1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Paqartësi për numrin e viktimave të Norman Atlantic

Policia italiane mendon se në trupin e tragetit të djegur do të gjejë kufoma të tjera, sepse në hambarët e anijes kishte refugjatë të fshehur.

Autoritetet italiane shpresojnë shumë se nga hetimi i skeletit të tragetit Norman Atlantic do të gjejnë shkakun e zjarrit. Aksioni i shpëtimit dhe rimorkimi i tragetit të djegur në portin e Brindizit ishte shumë i vështirë, thotë Francesco Barretta, punonjës i firmës së shpëtimit.

Policia mendon se në trupin e tragetit të djegur do të gjejë kufoma të tjera. Për shembull, refugjatë që mund të kenë qenë fshehur në hambarët e anijes për të hyrë ilegalisht në BE. Ose shoferët e kamionëve që po flinin në kabinat e kamionëve të tyre, kur Norman Atlantiku u përfshi nga flakët.

Një nga personat fati i të cilëve ende nuk dihet është shoferi i kamionit Carmine Balzano nga Napoli. Djali i tij është krejtësisht i dëshpëruar dhe pa asnjë ndihmë nga autoritetet. "Ata na pëcjellin duke na thënë merrni këtu apo atje në telefon. Kur na del njeri prapë nuk marrim vesh gjë, se numri i personave të zhdukur ndryshon vazhdimisht." - thotë ai.

Numri i viktimave i paqartë

Lista e udhëtarëve të Norman Atlantikut është krejtësisht pa vlerë dhe askush nuk e di me saktësi se sa vetë kanë qenë vërtetë në bordin e anijes. Autoritetet italiane mendojnë se mund të ketë deri në 100 të zhdukur, kurse Greqia supozon se numri i të humburve duhet të jetë vetëm 18. Sipas Ministrisë së Jashtme gjermane, në mesin e të zhdukurve janë dhe dy gjermanë. E qartë deri tani është se fatkeqësi u ka marrë jetën të paktën njëmbëdhjetë vetëve; ndër ta edhe dy shqiptarëve që gjetën vdekjen në përpjekjet për shpëtimin e anijes. Dhe shpresat për të gjetur të mbijetuar të tjerë në Norman Atlantic, janë të pakta.

Ndërkohë para brigjeve italiane pësoi avari një anije tjetër: një anije transporti me rreth 400 refugjatë në bord që lundronte nën flamurin e Sierra Leones. Për shkak të një qarku të shkurtër motorët e anijes u dëmtuan dhe ekuipazhi u largua duke e lënë anijen në mëshirë të fatit. Rojet bregdetare italiane dhe ushtria janë duke u përpjekur për t'u ndihmuar njerëzve që janë në bord - në mesin e tyre dhe gra shtatzëna dhe fëmijë. Për shkak të motit të keq anija mund të arrihet vetëm nga ajri dhe prandaj aviaconi italian ka dërguar një helikopter me forcat e ndihmës së shpejtë të rojes bregdetare.