1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Gjermania

Para detyrave të vështira - 20 vite nga parlamenti gjithëpërfshirës gjerman

Zgjedhja e një parlamenti gjithëpërfshirës në Gjermani në dhjetorin e vitit 1990 ishte akti i fundit i dramës së bashkimit. Zgjedhjet rikonfirmuan në mënyrë të pakontestueshme Helmut Kohlin si "kancelar të bashkimit".

Pamje nga seanca parlamentare e 20 dhjetorit 1990

Pamje nga seanca parlamentare e 20 dhjetorit 1990

Në foto, ish kancelari gjerman Helmut Kohl

Në foto, ish kancelari gjerman Helmut Kohl

Më 20 dhjetor të vitit 1990 u mblodh parlamenti i parë i Gjermanisë së bashkuar. Deputetët kishin lënë pas një fushatë zgjedhore të veçantë. Për herë të parë që nga viti 1932 ishin zhvilluar zgjedhje të lira dhe të përgjithshme në Gjermani. Një vit pas rrëzimit të Murit të Berlinit deputetët e zgjedhur në Rajshtagun e Berlinit konstituuan parlamentin e 12-të gjerman.

Koalicioni CDU/CSU fiton bindshëm zgjedhjet parlamentare të 2 dhjetorit

Pavarësisht disa humbjeve koalicioni CDU/CSU i kristiandemokratëve dhe kristiansocialëve më parë, më 2 dhjetor 1990 kishte fituar bindshëm zgjedhjet parlamentare. Partia Socialdemokrate kishte fituar 35,2% të votave, ndërkohë liberalët me marrjen e 11% të votave kishin kapur një rezultat të shkëlqyer. Po ashtu u fut në parlament edhe PDS-ja, Partia e Socializmit Demokratik, pasardhëse e SED-s, si edhe të Gjelbrit e Aleanca-90, një bashkim i partisë së Gjelbër me lëvizjet qytetare të ish-Republikës Demokratike Gjermane (RDGJ).

Shumë opozitarë të ish-RDGJ-s ishin ulur tashmë në parlamentin gjerman - një nga më të njohurit ishte prifti i Brandenburgut, Markus Meckel, që kishte kandiduar për Partinë Socialdemokrate.

Në foto, Oskar Lafontaine

Në foto, Oskar Lafontaine

Temë mbizotëruese e fushatës kishte qenë bashkimi gjerman. Në kohën që Helmut Kohli propagandonte përparimin e shpejtë të bashkimit të dy shteteve, kundërkandidati socialdemokrat, Oskar Lafontaine propozonte një ritëm më të ngadaltë të shkrirjes në një të dy Gjermanive.

Qytetarëve të ish-RDGJ-s nuk iu pëlqeu kjo strategji, ata në mënyrë masive mbështetën "kancelarin e bashkimit". Për kandidatin Markus Meckel kjo nuk ishte surprizë:

"Ishte shumë e qartë që njerëzit kishin shpresa tek qeveria federale, dhe madje tek qeveria në fuqi. Kështu ishte që në procesin e bashkimit, ata u zgjodhën sepse njerëzve iu premtua bashkimi i shpejtë, dhe ata nuk donin asgjë më shumë se sa bashkimin e shpejtë. Ata shpresonin se kjo ishte e lidhur me mirëqenien."

Parlamentin e parë gjithëgjerman e prisnin detyra të vështira

Megjithë gëzimin e deputetëve të Bundestagut, brohoritja e 20 dhjetorit 1990 nuk mund të injoronte detyrat e mëdha që dilnin përpara deputetëve të parlamentit të parë gjithëgjerman, që prej 60 vitesh:

Në foto, Markus Meckel

Në foto, Markus Meckel

Meckel: "Detyra tanimë ishte që në një parlament të përbashkët gjerman t'u dilnim për zot vështirësive specifike që kishte Gjermania lindore. Kjo do të thotë që ajo që diskutohej nën moton "Ndërtim i Lindjes" duhej të vihej edhe në jetë."

Megjithë vështirësitë sundonte një frymë optimiste. Gjermanët i kishin dhënë fund një procesi që la gojëhapur të gjithë botën. Ata kishin shfronësuar një diktaturë me mjete paqësore. Me diplomaci dhe këmbëngulje ata kishin bindur fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore për bashkimin gjerman. Edhe në politikën e brendshme ata kishin krijuar kushtet që bashkimi i dy shteteve gjermane të bëhej paqësisht.

Autor: Matthias von Hellfeld / Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti

  • Data 20.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QgMf
  • Data 20.12.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/QgMf