1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Papandreu përballë sfidës së aprovimit të programit afatmesëm

Punonjës të sektorit publik dhe privat kanë dalë të mërkurën në grevë të përgjithshme kundër kursimeve shtesë prej 28 miliardë eurosh të programit 3-vjeçar të paraqitur për aprovim në parlament.

default

Votimi i programit, që do t'i sigurojë vendit kredinë shtesë prej mbi 100 miliardë eurosh dhe evitimin e falimentimit, vlerësohet si një sprovë e madhe për socialistët grekë që nuk mund të garantojnë as votën e deputetëve të tyre. Analistët e shohin programin si katalizatorin e ndryshimeve të thella të skenës politike të gjeneruara nga kriza e thellë që ka kapluar vendin.

Tek grumbulli i të revoltuarve brohorit “hajdutë, hajdutë”, para parlamentit, ul për një moment altoparlantin dhe përgatitet për të hedhur parullën tjetër të rimuar: “Borxhe unë/borxhe gjyshja ime/por jo në borxhe që pa lindur dhe fëmija ime”. Kjo është parulla që Vasilis Marcaqis përgatitet të hedhë për “militantët” e të revoltuarve që nuk i kursejnë as parullat dhe banderolat ekstreme për “politikanë të shitur dhe tradhtarë”, që krijojnë një “militantizëm antiestetik” por Vasilis vetë nga ana e tij e disaprovon. “Kush preferon të ngrejë gjyqe le ta mbajë vetë përgjegjësinë. Unë vendin e kam tek betejat popullore” thotë Vasilis, nënpunës shtetëror që sot para dite, ditën e grevës së përgjithshme të sektorit publik dhe privat, do të jetë prezent dhe në manifestimin e tyre të përbashkët në Sheshin Areos.

Analisti i së përditshmes së madhe greke “Elefterotipia”, Vangjelis Delipetros

Analisti i së përditshmes së madhe greke “Elefterotipia”, Vangjelis Delipetros



Rrogëtarët, pensionistët dhe punonjësit në profesion të lirë viktimat e para të cunamit fiskal

Fillimisht, se më pas do të bashkohen të gjithë në sheshin Sintagma, aty ku që në mëngjes të revoltuarit kanë vërshuar nga tri pika të ndryshme dhe kanë rrethuar në mënyrë simbolike parlamentin i cili sot pasdite fillon diskutimin e programit afatmesëm 3-vjeçar. “Sindikatat shkojnë në Sintagma dhe takohen me lëvizjen e të revoltuarve. Ndërtojmë një lëvizje rezistence dhe suspendimi që të mos kalojë programi afatmesëm” thotë sindikalisti i Konfederatës së Përgjithshme të Punonjësve të Greqisë Jorgos Gavrilis për masat fiskale prej 28 miliardë eurosh, ose cunamin fiskal siç thuhet rëndom, që do të godasë kryesisht “kafshët e zakonshëm të ngarkesës”: rrogëtarët, pensionistët dhe punonjësit në profesion të lirë. Veç uljes së pagave, që për nënpunësit shtetërorë do të arrijë në 40%, taksapaguesit do të paguajnë dhe tatim të jashtëzakonshëm solidariteti për katër vjet që pritet të definohet sot dhe që shumëkujt i kujton haraçin otoman.

I vendosur për të kapërcyer Rubikonin Papandreu

Protesters holding Greek flags face the police in front of the Parliament during a rally against plans for new austerity measures, in central Athens, Wednesday, June 15, 2011. A 24-hour anti-austerity strike by Greece's largest labor unions crippled public services Wednesday, as the Socialist government was to begin a legislative battle to push through last-ditch cost-cutting reforms that will extend beyond its own term in office. (Foto:Lefteris Pitarakis/AP/dapd)

Aprovimi i një programi të tillë nuk është aspak i lehtë për Papandreun që ka përballë tij protestuesit dhe të revoltuarit e shesheve, krerët opozitarë që flasin për “rrugë të gabuar dhe pa krye” dhe deputetë të partisë së tij në krizë nervore nga presioni edhe i elektoratit të zonave të tyre për të votuar kundër. “Në qoftë se do ta durojmë tani dhimbjen, me masat korigjuese të viteve të ardhshme të programit, jo vetëm do të kemi një Greqi tjetër por do të kemi zgjidhur dhe për brezat e ardhshëm problemin e madh të borxhit” është motoja e kryeministrit që duket i vendosur për të kaluar Rubikonin.

Deputetët do të shkojnë në votim të trembur, por do të thonë më në fund po

Konsensusin kombëtar mund ta ketë marrë lumi, por e keqja është se edhe vota e deputetëve të grupimit socialist në pushtet, që mjafton për të siguruar 151 votat e mundshme në seancën plenare të 28 qersorit, shfaqet si një eventualitet torturues për Papandreun dhe ekipin e tij. Një deputet u pavarësua dhe një tjetër deklaroi se do të votojë kundër.“Do shkojnë në votim të trembur, por do të thonë më në fund po. Deputetët deklarojnë se nuk janë dakord, se duan diçka tjetër, por e votuan vjet Memorandumin do ta votojnë edhe sivjet” i thotë Deutsche Welle-s gazetari dhe analisti i së përditshmes së madhe greke “Elefterotipia” Vangjelis Delipetros, i cili të keqen më të madhe e sheh ndërkohë tek “rruga pa krye” e masave shtrenguese që rrënojnë ekonominë dhe njerëzit dhe nuk sjellin rimëkëmbjen e premtuar të ekonomisë.


“Greqia është një kazan që zien në këto momente”

“Pas dy vjetësh do të kemi me sa duket ristrukturim dhe masa të reja” thotë Delipetros me një shqetësim të dukshëm për “gjendjen dëshpëruese dhe klimën eksplozive të krijuar në vend”. “Mendoj se problemi më i madh është se Greqia është një kazan që zien në këto momente: Përspektivë nuk ka, lidhjet koherende janë duke u shpërbërë dhe kjo fsheh edhe rrezikun më të madh” thotë Delipetros, tejet kritik ndaj klasës politike, të cilën e quan të papërgjegjshme dhe korruptive dhe i faturon “falimentimin de fakto të vendit”. “Të gjithë kanë faj, por kurrë ata që kanë timonin e vendit, të cilët fjalën falje e kanë hequr nga fjalori i tyre” thotë analisti grek.


Qeveria e ka të vështirë ta përballojë peshën e përpjekjes titanike të programit afatmesëm


Votë me “gjysëm zemre” të deputetëve socialistë sheh edhe analisti Tasos Papas, i cili nuk përjashton që të shtohet numri i deputetëve që nuk do të votojnë siç ndodhi me dy deputetët të martën, njëri prej të cilëve u pavarësua. “Sidoqoftë kostoja do të jetë serioze. Mund të mos bjerë qeveria por do të bjerë mjaft autoriteti i saj” thotë Papas për kabinetin socialist, i cili me problemet që ka në grupin parlamentar “zor se do të ngrejë peshën e përpjekjes titanike” të programit afatmesëm. Kështu mund të jetë larguar makthi i falimentimit të vendit, të paktën deri në vitin 2015, por jo edhe ai i dekompozimit të skenës politike të dominuar nga sistemi dypartiak dhe dinastitë politike familjare.

I pakuptueshëm demonizimi i zgjedhjeve


“Tani se ku mund të çojë kjo krizë asnjë nuk mund të jetë i sigurt. Me gjërat njerëzore kurrë nuk mund të jesh i sigurt, por besoj se pas disa vitesh asgjë nuk do të ngjajë si sot. Mund të krijohen parti të reja, mund të shpërbëhen partitë aktuale, mund të rinovohen nga themelet partitë e sotme. Mos harrojmë se nuk ka precedent historik që të ketë mbetur i pacënuar një vend ku ka penetruar Fondi Monetar Ndërkombëtar” thotë analisti grek, që ndërkohë nuk përjashton edhe zgjedhjet e parakohshme. “Nuk e kuptoj pse janë demonizur zgjedhjet. Zgjedhje janë mbajtur në Portugali dhe Irlandë që kanë të njëjtat probleme me ne, por nuk janë rrënuar. Përpos kësaj zgjedhjet janë e vetmja rugëdalje demokratike në raste krizash” shton analisti grek, i cili ndërkohë formimin e një qeverie personalitetesh, të paralajmëruar nga vetë Papandreu, e vlerëson si preludin e ndryshimeve më të thella politike të gjeneruara nga kriza e paparë ekonomike.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora

DW.COM