1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Paqartësi për gjendjen e vërtetë shëndetësore të Mladiçit

Sa i sëmurë është vërtet Ratko Mladiçi? Me sa duket, të dyshuarin për krime lufte e kanë operuar në Hagë. Ditët e fundit, prokuroria kërkoi përshpejtimin e procesit për gjenocid kundër 69 vjeçarit.

Ratko Mlladiçi para Tribunalit të Hagës

Ratko Mladiçi para Tribunalit të Hagës

Të dhëna kontradiktore pas një operacioni kirurgjikal kanë nxitur sërish spekullimet për gjendjen shëndetësore të Ratko Mladiçit. Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, i akuzuar për krime lufte, sipas të dhënave të avokatit të tij Milos Saljiç është operuar për hernie diskale, burime të tjera nuk e konfirmojnë këtë.

Tribunali i Hagës nuk i konfirmon të dhënat

Sipas agjencisë hollandeze të lajmeve ANP, e cila i referohet avokatit të Mladicit, Branko Lukiç, 69 vjeçari u operua me sukses të mërkurën në "spitalin Bronovo në Hagë" Sipas Lukiçit, ai "mund të dalë të premten nga spitali. Pas ndërhyrjes kirurgjikale, Mladiçi i kishte thënë së shoqes në telefon se gjithçka kishte kaluar mirë, tha Saljiçi në Beograd.

Mladiçi në seancë gjyqësore

Mladiçi në seancë gjyqësore

Tribunali i Hagës për krime lufte, para të cilit do të zhvillohet procesi gjyqësor kundër Mladiçit nuk i ka konfirmuar këto të dhëna. Informacione, në bazë të të cilave ish-udhëheqësi i serbëve është dërguar në një klinikë të Hagës u cilësuan "të gabuara" nga Tribunali. Megjithatë, zëdhënësja e Tribunalit, Nerma Jelaciç la të kuptohet se Mladiçi mund të jetë operuar në pavionin mjekësor të burgut hetimor të OKB-së. Në një deklaratë u tha vetëm se i akuzuari nuk ka dalë jashtë kompleksit të burgut në Sheveningen të Hollandës.

Për gjendjen shëndetësore të të burgosurve, Tribunali parimisht nuk jep të dhëna. Por zëdhënësja e Tribunalit pranoi që të gjithë të akuzuarve u "jepet trajtimi më i mirë i mundshëm mjekësor, kur kjo është e nevojshme." Mladiçi 69 vjeçar vetë deklaroi në çelje të procesit të tij publik gjyqësor në 3 qershor, se është një "njeri i sëmurë rëndë".

Nerma Jelaciç, zëdhënëse e Tribunalit

Nerma Jelaciç, zëdhënëse e Tribunalit

Prokuroria merr masa

Prokuroria e Tribunalit kërkoi të mërkurën një përshpejtim të procesit gjyqësor kundër Mladiçit. Prokuroria kërkoi një ndarje në dy pjesë të procesit gjyqësor. Mladiçi do të përgjigjet më parë për gjenocidin në Srebrenicë dhe në një proces tjetër gjyqësor, ai do të akuzohet për rrethimin e Sarajevës dhe vepra të tjera. Synimi është që "viktimat të gjejnë patjetër drejtësi" thuhet në një kërkesë të kryeprokurorit Serge Brammertz.

Mladiçin e arrestuan në fund të majit, pas 16 vjetësh arrati në Serbi dhe ia dorëzuan Tribunalit të Hagës për Krime Lufte. Ish-gjeneralin e serbëve të Bosnjës e akuzojnë në 11 pika për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Këto akte ai i ka kryer në vitet 1992 deri 1995, thotë akuza. Numri i viktimave është rreth 100 mijë vetë.

Autor: dpa / Auron Dodi

Redaktoi: Lindita Arapi