1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Paqartësi lidhur me operacionet ndaj Libisë

NATO vendosi që ta kontrollojë embargon e armëve ndaj Libisë përmes detit. E paqartë mbetet se kush do ta kontrollojë zonën e ndalim fluturimit.

default

Avioni F-18 niset nga baza e NATO-s në Aviano, Itali, drejt Libisë

Paqartësitë në lidhje me drejtimin ushtarak të operacionit në Libi si dhe qëllimet dhe kushtet e tij janë të mëdha. Përfaqësuesja e BE-së për Politikën e Jashtme Catherine Ashton e shpjegon fare thjeshtë këtë problem: "Koordinimi nuk është problemi i vërtetë. Problem janë mendimet e ndryshme të 27 vendeve anëtare. Këto shtete janë sovrane dhe besojnë me pasion që duhet të kenë të drejtën për të ndjekur një politikë mbrojtjeje që e vendosin vetë. Kjo çon në qëndrime të ndryshme. Vendimtare për KS është që askush nuk votoi kundër rezolutës."

Megjithatë Gjermania, e cila është anëtare e përkohshme e KS, abstenoi dhe nuk do të marrë pjesë në asnjë lloj aksioni ushtarak ndaj dhe përreth Libisë. Jo zyrtarisht, por në media të ndryshme që prej këtij momenti bëhet fjalë për tradhëti të Gjermanisë ndaj një politike të përbashkët. NATO-ja vendosi ndërkohë që ta kontrollojë rrugët detare për të realizuar embargon e armëve ndaj Libisë.

Catherine Ashton Në samitin e BE-së për Libinë

Catherine Ashton Në samitin e BE-së për Libinë

NATO do të pengojë regjimin e Gaddafit të mbledhë armë dhe mercenarë

Zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu dha për këtë këto shpjegime: "Qëllimi është që të ndalojmë furnizimet me armë si dhe hyrjen në Libi të mercenarëve për t'iu bashkangjitur regjimit të Gadafit. Ne e dimë që regjimi i Libisë ka blerë në të kaluarën shumë armë dhe ka grumbulluar shumë mercenarë. Sipas informacioneve të shërbimeve sekrete ne e dimë se kjo gjë vazhdon. Për këtë është shumë e rëndësishme që NATO të fillojë tani të ndërmarrë hapa për ta ndaluar një gjë të tillë si pjesë të përpjekjeve ndërkombëtare për t'i dhënë fund dhunës ndaj popullit libian."

Lungescu u bëri thirrje vendeve fqinjë me Libinë, që të ndihmojnë për të zbatuar bllokadën ndaj Libisë në kufijtë e saj tokësorë. Pas vendimit për bllokadën detare ndaj Libisë Gjermania i tërhoqi anijet e saj luftarake prej komandës së NATO-s. Një oficer i NATO-s në Bruksel tha se megjithë këtë vendim Gjermania brenda radhëve të NATO-s nuk shihet me sy kritik.

Me vendimin për realizimin e embargos së armëve nuk është sqaruar ende çështja nëse NATO-ja do të mbikqyrë edhe zbatimin e embargos së armëve. Deri tani kjo mbikqyrje ishte një aksion i shteteve të veçanta nën drejtimin e Francës, Britanisë së Madhe dhe SHBA. Shumica e shteteve të NATO-s duan që këtë detyrë ta marrë përsipër aleanca, por kundër kësaj ideje është Franca.

Oana Lungescu

Oana Lungescu, zëdhënëse e NATO-s

NATO vepron por nuk po tregon unitet

Zëdhënësja e NATO-s Oana Lungescu tha se në këtë drejtim nuk është marrë ende ndonjë vendim: "Këto janë diskutime të vështira për tema tepër të vështira. Por ju e shihni që 28 vendet aleate flasin me një ton dhe frymë konstruktive me njëri-tjetrin. Vendet aleate e kanë bërë ndërkohë hapin e parë për të vënë në jetë rezolutën 1973 të KS. Dhe unë besoj se është e rëndësishme që NATO është e një mendjeje dhe që NATO vepron."

Por në fakt për veprim të NATO-s mund të flitet vetëm deri në një farë mënyrë, kurse për unitet në radhët e saj as që mund të bëhet fjalë.

Autor: Christoph Hasselbach

Redaktoi: Lindita Arapi

DW.COM