1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Papandreu shpall rënien dakord për paketën miliardëshe

Marrëveshja për ndihmat financiare për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi shtetëror u arrit: 60 miliardë euro çdo vit ka nevojë vendi, tha kryeministri Jorgos Papandreu.

Kryeministri Papandreu arrin në mbledhjen e kabinetit grek në 2 maj

Kryeministri Papandreu arrin në mbledhjen e kabinetit grek në 2 maj

Sakrifica të rënda për t'i shpëtuar falimentimit

Qeveria greke ra dakord me Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe me Bashkimin Evropian për arritjen e një marrëveshjeje për ndihma financiare prej miliarda eurosh. Marrëveshja kërkon sipas kryeministrit Jorgos Papandreu "sakrifica të mëdha" nga grekët. "Këto janë sakrifica të rënda, por të nevojshme, pa të cilat Greqia do të falimentonte", tha Papandreu të dielën (02.05) në mëngjes. Pengimi i falimentimit shtetëror ka qenë për qeverinë synimi primar, tha kryeministri grek. Ministri grek i financave, Jorgos Papakonstandinu shpalli paketën e masave të programit 3-vjeçar. Siç njofton korrespondenti i DW-së në shqip në Athinë, Niko Anagnosti, masat kryesore prekin nëpunësit civilë dhe pensionistët e shërbimit publik, e më pak sektorin privat:

Ministri grek i Financave, Jorgos Papakonstandinu

Ministri grek i Financave, Jorgos Papakonstandinu

“Opcioni që kemi është të zgjedhim midis shembjes dhe shpëtimit... dhe qeveria vendosi të shpëtojë vendin” deklaroi ministri grek, i cili foli për një program ambicioz trivjeçar, zbatimi i suksesshëm i të cilit do të kushtëzojë edhe “disbursimin e ndihmës financiare”. Masat për rritjen 2% të TVSH-së, 10% të taksave të karburanteve, cigareve dhe pijeve, shkurtimet e pagave të 13-të dhe 14-të në sektorin publik si edhe pensioneve respektivë mbi 2.500 euro, përfshi deputetët dhe nëpunësit e parlamentit, janë vetëm një pjesë e paketës së gjerë dhe të rreptë të masave. Në formën e projekt-ligjit ato do t'i paraqiten parlamentit për aprovim brenda javës.

Kryeministri Papandreu tha se Greqia ka nevojë financiare prej 60 miliardë eurosh në vit. Dhe kjo shifër është më e lartë se ajo që prisnin ekspertët e financave. Ekspertët patën llogaritur më parë një shifër prej 120 miliardë eurosh për tri vitet e ardhshme.

Kursime, kursime, kursime

Që prej 21 prillit, përfaqësuesit e BE-së, të Bankës Qendrore Evropiane dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar bënë negociata me qeverinë greke për kushtet me të cilat do të shpëtohet shteti grek nga falimentimi. Siç bëhet e ditur, Greqia duhet ta ulë deri në vitin 2014 deficitin e saj nga aktualisht 13,6 përqind të produktit të brendshëm bruto, në nën 3 përqind. Për këtë, deri në vitin 2012 janë të nevojshme masa kursimi në një vëllim prej 30 miliardë eurosh. Borxhi i Greqisë do të arrijë deri 2013 në 140%. Vetëm në fund të vitit 2014 ekonomia greke do t'u rikthehet ritmeve pozitive të zhvillimit.

Jose Manuel Durao Barroso, kryetar i Komisionit Evropian

Jose Manuel Durao Barroso, kryetar i Komisionit Evropian

Pas miratimit nga ministrat e financave të Eurozonës të paketës së negociuar midis FMN-së, BQE dhe BE-së, procedura për shpëtimin e Greqisë mund të nisë. Vetëm këtë vit shtetet e zonës së Euros presin një barrë financiare prej 30 miliardë eurosh, prej tyre 8,4 miliardë do t'i paguhen Greqisë nga Gjermania.

Sipas mendimit të presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso, Greqia tani i ka plotësuar kushtet e shteteve të tjera të Eurozonës për të marrë ndihma miliardëshe. Barroso sinjalizoi se do të bëhen propozime të KE-së për të shmangur falimentime të tjera shtetërore si në rastin e Greqisë:

"Ne duhet ta forcojmë stabilitetin e Euros, të krijojmë një mekanizëm për stabilizimin e krizës dhe ta mbikqyrim më fort politikën buxhetore të shteteve anëtare, kërkoi ai në një bisedë në fundjavë me gazetën e Hamburgut, "Hamburger Abendblatt". Këtu nuk bëhet fjalë për kalimin e kompetencave të shteteve anëtare në rrafsh evropian. "Ne jemi të interesuar për një politikë më efektive ekonomike", tha Barroso. "Për këtë na nevojitet një masë më e madhe koordinimi dhe drejtimi."

Autor: Nicole Scherschun/Niko Anagnosti/Auron Dodi

Redaktoi: Vilma Filaj- Ballvora

DW.COM

  • Data 02.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NCfi
  • Data 02.05.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/NCfi