1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Para 90 vjetësh hyri në fuqi Marrëveshja e Versajës

Lufta e Parë Botërore kishte pushuar zyrtarisht. Perandoria gjermane e mundur u detyrua të nënshkruajë Traktatin e Paqes pas katër vitesh luftë.

default

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Versajës Tabllo e piktorit Sir William Newenham Montague Orpen (1878-1931),

"Ka ardhur koha të bëhet bilanci", me këto fjalë e përshkroi kryeministri francez Georges Clemenceau ngjarjen.

Georges Clemenceau

Kryeministri francez, Georges Clemenceau, njëri prej katër aleatëve, që nënshkruan traktatin e Versajës

Më 10 Janar të vitit 1920 hyri në fuqi Traktati i Versajës. Lufta e Parë Botërore kishte pushuar zyrtarisht. Kjo luftë ishte edhe katastrofa e parë e shekullit të 20-të. Perandoria gjermane e mundur u detyrua të nënshkruajë Traktatin e Paqes pas katër vitesh luftë në llogoret pranë Verdunit, në fushat e betejës në Flandër si edhe pas betejash me teknologji gjigante duke shkatuar miliona të vrarë. Kushtet i vinin aleatët fitimtarë: Franca, Britania e Madhe, Italia dhe SHBA-ja si edhe 28 vende të tjera.

Ndarja e re e Evropës

"Ne nuk gënjejmë veten për përmasat e humbjes sonë, për shkallën e pafuqisë sonë. Ne e njohim forcën e urrejtjes, që drejtohet kundër nesh. Do të kërkohet nga ne, që ne të pranojmë se jemi fajtorët e vetëm të luftës. Një pohim i tillë në gojën time do të ishte një gënjeshtër." Kështu u shpreh ministri i Jashtëm i atëhershëm gjerman, Ulrich Graf von Brockdorff-Rantzau. Ndarjen e re të Evropës e kishin vendosur të katër fuqitë e mëdha me njëra tjetrën. Për trajtimin e çështjeve gjeografike të komplikuara harta të mëdha ishin vendosur në dysheme. Gjatë procesit të konsultimeve delegatët mesa duket, ishin ulur në gunjë mbi to. Për aleatët ishte e qartë që në fillim: në rradhë të parë Gjermania dhe aleatët e saj Austria, Hungaria, Bullgaria dhe Turqia mbanin përgjegjësinë e vetme për shpërthimin e luftës. .

Friedensvertrag von Versailles wird unterzeichnet

Nënshkruhet marrëveshja e paqes në sallën e pasqyrave në pallatin e Versajës


Një valë zemërimi përfshiu të gjitha partitë në Gjermani, duke përshirë të gjithë spektrin nga e djathta në të majtë. Si protestë kundër turpit të Versajës, siç u quajt në atë kohë, u bashkua i gjithë kombi si një i vetëm. Pas revolucionit të Nëntorit 1918 dhe pas abrogimit të monarkisë vendi gjendej në prag të luftës civile. Në Gjermani u ndezën diskutime të zjarrta pas nënshkrimit të Traktatit. Kryeministri i atëhershëm i Rajhut, Gustav Bauer, u shpreh kështu përpara Konventës Kombëtare:

"Qeveria e Republikës gjermane është e gatshme të nënshkruajë Traktatin e Versajës, megjithatë pa pranuar që populli gjerman të konsiderohet si shkaktar i luftës. Ky është propozimi, që unë ju bëj juve në emër të të gjithë kabinetit. Një luftë të re ne nuk mund ta përballojmë më, ne jemi të pafuqishëm. Por i pafuqishëm nuk do të thotë pa nder."

Traktati i Versajës u konsiderua në Gjermani si i padrejt ë.

Ai nuk u pranua thuajse nga asnjëra prej forcave politike. Në të nëjtën kohë u bë përgjegjëse SPD-ja (partia socialdemokrate) për të ashtuquajturin diktati i Versajës, siç u quajt atëhere. Megjithë përpjekjet e socialdemokratëve në pushtet aso kohe, ata nuk u çliruan dot nga njolla, që u mbeti si përgjegjës për humbjen e luftës dhe për traktatin e paqes.
Përgjegjësit e vërtetë ishin në rradhët e ushtrisë konservatore dhe të qeverisë së Rajhut perandorak, të cilët ndezën luftën, iu kundërvunë republikës dhe që donin të rivendosnin Gjermaninë si superfuqi.

Sidoqoftë kërkesat e aleatëve ishin të ashpra, por në asnjë mënyrë më të forta se ato kushte të paqes, që në rast fitoreje Gjermania do t'u kishte vendosur të mundurve. Ushtria e Rajhut u reduktua në 100 mijë vetë. Gjermania duhet t´i dorëzonte Francës Alzasën dhe Lorenën. Zarlandi u vendos nën kontrollin e Ligës së Kombeve, në lindje u humbën zona të rëndësishme industriale dhe bujqësore. Kërkesa e përgjithshme për reparacione arrinte shumën astronomike prej 132 miliardë markash floriri, që të konvertuara janë rreth 300 miliardë euro.

David Lloyd George

Kryeministri britanik, David Lloyd George

Për kryeministrin britanik, Lloyd George, Gjermania ishte një lopë, që duhet të jepte si qumësht ashtu edhe biftek. Një kuriozitet ishin detyrimet e gjermanëve për dëmshpërblimet. Vetëm në vitin 1980, pra 60 vjet pas Traktatit të Versajës, u paguan këstet dhe interesat e fundit.

Traktati i Versajës ka nxitur dhe ka lënë të hapura deri në ditët tona një sërë konfliktesh.

Kështu për shembull konfliktin e Tirolit të Jugut mes Italisë dhe Austrisë, ku bëhet fjalë për kufirin italian në Brenero. Ose konfliktin në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe Arabëve, të cilët nuk e pranojnë Traktatin e Versajës dhe kufijtë e përcaktuar prej tij. Këto kufij u përcaktuan pas ridemensionimit të Perandorisë Osmane. E njëjta gjë vlen edhe për të drejtën, që iu premtua kurdëve për vetëvendosje, por që nuk u bë realitet asnjëherë. Madje edhe vetë kolonitë gjermane në Afrikën Lindore, Burundi dhe Ruanda, të cilat në vitin 1919 u kaluan nën kontrollin e Belgjikës, ia detyrojnë ekzistencën e tyre Traktatit të Versajës.
Edhe në vende të tjera janë akoma të ndjeshme pör pasojat e Traktatit të Versajës si p.sh. në Hungari. Si aleat i Gjermanisë vendi humbi territore të mëdha si Sllovakinë, Burgenlandin, Sllavoninë dhe Transilvaninë. Në vitin 1991 politikanët nacionalistë e vunë në pikëpyetje çështjen e kufijve me arsyetimin se rregullimet gjeografike, të vendosura në Traktatin e Versajës, janë pa vlerë sot, kur kanë ndodhur ndryshime politike në Evropën Lindore dhe në Ballkan. Së fundmi me shpërbërjen e Jugosllavisë është zgjuar një ndjenjë kombëtare agresive, që drejtohet kundër kufijve të shteteve dhe të përkatësive të grupimeve popullore të vendosura pas Luftës së Parë Botërore.

Autor: Michael Marek/Vilma Filaj-Ballvora

Redaktoi: Angjelina Verbica