1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Para mbledhjes së parlamentit debati në Kosovë vazhdon

Të enjten më 17 korrik mblidhet parlamenti i ri i Kosovës, por ngërçi politik vazhdon dhe tensionet se kush ka të drejtë ta formojë qeverinë e propozojë kryetarin e kuvendit janë rritur.

Një ditë para mbajtjes së seancës konstituive të parlamentit të ri të Kosovës, mospajtimet ndërmjet dy blloqeve politike vazhdojnë të jenë të thella. Partia Demokratike e Kosovës, PDK vazhdon të këmbëngul se ajo ka grupin më të madh parlamentar dhe i takon asaj që ta propozojë dhe zgjedhë kryetarin e kuvendit. Ndërkohë, blloku i partive në koalicion LDK, AAK dhe Nisma, tashmë janë deklaruar si një grup parlamentar në një koalicion pas-zgjedhor dhe ata thonë se u takon atyre ta propozojnë dhe zgjedhin kryetarin e kuvendit.

Reagime dypalëshe për grupin më të madh parlamentar

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, (LDK) Isa Mustafa, thotë se grupit të partive LDK, AAK dhe Nisma, i takon pozita e kryetarit të kuvendit. “Me marrëveshjen pas zgjedhore kemi siguruar grupin më të madh parlamentar, na takon ne ta propozojmë Kryetarin e Kuvendit dhe do të sigurojmë votat që ta zgjedhim Kryeministrin”, thotë Isa Mustafa.

LDK; AAK, Nisma - Blloku kundër PDK-së

LDK; AAK, Nisma - Blloku kundër PDK-së

Ndërsa zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK) që doli fituese e zgjedhjeve thonë se u takon atyre propozimi për kryetar të kuvendit. PDK, me partnerët e koalicionit kanë 37 deputetë. Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, thotë se koalicioni pas-zgjedhor i partive LDK-AAK dhe Nisma për Kosovën, nuk e kanë të drejtën për të drejtuar Kuvendin e Kosovës.

“Kryetari i Kuvendit i takon grupit më të madh parlamentar dhe grupi më i madh parlamentar është grupi i udhëhequr nga koalicioni parazgjedhor i PDK-së”, thotë Memli Krasniqi.

Fati i Vetëvendosjes në koalicion nuk dihet

Ndërkohë kryesia e vjetër e kuvendit të Kosovës e ka përcaktuar rendin e ditës për seancën konstituive të ditës se enjte, 17.07 dhe grupin me të madh parlamentar, atë LDK-AAK-Nisma. Në legjislaturën e re ky grup parlamentar do të veproj si një grup i përbashkët dhe do të ketë 47 deputetë nga këto tri parti. Por edhe ky koalicion nuk i ka zgjidhur të gjitha çështjet brenda partnerëve. Ende nuk ka një ujdi me Lëvizjen Vetëvendosja për të marrë përkrahjen e kësaj të fundit gjatë votimit në parlament, fillimisht për kryetarin e kuvendit. Nëse ky koalicion do të mund t'i sigurojë 61 vota sa duhen për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, pa Vetëvendosjen, kjo akoma nuk dihet.

Lëvizja Vetëvendosje si kusht për përkrahjen e tri partive të koalicionit të ri kërkon një marrëveshje në letër të nënshkruar nga katër liderët, Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, në mënyrë që të arrihet përfundimisht ky koalicion dhe Vetëvendosje të jetë edhe pjesë e qeverisë së re. Por Lëvizja Vetëvendosje kërkon ripozicionimin e qeverisë së re karshi dialogut me Serbinë dhe ndryshimin e politikave të procesit të privatizimit. Me këto dy kushte të Vetëvendosjes, nuk janë pajtuar LDK, AAK dhe Nisma. Kështu me gjasë edhe marrëveshja që Vetëvendosja të jetë pjesë e koalicionit duket se po shkon drejt dështimit.

KMDLNJ: Deputetët të sillen në përputhje me detyrimet ndaj qytetarit

Debatet aktuale ndërmjet dy blloqeve politike PDK në njërën anë dhe LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje në anën tjetër, kanë ngritur tensione se kush ka të drejtë ta formojë qeverinë, kush ka të drejtë ta propozojë kryetarin e kuvendit e deri te dilema dhe përplasjet verbale se ku duhet të ulen në sallën e kuvendit deputetët e subjekteve politike.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut KMDLNJ, në një deklaratë për media, u bën thirrje deputetëve të sillen në përputhje me detyrimet që i kanë ndaj qytetarit. “KMDLNj vlerëson se ka pasur ngritje të panevojshme të tensioneve rreth mbledhjes së parë inauguruese përkatësisht rreth vendeve, ku do të ulen deputetët e koalicioneve apo subjekteve politike që kanë fituar mandatin për deputetë dhe këto tensione kanë qenë të sforcuara me një fjalor kërcënues që paralajmëronte edhe dhunë në këtë seancë.

Në këtë kontekst KMDLNJ, kërkon që deputetët të sillen në përputhje me detyrimet që i kanë ndaj qytetarit (votuesit) dhe është i sigurt se seanca inauguruese do të kalojë e qetë, pa kërcënime dhe në përputhje me rendin e ditës”, thuhet në komunikatën e KMDLNJ-së.