1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Para ligjit janë të gjithë të barabartë- Edhe Silvio Berluskoni

Kryeministrit italian Silvio Berlusconi mund t`i bëhet proces gjyqësor për korrupsion dhe mashtrim. Ditën e enjte Gjykata Kushtetuese në Romë shfuqizoi pjesërisht ligjin e Berluskonit për imunitetin.

default

Para ligjit janë të gjithë të barabartë. Kjo fjali është shkruar në të gjitha sallat italiane të gjyqeve. Dhe Gjykata e Lartë italiane i tregoi edhe një herë Silvio Berluskonit se kjo vlen edhe për të.

Berluskoni: Gjykata Kushtetuese e tepron

Si i vlerëson Berluskoni gjykatësit në përgjithësi dhe ata kushtetues në veçanti, e tregoi gjatë vizitës së tij në Berlin: gjatë konferencës së shtypit me kancelaren gjermane, Angela Merkel më 12 janar, ai tha se gjykata në Itali është kthyer në instrument pushteti juridik dhe e tepron me rolin kushtetues. Për më tepër e gjithë kjo është qesharake dhe se atij aq i bën nëse zhvillohet apo jo proces kundër tij. Shprehja e fytyrës së kancelares gjatë sharjes së padenjë të gjykatësve nga një kryeministër, ia vlente të shihej.

Mënyra si e kupton Berluskoni drejtësinë dhe demokracinë është e thurrur shumë thjeshtë. Kush e kritikon atë personalisht nuk kritikon personin e Berluskonit, por kryeministrin në post, duke dëmtuar kështu imazhin e vendit. Të gjithë ata që janë kundër tij i bie të jenë komunistë, sepse në fund të fundit është ai që ka gjithnjë të drejtë dhe që vepron gjithnjë si duhet. Pas shpalljes së gjykimit, që ishte shumë dërmues për të, me siguri do t'ia ketë vlejtur ta shihje edhe shprehjen e tij të fytyrës.

Duke patur parasysh tri proceset kundër tij, Berluskonit do t`i duhet në të ardhmen që ta përshtasë kalendarin e takimeve me gjykatën. Sepse vendimin, nëse një arsye është e mjaftueshme për ta shtyrë një seancë gjyqësore nuk do ta marrë më ai, por gjykatësit. Kështu që vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte absolutisht i denjë për një demokraci dhe ligji për "pengimi në përputhje me ligjin" e mban tani me të drejtë emrin e kësaj Gjykate.

Silvio Berluskoni

Silvio Berluskoni

Pritet zvarritje e proceseve gjyqësore

Gjykatësit pranuan se ka punë qeveritare, të cilant kanë fillimisht kanë prioritet. Por ata hodhën poshtë me të drejtë justifikimin automatik të vazhdueshëm të Berluskonit se ka gjithnjë punë për të bërë.

Nëse Berluskoni do të dalë vërtet para gjyqit është e diskutueshme. Fillimisht zgjat një muaj deri sa vendimi të hyjë në fuqi. Numri i takimeve prej të cilave Berluskoni nuk mund të heqë dorë do të shtohet në mënyrë masive. Avokatët e tij nuk do të lënë gur pa lëvizur për t'i zvarritur proceset. Një prej rasteve ka mundësi të mos ndiqet juridikisht, për arsye të kalimit të afatit kohor.

Përveç kësaj, bashkëpunëtorët e kryeministrit italian me siguri po planifikojnë të nxjerrin një version të ri të ligjit të imunitetit. Edhe nëse nuk do të jetë shumë e lehtë që ai të kalohet në parlament, për shkak të shumicës me diferencë të vogël të votave. Po ashtu ka edhe gjëra të tjera të paparashikueshme. Gjykata Kushtetuese ka lejuar zhvillimin e një referendumi për ligjin e imunitetit të Berluskonit. Nëse mblidhen votat e duhura, atëherë mund të hidhet poshtë edhe pjesa e mbetur e ligjit.

Qeveria Berluskoni nuk do të ketë me sa duket kohë që të merret me reformat e premtuara që prej 16 vjetësh, sepse do t`i duhet sërish të merret me veten. Megjithatë dita e djeshme (13.1.) ishte një ditë e mirë për Italinë.

Autor: Stefan Troendle

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 14.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zxWq
  • Data 14.01.2011
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/zxWq