengritjet janë gjuha e të padëgjuarve". Në histori, trazirat dhe protestat kanë qenë shpesh fillimi i një revolucioni ose i një rendi të ri.

Grupimet kanë të njëjtat interesa specifike

Historiani Huyssen nuk e beson se në SHBA është një revolucion në prag të derës. "Aktivistët e pagave minimale, punëtorët e Walmartit, studentët që vuajnë nga barra e kredive dhe fushatat "jetët -e -të zinjve- kanë -rëndësi" do të kenë nevojë edhe për një copë herë kohë sa të kuptojnë se kanë në fakt të njëjtat interesa specifike: "Si kundërshtarë të një sistemi, që i shtyp dhe i diskriminon".

Miliarderi Jones ngul këmbë që sipërmarrjet të detyrohen më shumë që të angazhohen për synime bamirësie. Një organizatë jofitimprurëse e themeluar prej tij do të shqyrtojë me anë të sondazheve se si mund të funksionojë kjo në praktikë. Ideja pas kësaj: të pasurit duhet t'i ndalojnë duke bërë donacione lëvizjet politike, të cilat mund të kalojnë në kaos dhe të dalin jashtë kontrollit.