1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Evropa

Papandreu në kërkim të një qeverie koalicioni- Opozita kundër

Me 153 votat e pozitës socialiste dhe 145 kundër kryeministri grek Papandreu mori mbrëmë votëbesim për kabinetin e tij në parlament. Papandreu fillon sot përpjekjen për krijimin e një qeverie koalicioni.

Kryeministri Papandreou në parlamentin grek

Kryeministri Papandreou në parlamentin grek

Pas një treleri politik triditor dhe një historie mbijetese politike proverbiale dita e sotme e gjen kryeministrin grek Jorgos Papandreu sërish protagonist të zhvillimeve politike, në krye të qeverisë jo për të qeverisur por për të strukturuar një qeveri të re të një konsensusi më të gjerë politik.

Pamje ilustruese

Pamje ilustruese

Pak pas mesnate kabineti i tij mori votëbesimin në parlament me të gjitha votat e grupit të tij parlamentar. “Qeverisë i dhanë votëbesim 153 deputetë dhe votë negative 143 nga të 298 deputetët të pranishëm” deklaroi kryetari i Parlamentit Filipos Pecalnikos dhe salla shpërtheu në duartrokitje nga deputetët socialistë që ishin bindur më parë nga kreu i tyre Papandreu, me një fjalim prej 45-minutash dhe me tone emocionale, se  që sot fillon “konsultimin me partitë e tjera” për krijimin e  qeverisë së re pa qenë e nevojshme që të kryesohet prej tij. “Me aktet e mia dua të dërgoj një mesazh të qartë, që shpresoj se do të simbolizojnë një imazh dhe kulturë tjetër në jetën politike të vendit” tha Papandreu, i cili theksoi se “kurrë nuk kam parë politikën si profesion”  dhe “nuk bëj lojëra” duke iu përgjigjur kështu dhe rebeshit të kritikave të gjithë këtyre ditëve edhe nga deputetët të tij se “është i mbërthyer pas karriges së pushtetit”.

Një mandat dhe karrierë politike me “thyerje tabush”

Pamje simbolike

Pamje simbolike

Papandreu bëri bilancin e dy viteve të kabinetit të tij me reforma të dhimbshme  por të nevojshme për evitimin  e falimentimit të vendit, por edhe me novacione (universitetet jo shtetërore, transparenca, afrimi greko-turk, depenalizimi i drogës) për të cilat u etiketua, sikurse tha,  si i “papërgjegjshëm”, “antigrek” dhe “aventurier”.  “Jo, të gjitha këto nuk ishin aventurizëm” tha Papandreu, i cili duke iu referuar gjerësish dhe karrierës së tij politike të lidhur ngushtë me traditën familjare në “shërbim të demokracisë”  foli për “thyerjen e tabuve” por edhe faqen e re që kthen vendi.

Qeveri provizore deri në fund të shkurtit dhe me prioritete të qarta

Në foto, ministri Evangelos Venizelos

Në foto, ministri Evangelos Venizelos

Duke përjashtuar edhe një herë zgjedhjet e parakohshme si “katastrofale” Papandreu iu referua gjerësisht prioriteteve të kabinetit të ri qeveritar, që nga kurorëzimi i bisedimeve  me troikën për livrimin e këstit të 6-të prej 8 miliardë eurosh dhe marrëveshjen e re të kreditimit  dhe deri te arritja e një kompromisi  për çështjen e emrit të Maqedonisë apo kërkimet e naftës në detin Egje. Prioritete që tingëlluan si shumë ambicioze për një qeveri provizore, që siç theksoi qartë ministri i Financave Evangjellos Venizellos do të ketë mandat deri në fund të shkurtit të vitit tjetër, kur “vendi do të ketë mbyllur të gjitha çështjet pezull me troikën” dhe do të  mbahen zgjedhjet.

Samaras: “nuk marr pjesë dhe e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet”

Një kabinet i tillë është i papranueshëm nga opozita e djathtë e Andonis Samaras, i cili me një deklaratë të shkurtër në media ishte kategorisht kundër pjesëmarrjes në të: “Zoti Papandreu hodhi poshtë propozimin tonë në tërësi. Përgjegjësitë që merr përsipër janë tejet të mëdha.

Në foto, Antonis Samaras

Në foto, Antonis Samaras

E vetmja zgjidhje janë zgjedhjet” deklaroi kreu i opozitës së djathtë e cila një ditë më parë, në kulmin e presingut evropian dhe të krizës politike, ishte treguar e gatshme të marrë pjesë në një qeveri të “shpëtimit kombëtar” me kusht që të jetë provizore, disa javëshe, të ratifikojë marrëveshjen e re të kreditimit dhe të çojë vendin normalisht në zgjedhje të parakohshme. Tani, me refuzimin e saj, vihet në pikëpyetje serioze formimi i një qeverie të “konsensusit kombëtar”, të arritur në vende të tjera si Portugalia apo Spanja dhe aq të nevojshme për Greqinë në “buzë të greminës”, duke traumatizuar edhe një herë imazhin e klasës politike greke në sytë e partnerëve si “e papaftë për të krijuar qeveri koalicioni”. “Në qoftë se do të mungojë Demokracia e Re, e kuptoni që e gjithë përpjekja do të jetë e cunguar” nënvizoi kreu i partisë nacionaliste Alarmi Ortodoks Popullos Jorgos Karaxhaferis, i cili  kërkoi një “qeveri politike dhe jo teknokratësh”  dhe  drejtoi edhe një herë apel dramatik për “bashkëveprim” që  “të shpëtojë Greqia”.

Në pikëpyetje krijimi i qeverisë së “konsensusit kombëtar”, që hidhet poshtë dhe nga e majta

Vështirësitë për krijimin e një qeverie konsensuale ngjajnë gati të pakapërcyeshme dhe mbetet të shihet në se do të arrihet vetëm me pjesëmarrjen e dy partive të vogla të spektrit të djathtë, të Demokracisë së Re dhe të Alarmit Ortodoks Popullor, kreu i  të cilit Karaxhaferis e kushtëzon me “lëvizjet që do të bëjë Papandreu”. Se e majta e përcaktoi vendin e saj, përballë qeverisë dhe në sheshe, në manifestime siç bëri edhe dje (04.11.) para parlamentit dhe në Selanik, për të shfuqizuar kursin e masave shtrënguese dhe për të kërkuar zgjedhje.

Pamje simbolike

Pamje simbolike

“Keni nevojë për një qeveri koalicioni se keni për të marrë masa më të egra nga ato që keni marrë deri më sot” deklaroi kryetarja e Partisë Komuniste Alega Papariga, e cila kërkoi që “tu jepet fund shantazheve” për këstin dhe mbetjen ose jo në eurozonë. “Populli grek nuk duron më shpëtim të një loji të tillë” deklaroi krei i partisë së majtë SIRIZA Aleksis Cipras dhe kërkoi zgjedhje  dhe mandat të ri popullor përmes  të cilit të dalë dhe një “qeveri koalicioni me konvergime programatike”.

Në këto kushte mbetet të shihet  se sa shumëpartiake do të jetë qeveria e re dhe nëse do të ketë për kryeministër ministrin aktual të Financave Evangjallos Venizellos, siç përflitet. Topi gjithsesi është në fushën  e kreut të opozitës Andonis Samaras që do të gjendet para një presingu të madh politik, nga brenda  dhe jashtë Greqisë, për të marrë pjesë në koalicionin qeveritar.

Autor: Niko Anagnosti

Redaktoi: Esat Ahmeti

DW.COM

Audio dhe video për temën