1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Para 50 viteve u zhvillua ndeshja e parë gjermano-gjermane në futboll

8 Nëntor 2009

Humbja historike në Kampionatin botëror të vitit 1974 e Gjermanisë nga RDGJ-ja, me golin e Jürgen Sparwasser, u ka mbetur në kujtim shumë gjermanëve. Ndërsa ndeshja e parë mes dy Gjermanive u zhvillua 50 vjet më parë.

https://p.dw.com/p/KQsw
Goli i Sparwasser-it në vitin 1974 është futur në analet e historisë (DDR fitoi 1:0)Fotografi: AP

Stadiumi olimpik në Romë në vitin 1960. Ekipet e Gjermanisë futen së bashku në stadium, si një ekip. Ishte parashikuar që Gjermania të ketë edhe një ekip të përbashkët të futbollit, por komitetet olimpike të dy Gjermanive ishin kundër një 11- shi të përbashkët në futboll. Komitetet ranë dakord që të zhvillohet një ndeshje eliminatore mes Lindjes dhe Perëndimit, pa prezencën e shikuesve. Fituesi i kësaj ndeshje do të kualifikohej për lojërat olimpike në Romë.

"Në Stadiumin Walter Ulbricht të Berlinit u takuan skuadrat e Republikës Demokratike të Gjermanisë (DDR) dhe Gjermanisë Perëndimore në ndeshjen e tyre të parë eliminatore për lojërat olimpike. Sipas marrëveshjes, ndeshja u zhvillua pa prezencën e shikuesve. Aty ishin vetëm përfaqëuesit e filmit, gazetave, radios dhe televizionit", njoftonte Radioja e DDR-it.

Duartrokitja e dy njerëzve dhe lehja e dy qenve

Sepp Herberger dhe Federata Gjermane e Futbollit (DFB) u paraqiten me një ekip amator, ndërsa skuadra e DDR-it nxori në fushë ekipin më të mirë. Mirëpo amatorët luanin mirë.

Bundestrainer Sepp Herberger wird 80
Ish - trajneri Sepp HerbergerFotografi: dpa - Report

"Sulmuesit tanë nuk ishin në gjendje t'i shfrytëzojnë shansat e tyre. Ndërkohë që gjermanoperëndimorët shënuan një sukses të befasishëm. Ata fituan ndeshjen e parë eliminatore me rezultatin 2:0", informonte Radioja e DDR-it. Ndërsa golashënuesi Charly Dörfel pohonte: "Portieri më doli përpara, por topi befasisht shkoi në rrjet. Mendova se do të më urojnë për golin e shënuar. Duartrokitën vetëm një kopshtar dhe rojtari i stadiumit dhe u dëgjuan lehjet e dy qenëve, më kujtohet shumë mirë." Para ndeshjes kthyese në Perëndim, ekzistonin shumë të panjohura. Madje as gazetarët sportivë nuk e kanë ditur për një kohë të gjatë se ku do të zhvillohet ndeshja.


Udhëtimi në të panjohurën

"Atëherë na thanë: futuni në mikrobus dhe u nisëm. Për shkak të njohjes së gjeografisë, shumë shpejt e kuptuam se ndeshja do të zhvillohej në Dyseldorf", shpjegon reporteri i radios Günther Wolfbauer. Nga ndeshja në stadiumin e vjetër në Dyseldorf sot nuk ekziston asnjë xhirim filmik, vetëm zërat e komentatorëve të radios, nga i cili mësohet se Gjermania Perëndimore ka fituar me rezultat 2:1.

"Dörfel sërish, sërish e hedhë topin tek Wilkening, i cili nga një pozitë e dyshimtë jashtë loje shqelmon topin... dhe gol!", komentonte radioja.

Në lojërat olimpike të Romës megjithatë nuk shkoi asnjëra prej skuadrave futbollistike të Gjermanisë. Pas fitores ndaj gjermanolindorëve, ekipi i Gjermanisë Perëndimore humbi në ndeshjen e fundit eliminatore nga Polonia.

Autor: Simon Pützstück/Bahri Cani

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi