1. Inhalt
  2. Navigation
  3. Weitere Inhalte
  4. Metanavigation
  5. Suche
  6. Choose from 30 Languages

Bota

Papa në dialog me kishën anglikane

Sot (17.09) Papa Benedikti i XVI-të vazhdon vizitën e tij historike më Britaninë e Madhe. Vëmendja më e madhe gjatë vizitës do t'i kushtohet raportit të Kishës Katolike me atë Anglikane.

Papa Benedikt XVI, mbretëresha Elisabetë II dhe Princi Filip

Papa Benedikt XVI, mbretëresha Elisabetë II dhe Princi Filip

Dita e parë e Benediktit të XVI-të në Angli duhet të jetë më e rëndësishmja në aspektin përmbajtësor. Pas vizitës në Skoci të premten (17.9.) do të jetë fjala ndër të tjera për temën e vërtetë të vizitës së tij: raportin me Kishën Anglikane. Që prej fundit të vitit të kaluar ky raport është mjaft i tensionuar, pasi Papa krijoi struktura të posaçme kishtare për priftërinjtë anglikanë, të cilët duan të kthehen në besimin katolik. Një gjest që mund të interpretohet si përpjekje për tërheqjen e anglikanëve.

Anglikanë të pakënaqur me kishën e tyre

Jo pak anglikanë, kryesisht në Azi dhe Afrikë, janë të pakënaqur me kursin e ndjekur nga kisha e tyre, e cila lejon gratë priftëresha dhe u jep bekimin martesave homoseksuale. Në të ashtuquajturin samit ekumenik, Benedikti të premten (17.9.) do të takohet me kryetarin e nderit të Kishës Anglikane, kryeipeshkvin e Canterbury-t, Rowan Williams. Në takim me siguri do të flitet edhe për këtë temë, konfirmon kryetari i këshillit papnor për unitetin, ipeshkvi Kurt Koch:

"Kjo ka shumë të ngjarë të ndodhë. Unë mendoj se në bisedën mes Atit të Shenjtë dhe kryeipeshkvit do të trajtohet edhe tema e martesave mes homoseksualëve."

Një tjetër temë pritet të jetë beatifikimi të dielën (19.9.) i John Henry Newman-it. Teologu anglikan ishte konvertuar në kishën katolike. Se sa e vlerëson atë Benedikti i XVI-të e tregon fakti që në meshën e së dielës, Papa do ta shqiptojë personalisht beatifikimin e tij.

Rreziku i laicizimit dhe diktatura e relativizimit në fjalën e Papës

Me kryeipeshkvin Williams, Papa do të mbajë edhe një bashkëkremtim ikumenik në abacinë Westminster, kishën e famshme ku janë kurorëzuar dhe varrosur monarkët britanikë. Më parë të dy klerikët e lartë do të falen së bashku para varrit të ushtarit të panjohur. 70 vjet pas betejës për Anglinë, fjalët e Papës nga Gjermania do të priten atje me interes të veçantë. Fjalimin më të rëndësishëm politik Papa do ta mbajë para 1800 përfaqësuesve nga politika, kultura dhe ekonomia. Pritet që Papa të trajtojë edhe njëherë qartë temën që ka për zemër: rrezikun e laicizimit dhe diktaturën e relativizmit. Gjatë meshës në Glasgow të enjten (16.9.) Papa u shpreh:

"Ka aktualisht përpjekje për ta përjashtuar besimin fetar nga diskutimi shoqëror, për ta privatizuar atë apo madje për ta paraqitur si kërcënim të barazisë dhe lirisë. Por në të vërtetë feja është garanci për liri dhe respekt të vërtetë, që na bën ta shohim çdo qenie njerëzore si vëlla apo motër."

Shumë britanikë kanë qendrim mospërfillës ose refuzues ndaj vizitës së Papës.

Protestues britanikë kundër vizitës së Papës

Protestues britanikë kundër vizitës së Papës

Kundërshtarët e tij kanë lajmëruar mbajtjen e protestave, në pjesën më të madhe të rasteve në lidhje me moralin e rreptë seksual në Kishën Katolike. Duke iu drejtuar të rinjve në meshën e së enjtes (16.9.) Papa bëri edhe njëherë të qartë qëndrimin e tij:

"Dëshiroj t'ju ftoj me gjithë zemër të bëni një jetë dinjitoze, për ju vetë dhe në sytë e Perëndisë. Ju përballeni çdo ditë me shumë tundime: drogë, seks, pornografi, alkohol, për të cilat nga bota përreth ju krijohet iluzioni se sjellin lumturi, por të gjitha këto janë shkatërrimtare dhe krijojnë ndarje."

Gjatë ditës së premte (17.9.) Benedikti i XVI-të pritet të takohet edhe me shkencëtarë të universitetit St. Mary University College. Është planifikuar edhe një takim me drejtues të besimeve të tjera.


Autor:Stefan Troendle/Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi

  • Data 17.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PETp
  • Data 17.09.2010
  • Shpërndajeni Dërgo Facebook google+
  • Shtypni Shtypeni faqen
  • Permalink http://p.dw.com/p/PETp