1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa në Lesbos: "Ishulli mban të gjithë barrën e Europës"

la/(dpa, afp, kna)16 Prill 2016

Takimi i Papa Françeskut me dhjetëra refugjatë në ishullin grek Lesbos është një zile zgjimi për Europën në krizën aktuale të refugjatëve. Vizita e Papës shihet si apel solidariteti drejtuar bashkësisë ndërkombëtare.

https://p.dw.com/p/1IWwT
Griechenland Papst Franziskus auf Lesbos mit Bartholomeos I. & Alexis Tsipras
Papa me Patriarkun grek, Bartolomeun I dhe kryeministrin grek, TsiprasFotografi: Reuters/A. Konstantinidis

Me një vizitë në ishullin Lesbos, Papa Françesku shprehu edhe njëherë të shtunën(16.04) solidaritetin e tij me refugjatët. Në një fjalim drejtuar refugjatëve, Papa iu drejtua emigrantëve me fjalët, "mos e humbisni shpresën." "Ne të gjithë jemi migrantë", tha Papa në Lesbos. Pak para mbërritjes në ishullin e Egjeut, Papa u shpreh se „ky është një udhëtim ndryshe nga të tjerët, një udhëtim i karakterizuar nga trishtimi.“ Papa theksoi se kriza e refugjatëve „është katastrofa më e madhe humanitare që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Ky ishull mban të gjithë barrën e Europës në supet e tij“. Në mesditë Papa Françesku, kreu i kishës ortodokse greke, Patriarku Bartolomeu I dhe kryepeshkopi grek, Hieronymus kanë nënshkruar në ishullin Lesbos një deklaratë, ku bëhet thirrje për solidaritet me refugjatët. “Bota nuk mund ta injorojë më këtë krizë humanitare.”

Menjëherë pas pritjes nga ana e kryeministrit grek, Aleksis Tsipras në aeroportin e Mytilinit, dhe takimit me kreun e kishës ortodoske, Patriarkun Bartolomeun I, kreu i kishës katolike vizitoi kampin e refugjatëve, Moria në ishullin grek Lesbos, ku ndodhen aktualisht më shumë se 3000 refugjatë. Në kamp Papa përshëndeti dhjetëra të rinj e fëmijë emigrantë, shumica e të cilëve kanë marrë rrugën të vetëm duke kaluar nga Turqia përmes detit në Greqi. Në kamp Papën e prisnin qindra emigrantë. Shumë vetë mbanin pllakate ku shkruhej „Ne duam liri“, „Ti je shpresa jonë“. Mes refugjatëve kishte jezidë, pakistanezë dhe kurdë. Një grua iu lut Papës ta merrte me vete. Sipas televizionit grek, Papa do të marrë dhjetë refugjatë me vete në Vatikan, si shenjë solidariteti. Bëhet fjalë për tetë sirianë dhe dy afganë.

Griechenland Papst Franziskus auf Lesbos mit Hieronymos II.
Fotografi: Reuters/A. Konstantinidis

“At, më jep bekimin”

Në një çadër Papa Françesku bisedoi edhe me familje refugjatësh, ku fëmijët i treguan dhe dhuruan atij vizatime nga jeta e tyre. Papa i përshëndeti gratë vetëm me tundje koke, por nuk ua dha dorën, në shenjë kujdesi ndaj zakoneve myslimane, ndërsa me burrat e pranishëm, Papa toki duart. Për një kohë ai e mbajti dorën mbi kokën e një të riu që qante dhe thoshte „At, më jep bekimin“. Refugjatë të tjerë i rrëfyen Papës se ata kanë mbetur në ishull, ndërkohë që familjet e tyre ndodhen në Gjermani. Në mesditë Papa kujtoi të gjithë refugjatët që kanë lënë jetën në përpjekje për të ardhur drejt Europës.

Kriza e refugjatëve dhe sidomos gjendja e tyre në Lesbos ishin edhe tema qëndrore e një takimi mes Papës dhe kryeministrit grek, Tsipras. Të dy ishin të bindur që kriza e refugjatëve është një problem europian dhe ndërkombëtar, që kërkon një përgjigje me mirëkuptim, konform normave ligjore ndërkombëtare dhe europiane, u shpreh zëdhënësi i Vatikanit, Federico

Lombardi. Sipas zëdhënësit të Vatikanit, Papa Françesku dhe kryeministri grek, Tsipras kërkuan të merren masa që njerëzit të mos rrezikojnë më jetën përmes rrugës detare. Janë të nevojshme masa të ashpra kundër rrjetit të bandave kontrabandiste. Itineraret e rrezikshme duhen mbyllur dhe „duhen zhvilluar ide për strehimin e tyre në Europë“. Ndërsa kryepeshkopi grek, Hieronymus II e ka cilësuar krizën e refugjatëve si „falimentim të humanitetit dhe solidaritetit“ në Europë. Nuk ka nevojë për shumë fjalë, mjaft të shohësh në sytë e fëmijëve që ai dhe Papa kanë takuar në ishullin, Lesbos, ka thënë kryepeshkopi grek.

Griechenland Flüchtlingslager Moria auf Lesbos
Refugjatë në LesbosFotografi: DW/B. Riegert

Apel solidariteti

Vizitën e Papës në ishullin Lesbos, kreu i kishës ortodokse, Bartolomeu I e vlerësoi si një apel solidariteti drejtuar bashkësisë ndërkombëtare. Nevojitet më shumë angazhim për njerëzit në nevojë, tha ai. Vizita e Papës do të „prekë zemrat e miliona njerëzve“. Edhe kryeministri italian e vlerësoi vizitën e Papës në Lesbos, udhëtimi i 13-të i tij jashtë vendit, si „një gjest të jashtëzakoshëm“.

Papa Françesku e kreu udhëtimin e parë të tij menjëherë pas zgjedhjes në krye të kishës katolike, në Lampedusa, në vitin 2013, edhe ky një ishull-simbol i krizës së refugjatëve. Në ishullin grek Lesbos zbarkuan 7000 refugjatë në vjeshtën e vitit 2015, herë pas herë numri i refugjatëve ka arritur edhe 20.000 vetë, ndërkohë që në ishull banojnë rreth 85.000 vetë. Aktualisht aty ndodhet edhe qendra më e madhe e regjistrimit të refugjatëve në Greqi.