1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Ballkani

Papunësi e lartë tek të rinjtë në Maqedoni

Në Maqedoni po rritet gjithnjë e më tepër numri i të rinjvë të papunë. Për zbutjen e situatës po realizohen një sërë projektesh që i mundësojnë të rinjve të vetëpunësohen. Ekspertët kanë kritika.

default

Në Maqedoni po bëhet gjithnjë e më vështirë të gjesh punë. Mbi 50% e të rinjve në Maqedoni janë pa punë, ndërkohë që mbi 22 mijë qytetarë me arsim të lartë janë të rregjistruar në Entin për punësim. Drejtori i Agjencisë për punësim Vllatko Popovski thotë se numri më i madh i të rinjëve të papunë, që janë të evidentuar në Agjencinë për punësim janë të diplomuar sipas sistemit të Bolonjës. Diplomat e marra nga ky proces arsimor po paraqiten si pengesë për punësim, pasi punëdhënësit vlerësojnë se njohuritë e fituara nuk janë konkurente në tregun e punës. “Ka probleme të theksuara me personat e rinj të sapodiplomuar. Kompanitë kërkojnë punëtorë, duan kuadër profesional i cili do t'i përgjigjet detyrave përkatëse”, thotë Popovski.

Projekte për vetëpunësim

Qeveria e Maqedonisë, përmes projekteve të përbashkëta me Bankën botërore po bën përpjekje që të rinjtë të aftësohen me shkathtësi të caktuara që të inkurajohen për të hapur biznese private apo siç quhen ndryshe “Projekte për vetëpunësim”. “Në Maqedoni ka vende pune që mbeten pa plotësuar sepse për të njëjtat kërkohen shkathtësi të caktuara të cilat nuk arrijnë t'i përvetësojnë të rinjtë gjatë studimeve,”shprehet Tatjana Proskurikova, drejtoreshë e Bankës botërore në Maqedoni.

Vetëpunësimi mbetet ëndërr

Të rinj në një shkollë në Tetovë.

Njohuritë e marra në shkolla nuk mjaftojnë për tregun e punës, kritikojnë eskpertët.

Politikat dhe strategjitë e Qeverisë për punësim dhe zbutjen e papunësisë përmes projekteve për vetëpunësim po realizohen me vështirësi.Vetpunësimi mbetet ëndërr e parealizuar e të rinjëve thotë Marjan Zabrçanec nga Forumi rinor arsimor. Sipas tij është vështirë që një i ri, të cilit i mungojnë shkathtësitë për biznes, të themelojë kompani të vetën me ndihmën financiare nga projektet për vetëpunësim.

“Në vend të projekteve për vetëpunësim ndoshta do të ishte më mirë të zbatohej një politikë ekonomike, e cila do të rezultonte me punësimin e të rinjëve në ndërmarrjet ekzistuese, të mesme dhe të mëdha. Në këto ndërmarrje, të rinjtë do të fitonin përvojën e duhur, që në të ardhmen të mund të drejtojnë edhe kompanitë e tyre private,”shprehet Zabrçanec.

Nerimane Sakipi, e cila është kthyer nga SHBA-të në vendlindje, ka konkuruar për të fituar kredi të ofruara nga Qeveria për hapjen e ndërmarrjeve të vogla, që synojnë stimulimin e uljes të papunësisë. “Që të arrish deri te ajo kredi të duhet një periudhë e gjatë kohe, por edhe nëse i plotëson të gjitha kushtet ke nevojë të kesh njeriun tënd në komision , në të kundërtën mbetesh pa mbështetje financiare”, thotë ajo.

Trajnim për punësim

Me qëllim të zgjerimit të shkathtësive dhe njohurive të grave të papuna, qendra për arsim jo formal ”Triagolnik” ka nisur një trajnim në katër komuna të Maqedonisë, ku gratë e papuna më lehtë të mund të prezantojnë veten para punëdhënësve. “Programi synon t'i aftësojë gratë e papuna me aftësi komunikuese, punën në ekip, ballafaqim me konflikte gjatë punës dhe aftësi për të krijuar një plan biznesi”, thotë Elena Xhartovska nga qendra për arsim joformal “Triagolnik”.

Pas trajnimit pjesëmarrësve do t'u mundësohet edhe punë praktike në vende përkatëse ku do të mund t'i ushtrojnë aftësitë e fituara gjatë trajnimit.

Meqë problemi i papunësisë është një sfidë e madhe për Maqedoninë, ekspertët vlerësojnë se Qeveria duhet të punojë në krijimin e një strategjie gjithpërfshirëse në sistemin arsimor, konform kërkesave të tregut të punës.