1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Paqartësi për një tragjedi të dyshuar refugjatësh

Sipas një raporti të medieve, në një tragjedi me një varkë në Mesdhe e kanë humbur jetën disa qindra vetë. Politikanë italianë e konfirmojnë fatkeqësinë - por rojet bregdetare dhe UNHCR nuk kanë informacione.

Një raport i stacionit britanik BBC si dhe deklarata të politikanëve italianë për një tragjedi të dyshuar me refugjatë po shkaktojnë paqartësi: Shërbimi arabisht i BBC pati bërë të ditur se disa qindra vetë janë mbytur në një fatkeqësi me një varkë në Mesdhe. Deri 400 vetë sipas këtij njoftimi, e kanë humbur jetën.

Tragjedi e re në Mesdhe...

"Është e sigurtë, se një vit pas tragjedisë në ujëra libiane ne kemi të bëjmë sërish me një tragjedi", tha ministri i Jashtëm i Italisë Paolo Gentilioni në kuadër të një takimi të ministrave të Jashtëm të BE në Luksemburg. Refugjatët që kanë humbur jetën, sipas kësaj, qenë nisur nga Egjipti. Shifra konkrete viktimash ai nuk përmendi. Po bëhen përpjekje që të sigurohen më shumë detaje dhe informacione, tha ai.

Edhe Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella foli në Romë për një "tragjedi tjetër në Mesdhe". Sipas fjalëve të tij, rreth 400 refugjatë konsiderohen të humbur. Hollësi të tjera ai nuk dha.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank Walter Steinmeier pati thënë më parë se ka dëgjuar për informacione për një fatkeqësi me më shumë se 300 viktima. Por një zëdhënës tërhoqi shprehimisht vëmendjen se këto të dhëna nuk janë konfirmuar.

...apo jo?

Roja bregdetare italiane, e cila është kompetente për shpëtimin në rastin e fatkeqësive detare midis Libisë dhe Italisë, sipas të dhënave të saj, nuk ka informacione për një fatkeqësi me varkë. As ambasada somaleze në Kairo, e pyetur nga agjencia gjermane e lajmeve, DPA, deri tani nuk ka konfirmuar një tragjedi të tillë.

Edhe Organizata për Refugjatët e OKB-së (UNHCHR) dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrimin (IOM) deri tani nuk japin dot të dhëna të verifikuara për fatkeqësinë. Po bëhen përpjekje që raportimet të verifikohen përmes përfaqësive në Egjipt, Itali dhe Greqi, i tha zëdhënësi i UNHCHR-së për Evropën, William Spindler gazetës së Berlinit "Tagesspiegel".

Edhe roja bregdetare greke, sipas UNHCR-së nuk ka të dhëna për të mbijetuar, të cilët të kenë ardhur në Greqi.

Varkë tjetër në rrezik

Paradite, forcat italiane të shpëtimit gjetën në Mesdhe në një varkë tjetër refugjatësh gjashtë kufoma. 108 vetë qenë shpëtuar dhe qenë pranuar nga një anije, pasi patën lëshuar më parë një thirrje SOS, bëri të ditur agjencia e lajmeve Ansa. Ata u patën treguar shpëtuesve për të vdekurit në varkë, trupat e të cilëve pas kësaj u morën gjithashtu në bordin e anijes. Varka qe rrezikuar për t'u fundosur pa u larguar shumë nga bregdeti libian, për shkak të valëve të mëdha. Refugjatët do të dërgohen në Siçili.

Në prill 2015, para bregdetit libian u përmbys një varkë me rreth 700 njerëz në bord. Më shumë se 140 kufoma u nxorrën nga deti. Vetëm 28 vetë arritën të shpëtonin.