1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Para dhe përkrahje Këshillit Tranzitor - Konferenca e Parisit

Data e konferencës së parë për rindërtimin demokratik të Libisë nuk u zgjodh rastësisht. Që prej 41 vjetësh Gaddafi festonte më 1 shtator revolucionin e tij. Këtë herë u diskutua për demokratizimin e Libisë pa Gaddafin.

Konferenca e Parisit

Konferenca e Parisit

Në tryezën e negociatave qenë ulur kaq shumë shtete, sa secili nga përfaqësuesit pati mundësi të bënte vetëm një deklaratë të vogël. Pra nuk pati një diskutim, plani i shpresuar për rrugën drejt demokracisë nuk mundi të hartohej. Megjithatë u dërguan sinjale të rëndësishme. Kështu, të gjitha shtetet u shprehën që do t'i zhbllokonin paratë e Gaddafit, të cilat vazhdojnë të rrinë të bllokuara në llogari rrjedhëse në të gjithë botën. Presidenti i Francës, Nicolas Sarkozy: "Paratë e përvetësuara nga Gaddafi duhet t'i kthehen popullit libian. Të gjithë jemi të të njëjtit mendim, që paratë e Libisë së djeshme duhet të zhbllokohen, për ta financuar Libinë e sotme."

Sarkozy kërkon që Evropa të kujdeset për Libinë

Sarkozy kërkon që Evropa të kujdeset për Libinë

Para dhe ndihma konkrete

Edhe kancelarja gjermane Angela Merkel mori pjesë në konferencë. Ajo bëri të ditur se Gjermania, ashtu si Franca, Britania e Madhe dhe SHBA do të lirojë një miliardë euro nga paratë e bllokuara. Veç kësaj, Gjermania do të japë ndihmën e saj në rindërtimin e vendit: "Ndihma jonë konkrete mund të jetë në furnizimin me ujë, në spitale dhe në infrastrukturë. Ne mund të ndihmojmë gjithashtu për ndërtimin e strukturave politike, për shembull me anë të mbështetjes në përpunimin e një kushtetute."

Meqenëse Gjermania nuk mori pjesë në angazhimin ushtarak, kancelares ia dhanë fjalën vetëm pas shumë pjesëmarrësve të tjerë. Gjermania abstenoi fillimisht në KS të OKB-së, por pastaj pas ndërrimit të regjimit i falenderoi shtetet që morën pjesë në angazhim. "Fillimisht unë urova përzemërsisht Këshillin Tranzitor Libian dhe pastaj edhe ata, që ndihmuan nga ana ushtarake, si në hapësirën arabe, ashtu edhe në NATO për këtë angazhim."

Kancelarja Merkel në Paris

Kancelarja Merkel në Paris

Ndihma për Libinë - Detyrim për evropianët

Nëse dhe se kur do t'i shqyrtojë Këshilli Tranzitor Libian ofertat për ndihma të evropianëve, kjo nuk është e përcaktuar. Edhe më tej, në pjesë të ndryshme të Libisë vazhdon të luftohet, dhe NATO-ja e mbështet edhe më tej ushtarakisht Këshillin Tranzitor. Kjo është pikërisht për evropianët një detyrim, theksoi Sarkozy: "Hapësira e Mesdheut është një rajon fqinjë me Evropën. Dhe prandaj Evropa duhet të kujdeset edhe vetë për paqen te fqinjët e saj."

Një takim tjetër i miqve të Libisë, siç i quajti Sarkozy pjesëmarrësit e konferencës do të zhvillohet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, më 20 shtator.

Autor: Daniela Kahls/Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi