1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Papunësia tek të rinjtë është relative

Në Spanjë, Greqi dhe vende të tjera evropiane rreth gjysma e të rinjve raportohen si të papunë. Por kjo nuk është e vërtetë, thonë statisticienët e BE-së dhe hedhin dritë në terrin e tabelave.

"Mos i beso asnjë statistike që e ke falsifikuar vetë!" Ky citat që i atribuohet, ndoshta pa të drejtë, Uinston Çërçillit, i përshtatet mirë dilemës së shifrave për papunësinë tek të rinjtë: qarkullojnë shifra të shumta, shpesh kundërthënëse.

Shkaku i konfuzionit: në të 28 vendet anëtare të BE-së ka statistika kombëtare për tregun e punës, në Gjermani ato mblidhen nga Agjencia Federale e Punës në Nurenberg. Dhe ka shifra që mblidhen nga autoriteti evropian i statistikave, Eurostat. Rezultatet nuk janë të krahasueshme për shkak të strukturave krejt të ndryshme të vendeve përkatëse dhe përkufizimeve të ndryshme për papunësinë.

Nga 55 bëhen 16 për qind

Të rinj të papunë dhe të pastrehë

Shifrat e papunësisë tek të rinjtë mbeten alarmante megjithë korigjimet.

Kështu p.sh. mediet njoftojnë vazhdimisht se në shtete si Greqia apo Spanja sipas Eurostatit më shumë se gjysma e të rinjve janë të papunë. Ky interpretim i shifrave është i gabuar, por vazhdon të jetë aq i ngulitur në perceptimin e opinionit dhe në shtyp sa Eurostati u detyrua të japë një interpretim të saktë të shifrave. Arsyeja është se edhe Eurostati prezanton dy madhësi të ndryshme matjeje për papunësinë.

Për shembull në rastin e Greqisë: vendi i drobitur nga kriza ka rreth 1 milion banorë në grupmoshën 15 deri 25 vjeç. Prej tyre vetëm një e treta (310.000) bëjnë pjesë në të ashtuquajturin grup të personave aktivë për tregun e punës. Kështu quhen ata të cilët mund të kryenin një punë. Dhe nga kjo shifër në Greqi në të vërtetë pak më shumë se gjysma janë pa punë, pra rreth 170.000. Kështu norma e papunësisë për këtë grup është 55 për qind.

Në dallim me ta, dy të tretat që kryejnë aftësim profesional apo studime dhe nuk ndjekin asnjë punë, përkufizohen si persona joaktivë në tregun e punës. Kjo do të thotë për Greqinë që në gjithë grupmoshën nga 15 deri 24 vjeç vetëm një në gjashtë të rinj është i papunë, dhe pra norma e papunësisë është 16 për qind.

Grafik për papunësinë tek të rinjtë

Kritere matjeje të komplikuara - shifrat e papunësisë kanë nevojë për interpretim

Ngjashëm ndryshojnë shifrat edhe për vendin tjetër në krizë të cituar shpesh, Spanjën: atje papunësia e të rinjve është në nivelin 53,2 për qind, por në grupin e popullsisë nga 15 deri 24 vjeç vetëm 20,6 për qind. Diskrepanca tek të rinjtë është shumë më e madhe se sa për shembull në grupe të tjera më të moshuara reference, pasi shumë prej tyre janë ende në aftësim profesional dhe për këtë arsye nuk bëjnë pjesë në rrethin e popullsisë aktive në tregun e punës.

Por askush nuk duhet të gënjehet nga shifrat tashmë të interpretuara mirë dhe më të ulëta, paralajmëron Karl Brenke, ekspert për tregun e punës në Institutin Gjerman të Ekonomisë në Berlin (DIW): "Shifrat vazhdojnë të jenë dramatike dhe kur një në pesë të rinj mendojnë se nuk i hyn kujt në punë kemi një problem social të konsiderueshëm."

Krahasueshmëri evropiane

Radhë të gjata para zyrave të punës në Spanjë

Radhë të gjata para zyrave të punës në Spanjë

Një ndryshim i rëndësishëm në shifrat e tregut të punës të institucioneve përkatëse kombëtare si p.sh. Zyrës Federale të Punës, ka të bëjë me faktin që të dhënat e Eurostatit janë rezultate të anketimeve. Sipas direktivave të Organizatës Botërore të Punës (ILO), Eurostati zhvillon intervista përfaqësuese në vendet anëtarë të BE-së me gjithnjë të njëjtat pyetje. Në Gjermani këtë detyrë e kryejnë zyrat statistikore të landeve. Të dhënat për papunësinë tek të rinjtë janë në këtë kuadër pjesë e të ashtuquajturit "mikrocensus". Zyra Federale e Statistikave i mbledh rezultatet dhe ia përcjell si shifrën gjermane Eurostatit.

Për Karl Brenke nga DIW këto anketime kanë rezultuar të suksesshme: "Kjo ka kuptim pasi mbledhja e të dhënave bëhet sipas të njëjtave procedura në të gjitha shtetet, pasi përdoren të njëjtat definicione. Kështu bëhet e mundur që të krahasohet papunësia mes vendeve." Me statistika publike, që mblidhen nga shtetet e veçanta, kjo nuk do të ishte e mundur, thotë Brenke.

Mbledhja e dyfishtë e të dhënave është me kuptim

Gjermania është shumë mirë sa i takon papunësisë tek të rinjtë: vetëm katër në 100 të rinj nga 15 deri 24 vjeç janë të papunë, që i përgjigjet një kuote papunësie prej 8,1 për qind në këtë grupmoshë. Kjo shifër është pothuajse sa ajo e përllogaritur nga Agjencia Federale e Punës.

Për zëdhënësen e kësaj agjencie, Ilona Mirtschin, fakti që ka një agjenci evropiane dhe shumë autoritete kombëtare nuk do të thotë dyfishim: një heqje dorë nga të dhënat e grumbulluara nga autoriteti ku ajo punon nuk është i përfytyrueshëm, pasi ato kanë ndikim direkt në mjetet financiare që shteti vë në dispozicion për të papunët, thotë Mirtschin: "Ndryshimi i madh mes përllogaritjeve kombëtare dhe ndërkombëtare konsiston në faktin që në ligjin social gjerman përcaktohet se i papunë konsiderohet vetëm kush regjistrohet si i tillë pranë zyrës së punës." Ndërsa për të dhënat e mbledhura nga Eurostatit përmes anketimeve, mjafton që dikush të thotë se është i papunë. Por mbi deklarata të tilla personale nuk mund të bazohet asnjë sistem shoqëror social, thotë Mirtschin.

Kështu dy procedurat e ndryshme me të cilat konstatohet papunësia tek të rinjtë, do të vazhdojnë të ekzistojnë deri sa të harmonizohet legjislacioni social në shtetet e BE-së.